MASh: Do vendoset sistem për përcjelljen e karrierës së maturantëve në shkollat e mesme profesionale pas diplomimit

Në drejtim të ngritjes së nivelit të punësimit tek të rinjtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se po fillon procesin e vendosjes së sistemit për përcjelljen e karrierës së maturantëve pas përfundimit në shkollat e mesme profesionale, si aktivitet i përcaktuar në Strategjinë e Arsimit të vitit  2018-2025, transmeton Portalb.mk.

Siç bëri të ditur ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, sistemi tashmë është krijuar dhe instaluar në portalin special anketi.mon.gov.mk.

“Do të funksionojë duke mbledhur të dhëna direkt nga nxënësit  pasi të diplomohen, si dhe nga punëdhënësit.  Çdo nxënës nga viti i fundit i arsimit do të jetë në gjendje për të hyrë thjesht duke u identifikuar, për të ofruar të dhëna hyrëse për veten dhe arsimin e mesëm profesional dhe më pas duhet të plotësojë tre pyetësorë. Një në fillim pas regjistrimit dhe dy brenda 6 muajve.. Kompanitë, në anën tjetër, mund të regjistrohen dhe të plotësojnë pyetësorin lidhur me nevojat dhe pritjet e tyre për shkathtësitë që duhet t’i posedojnë nxënësit”, tha Shaqiri.

Ai shtoi se kjo procedurë do të marrë pak kohë për të diplomuarit dhe kompanitë dhe të dhënat e mbledhura do të jenë shumë  të rëndësishme për ministrinë sepse do të përfaqësojnë  bazën për krijimin e politikave të ardhshme, por do të jenë me rëndësi  edhe për shkollat, se si dhe ku përparojnë nxënësit e tyre, të cilat mund të inicojnë ndryshime në politikat e brendshme.

Ministri këto komente i bëri në takimin e sotëm me përfaqësues të shkollave të mesme profesionale në vend. Sistemi për përcjelljen e karrierës së maturantëve do të vendoset  me mbështetjen e fondeve të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button