Një 15 vjeçar nga Shkupi kishte kërcënuar shkollat e Maqedonisë së Veriut përmes internetit, raportoi Policia

Kallëzim penal deri në Prokurori ka dorëzuar Policia e Maqedonisë së Veriut për një 15 vjeçar në lidhje me kërcënimet e kryera përmes internetit, transmeton Portalb.mk.

“Më datë 24.02.2023, i mituri i raportuar ka krijuar një adresë emaili duke përdorur celularin e tij dhe po të njëjtën ditë duke përdorur kompjuterin e tij laptop nga shtëpia e tij ka dërguar një mesazh me përmbajtje kërcënuese në adresën elektronike zyrtare të një shkolle të mesme në Shkup, për të cilin pas kontrolleve rezultoi i rremë”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Ai akuzohet për veprën penale “terrorizëm”, vepër e dënueshme në bazë të nenit 394 nga Kodi Penal, pasi e njëjta adresë elektronike është përdorur për kërcënime në disa shkolla të Shkupi përmes celularit dhe laptopit.

“U konstatua IP adresa e përdorur, pronar i së cilës është babai i të miturit, dhe në bazë të urdhëresës për bastisje në shtëpi të lëshuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup, është bërë bastisja në shtëpinë e prindit të të miturit, nga ku është konfiskuar përkohësisht telefoni celular, SIM kartela dhe kompjuteri laptop të cilat i ka përdorur i mituri”, sqaroi Policia.

Ndryshe, nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. 

Ekspertët për Portalb.mk vlerësuan se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë,  ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button