Spasovski: Ditëve të fundit, kërcënimet për “bomba” vijnë nga Irani dhe Rusia
Në ditët e fundit, kërcënimet për vendosje të bombave kanë ardhur nga posta elektronike të dërguara nga adresat në Iran dhe Rusi, ndërkaq pagesat e shërbimeve VPN janë bërë me kriptovaluta që e vështirëson gjetjen e kryerësve, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në emisionin “STUDIO 10” në “TV24”, njofton Portalb.mk.
“Punojmë në mënyrë intensive për t’i gjetur kryerësit. Disa raste janë zgjidhur. Tani kemi raste të një grupi të izoluar dhe po punohet në rastin. Nuk bëhet fjalë për kërcënime të cilat ndodhin vetëm në shtetin tonë, e njëjta ndodh edhe në vendet e rajonit. Në ditët e fundit mailet janë dërguar nga adresa në Iran dhe Rusi, ndërkaq pagesat për VPN shërbime janë kryer me kriptovaluta që e vështirëson gjetjen e kryerësve”, tha Spasovski.
Spasovksi tha se ky është një sulm intensiv hibrid i cili ndodh në tërë territorin e vendit, gjatë së cilës janë përfshirë 120 objekte dhe jo vetëm shkolla.
“Shërbimi i sigurisë në mënyrë aktive ka punuar, siguria nuk ishte e rrezikuar, por patjetër është dashur të veprohet sipas udhëzimeve. Kemi formuar ekip operativ nga institucione të ndryshme të cilët marrin pjesë me ekspertët e tyre dhe kërkojmë zgjidhje përkatëse që të gjejmë qasje më të ndryshme ndaj kërcënimeve elektronike. Unë si ministër këto ditë miratova udhëzimin e ri për veprim dhe nga e premtja shkollat funksionojnë sipas atij udhëzimi”, tha Spasovski.
Ai shtoi se udhëzimi i ri bën vlerësim të rrezikut, dhe prej tani e tutje do të ndërmerren masa, por pa e prishur procesin arsimor në shkolla.
Spasovski thotë se në një pjesë bëhet fjalë për algoritëm dhe ato janë sulme të cilët vijnë prej jashtë. Siç tha ministri, alarmet nga Maqedonia kryesisht janë nga persona të mitur, por shtoi se nuk do të zbulojë informata pasi që, po bëhen hetime.
Ndryshe, nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.
Ekspertët për Portalb.mk vlerësuan se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.