Ligjet dhe të drejtat sociale para anëtarësimit në BE
Në Gjermani nëse keni punuar më shumë se tre vite, do të merrni një pension pasi të keni mbushur moshën zyrtare të pensionimit që është 66 vjeç. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut, natë e ditë qeveritarët flasin për BE-në, saqë qytetari i zakonshëm fillon të mendojë se jemi shumë afër hyrjes në union. Mirëpo, realiteti është më ndryshe. A do të mund qeveria të bëjë më shumë të paktën për të drejtat sociale të garantura me kushtetutë dhe me kartat ndërkombëtare?
Siç dihet në Maqedoninë e Veriut përkundër shumë ligjeve dhe premtimeve të drejtat sociale të qytetarëve mbeten vetëm në letër dhe pak të realizueshme. Nga ana tjetër, shumë pak është folur dhe shkruar për ish të punësuarit në kohën e RSFJ-së dhe të ish- sistemit në Maqedoninë e Veriut, ku pas vitit 1991 ndërmarrjet shtetërore dhe shumë kapacitete tjera falimentuan, ndërsa shumë të punësuar mbetën rrugëve të pasiguruar e pa asnjë të drejtë sociale. Kur filluan transformimet politike dhe kur deputetët në parlamentin e Maqedonisë së Veriut aprovonin ligje në atë kohë, ish të punësuarit e dikurshëm të fabrikave që kishin paguar kontribute u bënë kategori e rrezikuar sociale, pasi me ligjet e reja nuk i plotësonin kushtet e pensionit dhe të ndihmës sociale. Më e keqja është se disa prej tyre që ende sot jetojnë nuk marrin kurfarë ndihme nga shteti.Vitet e kontributit janë tretur në ligjet e pa drejta të shtetit të ri demokratik.
Agjencitë e ndihmës sociale doemos duhet të shtojnë kujdesin për shtresën që e përmendëm më lartë e që nuk i plotësojnë kushtet e pensionit. Kategoria tjetër është ajo që nuk kanë të ardhurua të mjaftueshme financiare për të jetuar. Aktualisht, klasa punëtore e Maqedonisë së Veriut është e pakënaqur me rritjen e rrogës. Rritja e produkteve, e çmimit të energjisë elektrike dhe të gjitha shërbimet tjera publike, e bën këtë rritje të pabarabartë me shpenzimet mujore të një familje dhe aspak mirë për ata që varren nga ndihmat e shtetit ose nuk janë pranues të tyre prej agjencive qeveritare.
Në këto rrethana është e pamundur që një individ pa të ardhura të arrijë të paguajë kontributet shëndetësore dhe sociale. Me rëndësi është që shteti, pra qeveria të ndërhyjë dhe të kujdeset për këtë shtresë tepër të rrezikuar që ka mbetur jashtë sistemit nga padrejtësitë e transformimeve dhe nga interpretimet ligjore të viteve të fundit.Tani është koha që qeveria nga deklarimet publike të kalojë në vepra konkrete e të fillojë të ndryshojë ligjet sociale, dhe të gjithë individët që nuk kanë mundësi të punojnë për arsye të ndryshme t’i gëzojnë të drejtat, pavarësisht moshës, gjinisë, etnisë dhe fesë.
Dihet se për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, një qeveri duhet të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të ndihmës sociale dhe të pensionit. Pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund që Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit të dëshmohen si shtete që i mbrojnë të drejtat themelore të njeriut dhe të punëtorit. Kjo duhet të bëhet edhe për një arsye tjetër e më të qëndrueshme.
Një qeveri apo shtet që bën përgatitjet që nesër të bëhet pjesë e BE-së, e njëjta duhet të jetë garantuese e sigurisë sociale të të gjithëve. Kur jemi tek BE-ja dhe aspiratat e vendeve ballkanike, të drejtat e përcaktuara nga karta janë të garantuara në mënyrë të qartë dhe të përfshira në ligjet e BE-së. BE-ja i ka trajtuar në shkallë të ndryshme ligjet sociale dhe çështjet e lidhura me të drejtat sociale. Shtetet e BE-së në ligjet e tyre e kanë përfshirë të drejtën e organizimit të punës, kushtet e punës, shëndetin dhe sigurinë në punë, çështjet e sigurimeve shoqërore, luftën kundër varfërisë, mosdiskriminimin, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit etj etj. Në Maqedoni të Veriut dhe në rajon, duhet të marrin fund praktikat e këqija të mosrespektimit të ligjeve. Me hapjen dhe mbylljen e kapitujve të BE-së një shtet duhet të sillet ndryshe.
Në Maqedoni të Veriut për arsye të disa ligjeve dhe rregulloreve diskriminuese si p.sh. një individ që merr dy pensione një nga Zvicra dhe më pas ështe kthyer në vendlindje dhe është punësuar në Maqedoni, kur arrin moshën e pensionimit me automatizëm i ulet paga nga pensioni vendor me arsyetimin “se ka të adhura nga një shtet tjetër”. Një shtet që thotë se i respekton të drejtat sociale këto shkelje nuk duhet të ndodhin. Qeveria dhe deputetet duhet të veprojnë tani poqese janë me votuesit dhe me frymën evropiane.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.