Më lirë do të kushtojë autostrada Tetovë-Gostivar, më shtrenjtë ajo Gostivar-Kërçovë

Autostrada Gostivar-Kërçovë do të jetë më komplekse për t’u ndërtuar dhe do të kushtojë më së shumti nga katër projektet që konsorciumi amerikano-turk “Behtel-Enka” do t’i realizojë në vend. Për pjesën ndërmjet Gostivarit dhe fshatit Bukojçan të Kërçovës, ku do të ndërtohen 30.3 kilometra, janë planifikuar të ndahen 560 milionë euro. Kështu thanë në konferencën e djeshme ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi, transmeton Portalb.mk.

Për të përfunduar autostradën Gostivar-Kërçovë, vendi do të mbledhë mjete shtesë për ndërtimin e pjesës nga Bukojçani deri në Kërçovë, gjegjësisht 130 milionë euro shtesë për 12.7 kilometra autostradë. Megjithatë, ky seksion i tretë, i fundit i autostradës është më i thjeshti për t’u ndërtuar, pasi kalon nëpër terrene të sheshta. Ai do të ndërtohet nga një kompani që do të përzgjidhet në mënyrë shtesë në tender, jashtë kontratës së nënshkruar me “Behtel-Enka”.

Për dallim nga Gostivar-Kërçovë, e cila do të jetë më e shtrenjta për t’u ndërtuar, në konferencë u bë e ditur se autostrada Tetovë-Gostivar do të jetë më e lira për t’u ndërtuar, ku për 17 kilometra autostradë do të ndahen 125 milionë euro. Me këto fonde duhet të ndërtohet një korsi e tretë në të dy drejtimet, të rehabilitohet traseja ekzistuese dhe problem janë edhe mbikalimet mbi rrugën ekzistuese, nën të cilat tashmë ka hapësirë ​​vetëm për dy korsi në secilin drejtim. 

260 milionë euro do të ndahen për projektin e autostradës Prilep-Manastir, në krahun D të Korridorit 10, për ndërtimin e 40 kilometrave autostradë. Ndërtimi i 22 kilometrave të autostradës Trebenishtë-Strugë-Qafthan do të kushtojë 360 milionë euro shtesë. Burimet financiare që u njoftuan për autostradat u shpjegua se janë preliminare për momentin, pasi për çdo seksion do të bëhet elaborim dhe do të plotësohet dokumentacioni i projektit.

Në brifingun e djeshëm u bë e ditur se fillimisht në prill të këtij viti do të fillojë ndërtimi në linjat Tetovë – Gostivar, si dhe Prilep – Manastir.

Rustemi dhe Boçvarski njofuan se dy autostrada do të ndërtohen për katër vjet e shtatë muaj. Njëkohësisht do të ndahen edhe 238 milionë euro shtesë për shpronësimin e tokës përgjatë këtyre rrugëve. Ndryshe, nga buxheti i sivjetshëm i Ministrisë së Transportit janë planifikuar 244 milionë euro për ndërtimin e autostradave dhe po aq do të ndahen edhe në vitet e ardhshme.

Autoritetet thonë se nuk ka probleme me mbikëqyrjen

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i NP Rrugët shtetërore, Ejup Rustemi, kanë thënë sot se procedura për përzgjedhjen e mbikëqyrjes për ndërtimin e katër autostradave në vlerë prej 1.3 miliardë euro është bërë sipas rregullave ligjore. Autoritetet pretendojnë se kompanitë “Euro Consulting” dhe “Eptisa”, të cilat janë pjesë e konsorciumit të drejtuar nga “IRD Engineering”, nuk e kanë ndalesë për pjesëmarrje në tenderë.

Nga NP për Rrugë Shtetërore për kompaninë “Eptisa” thotë se ka marrë ndalesë nga shteti për angazhim në mbikëqyrje në punët e ndërtimit për shkak të sjelljes joetike dhe joprofesionale në projektin për ndërtimin e hekurudhës Kumanovë-Beljakovcë, por dhjetë javë më vonë qeveria e anuloi atë ndalesë.

Në brifing tha se asnjë nga kompanitë e përfshira në konsorciumin për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradave të korridoreve 8 dhe 10d nuk ka pasur ndalim pune, kështu që nuk mund të përjashtohet nga procedura e përzgjedhjes për mbikëqyrjen e punëve ndërtimore.

VMRO-DPMNE thotë se ka një problem

VMRO-DPMNE sot ka kërkuar që Qeveria të anulojë menjëherë tenderin për mbikëqyrje gjatë ndërtimit të autostradave në korridoret 8 dhe 10d dhe Prokuroria Publike të hapë procedurë, sepse në tri nga katër kompanitë nga konsorciumi ka pasur parregullsi dhe krime të mëdha. 

Ata akuzojnë se për kompaninë Eptisa, e cila kishte kapital kinez, është ndryshuar procedura e tenderit për të marrë pjesë dhe për të fituar tenderin. Sipas VMRO-DPMNE, Euro Consulting, në pronësi të Branimir Dimitrijeviq, ishte person i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar nga Armenia për krim në vlerë prej mbi 1.8 milionë dollarë.

Në kompaninë e tretë, Elektra Solution, ka pasur parregullsi në procedurën e tenderit dhe kapitalin rus, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Ata thonë se tenderi i parë për mbikëqyrjen e autostradave është anuluar, por pas ndërprerjes së kontratës së parë me IGH, është shpallur thirrje e re dhe gjatë periudhës së shpalljes së re Electra Solution ka paraqitur kërkesë për licencë për mbikëqyrjen e objekteve të kategorisë së parë, të cilat dhe e morën atë në mes të thirrjes publike për paraqitjen e ofertave.

“Pas marrjes së licencës së Electra Solution ndryshohen kushtet e tenderit, zgjatet afati për dorëzimin e ofertave dhe lejohen kompanitë me humbje si EPTISA dhe Electra Solution të jenë pjesë e punës. Për marrjen e licencës së mbikëqyrjes, kompania e Ampovit duhet të ketë një numër të caktuar punonjësish me përgatitje të duhur profesionale dhe për këtë qëllim një pjesë e punonjësve të Institutit për rrugë Veles, i cili është i lidhur me lidhjen ruse që nga tenderi i parë, paraqiten në Electra Solution me orar pune 10 orë në javë”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut vendosën që Korridorin 8 dhe 10 ta ndërtojnë përmes parimit “çelësi në dorë”, përkatësisht në vend të tenderimit të negociohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompaninë, e cila do të ndërtojë autostradën, përkatësisht do të marrë për sipër të hartojë studimin e fizibilitetit dhe më pas të realizojë projektin në tërësi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbrojtur qëndrimin se përmes këtij modeli do të arrihet që ndërtimi i autostradës të realizohet më shpejt dhe pa pengesa. Për këtë arsye, Qeveria propozoi miratimin e një ligji, i cili mundëson nënshkrimin e marrëveshjeve sy më sy me konsorciumin “Bechtel&Enka” për ndërtimin e këtyre dy korridoreve.

Ligji qe kontestuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, por pavarësisht kësaj, ligji u miratua nga shumica parlamentare në korrik të vitit 2021.

Më vonë Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2021, ka hedhur poshtë kërkesën e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit , me arsyetimin se ky ligj nuk kërcënon sundimin e drejtësisë dhe nuk paraqet rrezik për korrupsion.

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vetëm një nen të këtij ligji që kishte të bëjë me mundësinë që punëtorët të punojnë 60 orë brenda javës, ndërkohë që në bazë ligjeve të vendit për marrëdhënie pune punëtorët punojnë vetëm 40 orë brenda javës.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe konsorciumi “Bechtel&Enka” më 8 mars nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D, në vlerë prej 1.3 miliard eurosh. Pjesë e Korridorit 8 që duhet ndërtuar, është autostrada Tetovë-Gostivar – Kërçovë- Bokujçani -Strugë – Qafëthanë, përderisa Korridori 10-D, do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button