Petrovska dhe Ageler në stërvitjen me helikopterët Black Hawk në Krivollak: Kjo tregon partneritetin mes dy vendeve (Foto)
Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, sot vizituan terrenin ushtarak “Krivollak”, ku u krye stërvitje me helikopterët Black Hawk të forcave amerikane, të mbështetur nga pjesëtarë të Ushtrisë së RMV-së, transmeton Portalb.mk.
Ministrja Petrovska theksoi se në periudhën e kaluar poligonin Krivollak e shfrytëzojnë ushtritë e vendeve aleate dhe partnerët, gjë që tregon se çdo investim i bërë në poligon është i justifikuar.
“Së bashku me ambasadoren Ageler jemi pjesë e aktiviteteve që janë pjesë integrale e trajnimit për mbështetje ajrore me avionët Black Hawk. Vitin e kaluar në vetëm 6 muaj janë zhvilluar 10 aktivitete stërvitore shumëditore të ushtrive aleate dhe partnerëve të NATO-s dhe sigurisht që Ushtria jonë kryen aktivitetet e rregullta stërvitore disa herë gjatë muajit, por edhe stërvitjen e pjesëtarëve tanë. Aleanca është në fakt pikërisht kjo, kujdesi dhe përkrahja e njëri-tjetrit,” tha Petrovska.
Petrovska shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së, e cila siç thonë nga Ministria e Mbrojtjes shihet në shifra ku vetëm vitin e kaluar SHBA-ja e ka mbështetur mbrojtjen e Maqedonisë me 137 milionë dollarë, të dedikuara për projekte për modernizimin dhe pajisjen e Armatës.
Ambasadorja amerikane Angela Ageler nënvizoi se Krivollaku është terren stërvitor i nivelit botëror që ofron kushte të shkëlqyera trajnimi dhe se ky lloj trajnimi gjithashtu tregon dhe konfirmon fuqinë e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet SHBA-ve dhe RMV-së.
“Helikopterët e sotëm Black Hawk ishin F-18 javën e kaluar. Çdo ditë ne punojmë së bashku dhe zhvillojmë mënyra të reja për të bashkëpunuar, zhvilluar ndërveprueshmërinë dhe forcuar sigurinë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë në zhvillimin e këtij poligoni në mënyrë që së bashku me aleatët të realizojmë edhe më shumë stërvitje dhe trajnime”, tha Ageler.
Stërvitja për mbështetje ajrore me avionë të forcave të SHBA-së kryhet në periudhën prej 5 deri më 11 mars dhe përfshin dy helikopterë amerikanë Black Hawk.