Opozita në Shqipëri me protestë kombëtare para Kryeministrisë

Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike protestoi para Kryeministrisë. Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për keqqeverisje dhe tha se qëllimi i revolucionit është përmbysja e monizmit, raporton Klan. Protesta nisi në orën 12:00 dhe përfundoi rreth orës 13:55.

Për afro dy orë, opozita protestoi paqësisht në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit” duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Ndonëse ky tubim përkonte me vendimin e Gjykatës së Apelit për të ardhmen e Partisë Demokratike, Sali Berisha e bëri të qartë se qëllimi ishte kryeministri.

“Ai kërkon të asgjesojë Partinë Demokratike. Mendon dhe beson se do ta përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama do të të përjashtojmë nga Shqipëria. Ne jemi këtu, sa të jetë toka. Çka vjen prej Zotit mirë se ardhtë.”

Akuzat ndaj tij i vijoi jo vetëm për çështjen McGonigal dhe atë të inceneratorëve, por edhe për shpopullimin e vendit.

“Është plaçkitësi më i madh në historinë e vendit. Shqiptarë, në 8 vite u pakësuan me rreth 1 milionë banorë. Me këto ritme Edi Rama synon që pas 16 vitesh të ketë ndërtesa bosh, të ketë kampe refugjatësh, çerdhe trafikantësh, por jo shqiptarë të vërtetë”.

Nuk hezitoi ta cilësojë si armikun më të egër të vendit duke i kujtuar se për të nuk ka kthim pas nga revolucioni i nisur me shqiptarët.

“Ne jemi këtu për t’u betuar se revolucioni ynë do ta fshijë nga faqja e dheut, cilindo që guxon të luajë me pluralizmin në Shqipëri, me lirinë e shqiptarëve”, tha ai.

Në këtë mision kërkoi bashkimin e shqiptarëve pavarësisht bindjeve politike si dhe të zhgënjyerve nga klasa politike në këto tre dekada.

“Historia na mëson se sa herë që shqiptarët janë bashkuar, kanë bërë mrekullitë e tyre. Le të bëjmë dhe ne, mrekullinë tonë. Të shndërrojmë vitin 2023në vitin e mrekullisë shqiptare”.

Me fjalën e Berishës u mbyll edhe protesta e opozitës, por nga selia blu i pyetur për vendimin e Gjykatës së Apelit, Berisha u tregua i kujdesshëm në komentet e tij.

“Nuk kam ndërmend të bëj asnjë diskutim paraprak për gjykatën. Këto i kemi me Ramën dhe aty ishim për Ramën e jo për gjykatën”.

Ndonëse Sali Berisha nuk foli për një datë për protestën e radhës ai tha se revolucioni i nisur me qytetarët nuk do ndalet deri në përmbushjen e misionit të tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button