Harvey Weinstein lutej për mëshirë, por mori edhe 16 vjet burg për përdhunim
Dikur producent më i fuqishëm i Hollivudit, Harvey Weinstein, lutej për mëshirë përpara një gjykate në Los Anxhelos, që e dënoi atë me dënim të ri prej 16-vjetësh për përdhunim. Ai u akuzua për sulmin ndaj një aktoreje në një dhomë hoteli gjatë një festivali filmi në Los Anxhelos në shkurt 2013, transmeton Portalb.mk.
“Ju lutem mos më dënoni me burgim të përjetshëm. Unë nuk e meritoj këtë”, tha Weinstein në gjykatë.
Më shumë se 80 gra kanë akuzuar Weinstein për përdhunim dhe ngacmim seksual, që datojnë nga fundi i viteve 1970. Shtatëdhjetë vjeçari Weinstein po vuan tashmë një dënim me 23 vjet burg, me të cilin ishte dënuar më herët në Nju Jork.
Para vendimit përfundimtar, Weinstein pohoi se ai ishte i pafajshëm dhe viktimë e një organizimi. Më 19 dhjetor, një juri e shpalli atë fajtor për një akuzë për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një aktoreje, identiteti i së cilës është fshehur.
Ajo tha se është ndjerë e traumatizuar për shumë vite pas sulmit.
“Para asaj nate isha një grua shumë e lumtur dhe e sigurt. Gjithçka ndryshoi pasi ai më sulmoi brutalisht. Nuk ka një dënim me burg që do të zhbënte dëmin”, tha aktorja.