Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e ministrave të rinj vazhdon të hënën

Kuvendi të hënën do ta vazhdojë debatin për seancën e 104-të për Propozimin për zgjedhje të anëtarëve të Qeverisë. Deputetët vazhduan me punë edhe dje pas orës 18, ndërsa pas disa replikave kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ndërpreu seancën. Për shkak të festave vijuese, ai paralajmëroi se Kuvendi do të vazhdojë me punë për këtë seancë të hënën, njofton Portalb.

Edhe një tjetër vazhdim maratonik të seancës parlamentare për rindërtimin e Qeverisë kishin të enjten deputetët në Kuvend. Debati për zgjedhjen e ministrave ka zgjatur thuajse deri në orën 02:00 pasmesnate.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski në diskutimin në mbledhjen e djeshme të Kuvendit theksoi se kandidati i propozuar për ministër të ri të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti duhet t’i sqarojë opinionit se “si nga një barakë modeste për momentin po ndërton një haciendë të madhe prej 336 metrave katrorë” në lagjen elitare të Shkupit – taftalixhe, si fqinj i parë i Arben Taravarit. Nikollovski tregoi edhe fotografi dhe i bëri thirrje Mexhitit t’i sqarojë opinionit, si nga të gjitha lokacionet në qytetin e Shkupit ka zgjedhur lokacion mu përballë “shtëpisë së dhuruar mikut të tij dhe kryetarit të partisë Arben Taravari“.

Nikollovski shprehi keqardhje, për shkak se, siç tha, kryetari i Qeverisë nuk është këtu për “t’u përgjigjur se si është e mundur që hacienda të këtilla të ngriten në lagjen më elitare të Shkupit dhe njerëz të tillë të propozojë për ministra”.

Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, lidhur me akuzat kundër partisë së tij se kanë qenë të gënjyer kur kanë hyrë në koalicion me LSDM-në, replikoi se nuk beson se kanë qenë të gënjyer, sepse, siç tha, vetë i kanë sjellë vendimet e tyre.

Në replikë të fjalimit të Zendelit, deputetja e LSDM-së, Maria Georgievska theksoi se rreth dhjetë ditë në këtë Kuvend procesi për ndryshim të Qeverisë po vulgarizohet deri në pafundësi.

Lidhur me akuzat e VMRO-DPMNE-së se të gjithë nga pushteti janë kriminelë, Georgievska potencoi se për krim thërret “partinë më të korruptuar politike”, “400 funksionarë të së cilës apo bartës të funksioneve” janë të involvuar në veprime kriminele.

Halil Snopçe, deputet i Aleancës për shqiptarët tha se viti 2023 do të jetë vit i vështirë për vendin dhe duhet të sillen ndryshimet kushtetuese sepse, siç tha, nëse nuk e shfrytëzojmë mundësinë, ndoshta me dekada të mos bëhemi anëtare e BE-së.

Duke iu drejtuar Zendelit, Snopçe theksoi se sot kur vendi pret t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE dhe t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, ai flet për rrënim të BDI-së.

Ministrat e rinj që do të zgjidhen janë: Krenar Lloga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë; Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë; Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës; dhe Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në fillim të debatit, kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkoi besimin e deputetëve në mënyrë që, siç tha, të formohet një Qeveri më e qëndrueshme, më e suksesshme, më efikase dhe më e fokusuar.

“Për mua politika nuk është matematikë. Politika, nëse bazohet në vlera, në parime, në besim, në përgjegjësi, do të thotë shumë më tepër se një grup deputetësh dhe një grup e numër ministrash. Që në fillim thashë se nuk do t’i ndaj njerëzit në baza gjinore, etnike, fetare apo partiake! Për mua, ose një njeri është kompetent, punëtor, i ndershëm dhe i përgjegjshëm, ose nuk është. Duhet matur, vlerësuar dhe zgjedhur! Propozimi i sotëm është rindërtim, rikonfigurim i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut! Nuk është propozim partish, nuk është propozim etnish, nuk është propozim individësh. Është një propozim për të gjithë. Nuk flas dhe nuk do të flas për thyesat, për decimale, për balanca. Sepse në fund numërohen dhe maten rezultatet dhe sukseset. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha Kovaçevski.

Deputetët e opozitës VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, vlerësuan se ministrat e rinj nuk do të sjellin asgjë të re, ndërsa me partnerin e ri të koalicionit në Qeveri – Aleanca për Shqiptarët, thonë se mandati i kryeministrit Kovaçevski vetëm për shkurt kohë do të zgjatet.

“Me këtë rikonstruim, Dimitar Kovaçevski vetëm për një kohë e ka zgjatur mandatin e tij në kolltukun e kryeministrit dhe lejon të realizohen krimet që ka nisur qeveria shumë kohë më parë. Siç tha ministri paraprak i Drejtësisë Tupançevski, Kovaçevski ka bërë tregtimin e ministrive të drejtësisë, shëndetësisë, administratës, vendet zëvendësministrore për bujqësi dhe mbrojtje në Pazar 3, që u zhvillua në hapësirat e Ilindenskas”, tha deputetja Ane Lashkoska nga VMRO-DPMNE.

Para se të niste debati për zgjedhjen e ministrave të rinj, deputetët diskutuan për 10 ditë për shkarkimin e kuadrit të Alternativës, e cila vendosi të kalojë në opozitë. Të premten rreth mesditës është mbajtur votimi për shkarkim, me të cilin ministrat paraprak të Shëndetësisë – Bekim Sali, për shoqëri informatike dhe administratë – Admirim Aliti dhe ministri pa resor i ngarkuar me diasporën – Xhemail Çupi u larguan nga postet ministrore.

Pas mesnatës ka zgjatur edhe vazhdimi i fundit i debatit për shkarkimin e tre ministrave.

Pasi të shterohet debati për propozimin për ministrat e rinj dhe të zgjidhen ata, deputetët do të duhet të vazhdojnë me debatin për shkarkimin e tre zëvendësministrave, dy prej të cilëve kuadro të Alternativës: Abdulshukur Abedini – për Bujqësi dhe Lulzim Aliu – për arsimin dhe shkencën. I treti është deputeti për mbrojtje – Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Si pikë e fundit e kësaj seance është emërimi i deputetëve që do të plotësojnë postet e tyre. Sipas propozimit, Agim Nuhiu, i cili para se të ishte zëvendës në Drejtësi, ishte edhe në MPB, sërish do të ulet në kolltuk funksionari, por si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Propozimet e tjera për zëvendësministra janë: Tiron Jajaga (Aleanca) – zëvendësministre e Mbrojtjes; Vjollca Berisha (Aleanca) – zëvendësministre e Bujqësisë; Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – zëvendësministre e Drejtësisë; dhe Maja Manoleva (LSDM) – zëvendësministre e Shëndetësisë.

Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ngushtoi vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button