U shkarkuan ministrat e Alternativës, tashmë dihet se sa deputetë ka shumica qeverisëse

Deputetët shkarkuan ministrat e Alternativës, me çka publiku më në fund mësoi se sa deputetë ka shumica. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali u shkarkua me 65 vota “pro”, ndërsa dy ministrat e tjerë me 64 vota “pro”. Skender Rexhepi është i vetmi deputet nga shumica qeverisëse që nuk e ka përkrahur shkarkimin e Admirim Alitit nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Xhemail Çupit, ministër pa resor përgjegjës për diasporën. Megjithatë, Skënder Rexhepi është deputet i pavarur i cili vitin e kaluar u largua nga grupi parlamentar i Alternativës dhe do të mbështesë shumicën qeverisëse në Shtëpinë ligjvënëse, transmeton Portalb.mk.

Seanca për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Qeverisë filloi dhjetë ditë më parë, më 13 shkurt. Në rendin e ditës janë katër pika, ndërsa shkarkimi i tre ministrave është vetëm pika e parë. Kjo do të thotë se ende do të diskutohet dhe votohet zgjedhja e anëtarëve të rinj të qeverisë, e cila është pika e dytë e rendit të ditës. Me zgjedhjen e ministrave të rinj duhet të plotësohen pozitat e Salit dhe Alitit, si dhe të ish-ministrit të Drejtësisë, Nikola Tupançeski dhe të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini. Për shkarkimin e Tupançeskit dhe Nuredinit nuk është diskutuar për shkak se ata kanë dorëzuar dorëheqje si rezultat i marrëveshjes për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri dhe rishpërndarjen e resorëve, kështu që Kuvendi vetëm konfirmoi dorëheqjet e tyre. Ministrat e rinj që do të zgjidhen në vend të tyre janë: Krenar Lloga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë; Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë; Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës; dhe Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ka ngushtuar vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë tjerë të qeverisë duhet të zgjidhen:

Tiron Jajaga (Aleanca) – Zëvendësministër i Mbrojtjes;
Vjollca Berisha (Aleanca) – Zëvendësministre e Bujqësisë;
Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – Zëvendësministre e Drejtësisë;
Maja Manoleva (LSDM) – Zëvendësministre e Shëndetësisë;
Agim Nuhiu (BDI) – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button