Saga juridike e faljeve presidenciale

Javën e kaluar u shpall Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Taleski dhe të tjerë kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut. Plot gjashtë vjet u deshën që të sillet ky vendim i rëndësishëm lidhur me njërin ndër rastet më kontroverse në botë lidhur me institutin e faljes presidenciale.

Gjykata e Strasburgut solli vendim për palejueshmërinë e ankesës së aplikantëve me arsyetimin se nuk janë shterur mjetet juridike të gjykatave vendase dhe se ankesa në fakt është dërguar para kohe në Gjykatën e Strasburgut. Ky vendim pra nuk është një aktgjykim meritor pasi që gjykata nuk lëshohet në vlerësimin material të ankesës dhe nuk mer vendim se janë shkelur apo jo të drejtat e aplikantëve. Bëhet fjalë për një vendim formal ku ankesa shpallet e palejueshme për shkaqe procedurale, pra për shkak se nuk janë shterur mjetet juridike vendase. Sipas vlerësimit të Gjykatës, ankesa e aplikantëve është e parakohshme, dhe ata është dashur paraprakisht të presin përfundimin e të gjitha procedurave penale vendase deri në shkallën e fundit, ashtu që aktgjykimet në ato raste të bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme, dhe më pas ti shfrytëzojnë edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike në dispozicion. Kjo do të thotë që për rastet konkrete të ish Prokurorisë Speciale, palët duhet të presin përfundimin e procedurës penale para gjykatave të apelit, me çka aktgjykimet bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme. Në praktikën e vetë, Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar që përveç mjeteve të zakonshme juridike (ankesa ndaj aktgjykimit të shkallës së parë dhe ankesa ndaj aktgjykimit të shkallës së dytë kur është e aplikueshme), nevojitet që palët të kenë shfrytëzuar edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike (Kërkesa për rishikim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm dhe eventualisht Kërkesa për Mbrojtje të Ligjshmërisë kur është e aplikueshme), në mënyrë që të konsiderohet se janë shterur të gjitha mjetet juridike vendase.

Me fjalë më të thjeshta, i bie që të akuzuarit dhe të dënuarit e rasteve të Prokurorisë Speciale mbeten edhe më tej në vendet e tyre. Dikush në burg, dikush ende në liri, e dikush i arratisur apo siç u pëlqen të arratisurve të shprehen, në egzil. Të gjithë ata kishin shpresa të mëdha se Gjykata e Strasburgut do ti aprovojë ankesat e tyre në bazë të argumenteve formale juridike dhe në bazë të praktikës gjyqësore ku vërehen edhe raste të tilla si Lexa kundër Sllovakisë, ku ka pasur një rast të ngjashëm me tërheqjen e faljes së dhënë presidenciale. Por në atë rast nuk ka pasur problem juridik të tillë si në rastin tonë, kur Ivanov dha falje presidenciale në bazë të një neni që ishte fshirë dhe nuk ekzistonte më. Pra për të akuzuarit dhe të dënuarit e rasteve të ish Prokurorisë Speaciale, nuk ka ende asgjë të re nga Perëndimi, dhe ata vazhdojnë të jenë aty ku janë.

Nga ana tjetër, ky vendim formal i Gjykatës së Strasburgut nuk e zgjidh në mënyrë meritore çështjen e hapur juridike, edhe pas shtatë vitesh të gjata pritje. Normalisht, në një rast të tillë të komplikuar Gjykatës i është dashur kohë e gjatë për ti analizuar të gjitha faktet dhe për të sjellur këtë vendim. Për më tepër, gjykata nuk ka konsideruar që kjo është një çështje me prioritet për shkak se nuk bëhet fjalë për të drejtën e jetës së dikujt ose për të drejtën e mbrojtjes nga tortura, prandaj edhe e ka shqyrtuar rastin atëherë kur ka ardhur në rend dite. Për ne duket kohë e gjatë, por ky është funksionimi normal i Gjykatës së Strasburgut. Për më tepër, Gjykata ka lënë mundësinë që t’i rikthehet këtij gjykimi, kur të jenë pjekur kushtet për këtë. Kjo do të thotë se pasi të kenë mbaruar të gjitha procedurat vendase, aplikantët kanë të drejtë që sërish të ankohen te Gjykata e Strasburgut, me të njejtat baza të ankesës, dhe atëherë, Gjykata pëfundimisht do të mund të sjellë një aktgjykim meritor dhe përfundimtar lidhur me këtë çështje.

Në aspekt juridik dhe shkencor, do të jetë shumë me rëndësi të shihet interpretimi meritor i Gjykatës së Strasburgut për këtë çështje komplekse juridike. Do të shkruhen shumë punime shkencore e shumë analiza profesionale lidhur me këtë. Pra saga vazhdon dhe të akuzuarit e të dënuarit nuk i humbin shpresat. Por ky do të jetë një proces mjaft i gjatë, dhe në ndërkohë do të kalojnë edhe disa vjet , kështu që, deri atëherë, shumë nga të akuzuarit ose të dënuarit ndoshta edhe do të kenë përfunduar me vuajtjen e dënimit të tyre, kështu që nuk jam e sigurtë sa do të jenë të motivuar për të vazhduar këtë procedurë juridike, edhe përtej interesit shumë të madh dhe kuriozitetit se si do të jetë fundi i kësaj sage.

Afër tetë vjet pas 12 Prillit të vitit 2016 saga e faljeve presidenciale të Ivanovit vazhdon, në të gjitha qarqet juridike vendase dhe ndërkombëtare. Këtë situatë populli moti e ka përcaktuar në fjalën e urtë popullore: “Një i marrë hedh një gur në ujë, njëqind të urtë nuk e nxjerrin dot”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button