Tenderi për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup ka përfunduar pa vërejtje, por Arsovska nuk e nënshkruan kontratën dhe nuk tregon pse
E gjithë procedura për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup ka përfunduar, por kryetarja Danela Arsovska nuk dëshiron të nënshkruajë kontratën. Me këtë, ky projekt kapital për Shkupin i financuar nga paratë evropiane qëndron në vend numëro. Projekti për ndërtimin e impiantit të trajtimit kushton 137 milionë euro, i cili është siguruar me kredi nga Banka Evropiane e Investimeve. As Arsovska dhe u.d drejtori i ri i NP i “Ujësjellësit dhe kanalizimit” Dragan Ilievski, nën autoritetin e të cilit është projekti, nuk thotë pse nuk nënshkruhet tenderi dhe pse po e frenojnë këtë projekt të rëndësishëm për qytetin. Ata me muaj të tërë i injorojnë të gjitha pyetjet lidhur me këtë temë nga gazetarët dhe nga këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Burime të Sdk.mk të njohur me projektin thonë se askush nuk e kupton pse nuk nënshkruhet kontrata, kur për të gjithë procedurën që zgjat 3 vjet dhe është kryer sipas rregullave të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), nuk ka pasur asnjë vërejtje apo ankesë. Ata thonë se ka përfunduar tenderi për përzgjedhjen e mbikëqyrjes dhe tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë impiantin e trajtimit. Për dy proceset nuk ka pasur komente apo ankesa, por kontratat nuk janë nënshkruar nga drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Ilievski. Ilievski dhe Arsovska nuk u përgjigjen letrave të Bankës Evropiane se pse po vonohet tenderi.
“Përzgjedhja e kompanisë mbikëqyrëse ka përfunduar para disa muajsh. Madje, kontratën e ka nënshkruar mbikëqyrësi një muaj më parë, por drejtori nuk e ka nënshkruar. Ka përfunduar edhe procedura për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë impiantin e trajtimit. Shkresa se është bërë përzgjedhja është dorëzuar nga Banka Evropiane e Investimeve dhe pritet vetëm miratimi i drejtorit për të vijuar me nënshkrimin e kontratës. Por këtu jemi të gjithë në pritje dhe nuk e dimë pse po presim. Ky është një projekt i madh dhe mjaft i rëndësishëm për vendin. Nuk e zbaton vetëm ndërmarrja, por edhe njerëz nga banka që e financojnë”, thonë burime të Sdk.mk.
Për këtë projekt, vendi ka marrë një grant prej 70 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Burimete Sdk-së komentojnë se kjo sjellje e kryetares Arsovska dhe drejtorit Ilievski mund ta vë në pikëpyetje dhe rrezik grantin e dhënë.
Edhe ish-ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini e ka thirrur Arsovskën para dy muajsh që të nënshkruajë marrëveshjen dhe të mos e vonojë procesin, sepse nga ky projekt varet edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në klasterin e negociatave për mjedisin jetësor, një nga çështjet kyçe është nëse kryeqyteti ka impiant për trajtimin e ujërave të zeza.
“Nga Banka thonë se nuk ka asnjë kundërshtim dhe asgjë të diskutueshme në zbatimin e procedurës. Vlerësimi i ofertave ka përfunduar dhe tani pritet raporti përfundimtar, mbi bazën e të cilit do të duhet të zgjidhet një firmë. Nëse kryetarja Danela Arsovska anulon tenderin, do të humbasin së paku tre vjet”, tha Nuredini nëntorin e vitit të kaluar.
Për këtë temë kryetarja Arsovska u pyet edhe në seancën e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, e cila u mbajt 10 ditë më parë. Këshilltari Nikolla Panovski e pyeti Arsovskën se pse nuk ka informacion për këtë projekt dhe nëse do të paguajmë gjoba për të si dhe për sistemin Bass Rapid Transit (BRT) sepse qyteti nuk e ka zbatuar, por nuk mori përgjigje nga Arsovska. .
Sdk.mk në disa raste kërkoi takim me Arsovskën për të diskutuar disa tema, duke përfshirë edhe impiantin e trajtimit, por për kërkesën e tyre nuk morën përgjigje. Nuk u përgjigjet telefonatave dhe mesazheve me të cilat kërkohet takim dhe në konferencat e rralla për shtyp që del kur kërkojnë takim, thotë ‘do të merremi vesh’ dhe largohet.
Përgjigje se pse nuk nënshkruhet marrëveshje Sdk kërkoi edhe nga u.d drejtor i “Ujësjellësit” Dragan Ilievski. As ai nuk iu përgjigj telefonatave apo mesazheve ku kërkohet deklaratë në lidhje me këtë projekt kapital për qytetin.
Për projektin e impiniatit Arsovska u zu me VMRO-DPMNE-në pasi e kishte shkarkuar drejtorin Zlatko Perinski në shtator të vitit të kaluar, duke e akuzuar atë se e kishte kapur me “duar në mjaltë”. Për akuza të tilla ndaj Arsovskës deri më tani nuk ka procedurë.
Procedura për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza filloi në dhjetor të vitit 2019 kur kryetar i Shkupit ishte Petre Shilegov, ndërsa drejtor i “Ujësjellës kanalizime” ishte Dushko Veskovski. Tenderi u shpall në qershor të vitit 2020 dhe më pas u tha se në vitin 2025 Shkupi do të marrë impiantin për pastrim, i cili do të zgjidhë përgjithmonë problemin e ujërave të zeza nga i cili “vuan” më shumë lumi Vardar.
Impianti për trajtimin e ujërave të zeza do të shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, në komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar, në zonën e Trubarevës dhe do të ketë kapacitet për 500.000 banorë.