Mbreti pa kurorë që ligjëroi për virtytin

Legjenda thotë se ditën kur lindi Konfuçi (551 p.e.s. –  479 p.e.s.) u dëgjua një këngë qiellore, si kumt për lindjen e shenjtit. Mjeshtri autodidakt, i vlerësuar si simboli i kulturës tradicionale kineze, që hante sa për të thënë, që s’pranonte shërbëtorë, e kërkoi dhe e përhapi dijen nëpër vise të ndryshme.

Konfuçi ishte idealizuar e hyjnizuar, por edhe ishte mohuar e keqinterpretuar. Mao Ce Duni e shpalli konfuçianizmin si lëvizje kundërrevolucionare, kurse tempujt kushtuar filozofit u plaçkitën dhe u shkatërruan.

Konfuçi mohoi se ishte një krijues. Ai vetëquhej transmetues i dijeve të të parëve dhe i një filozofie etike në shërbim të popullit. Kështu, përveçse njeri i mendimit, ai ishte edhe njeri i veprimit.

Duke jetuar në kohë kaotike dhe të dhunshme, ai e synonte rivendosjen e paqes, harmonisë dhe rendit, që mund të bëhej nëpërmjet respektimit të hierarkisë dhe raporteve të ekuilibruara ndërnjerëzore.

Analektet e tij (të plotësuara e të ndryshuara nga interpretues të mëvonshëm) janë themeli i konfuçianizmit. (Konfuçi, Mësimi i madh, Udha e mesme dhe Analektet, Kultura, Shkup, 1994.)

Konfuçianizmi është doktrinë për të jetuar nëpërmjet virtytit. Bazohet në etikën personale dhe e promovon harmoninë, rregullin, kërkimin e paqes, prosperitetin, përsosmërinë etike dhe vetë-realizimin. Përveç dimensionit fetar e filozofik e ka dimension etik, metafizik, estetik dhe socio – politik.

Konfuçi krijoi një shkollë me pasues të vetëpërzgjedhur. Në predikime mbështetej te rituali, historia, poezia dhe muzika. Pasuesit i sugjerohej që për çdo ditë t’i përsoste dijet dhe ta mësonte Mësimin e Madh.

Mësimi i Madh nënkupton ripërtëritjen e çdoditshme, duke bërë më shumë se sa mundemi, duke e kërkuar pandërprerë të virtytshmen, duke e ditur çka është e para dhe çka është e fundit.

Si mësues Konfuçi nuk ishte autoritar, kokëfortë dhe egoist.

“Mësuesi ishte i çliruar plotësisht prej katër gjërave: s’nxirrte përfundime të shumta, s’krijonte rregulla të tepruara, s’ishte kokëfortë dhe s’ishte egoist.”

Ai nuk mëtonte që pasuesit të bëheshin kopje e tij. S’i trajtonte si mjete, por si subjekte. Pasuesit duhej ta kërkonin dijen dhe jo vetëm të mbështeteshin në mësimet e Mjeshtrit. Shpesh u parashtronte pyetje, që duhej t’u përgjigjeshin pasuesit.

“Unë s’ia tregoj të vërtetën atij që s’ka dëshirë për dije; as s’e ndihmoj atë që s’ndjen nevojë ta zbulojë veten. Kur ndonjërit ia zbuloj një kënd gjësendi dhe s’arrin të mësojë për tri anët tjera, atëherë s’ia përsëris mësimin”.

Pasuesi mund të bëhej mjeshtër jo duke dëgjuar, por duke e kërkuar dijen.

“Nëse njeriu e ruan dijen e tij dhe pasurohet prore me dije të reja, atëherë mund të bëhet mësues i të tjerëve”.

Konfuçi bazohej shumë në “xhin” (që e përkthente si: “Duaje njeriun”). Etika e tij bazohet në virtyt, dashuri, zemërgjerësi, njeridashje, drejtësi, përshtatshmëri, urtësi dhe besim.

Qëllimi i mësimit konfuçian është krijimi i njeriut të virtytshëm. Ideali i njeriut të virtytshëm është të bëhet njeri i përsosur, superior ose chun-tzu.

Mjeshtri, që “nuk këndonte në ditën kur qante”, u kërkonte pasuesve edhe kurajë publike.

“Të shohësh çka është e drejtë dhe të mos e bësh, kjo është mungesë kuraje”.  

Ai i porosiste pasuesit që mos t’i refuzonin postet publike, sepse kështu mund të bëheshin të dobishëm për shtetin dhe shoqërinë. Vetë s’i pëlqeu postet. Mendonte se i mungonte autoriteti për një post. I kishte të largëta vlerat konvencionale mbi pasurinë dhe pozitën shoqërore. I dha rëndësi përfitimit të brendshëm.

Filozofia e Konfuçit, sipas Mark Csikszentmihalyi-t, predikon përsosjen e moralit personal e shtetëror. Predikimet e tij janë quajtur “etikë e virtytit”. Filozofia e tij mbështetet në: (1) psikologjinë e ritualit, që i përshkruan format ideale shoqërore që e formojnë individin; (2) në etikën e rrënjosur për kultivimin e një sërë virtytesh personale dhe (3) në teorinë e shoqërisë dhe politikës që bazohet në pikëpamjet normative mbi familjen dhe shtetin.

Njeriu është në qendër të filozofisë konfuçiane. Ai s’mund të barazohet me asgjë materiale. Pa njeriun gjithçka është e pavlerë. Njeriu duhej të jetë i drejtë, besnik, korrekt dhe i sinqertë me vetveten, familjen dhe shtetin. Njeriun e bën virtyti. Ai “pastrohet” nëpërmjet virtytit dhe duke e ndjekur shembullin e modeleve morale. Njeriu i virtytshëm i shmanget dhunës, pakujdesisë, të ulëtës e të pahijshmes. Çdo veprim e bën në përputhje me ndërgjegjen dhe moralin dhe jo nga detyrimi apo përfitimi. Njeriu i virtytshëm nuk frikësohet t’i përmirësojë gabimet. E kërkon atë që do edhe sikur mos ta gjejë kurrë. Në çdo punë ai e gjen lumturinë.

Mësimet e Konfuçit janë ftesë për rrojtje në harmoni. Njerëzit e arrijnë harmoninë kur kujdesen edhe për tjetrin. Në këtë predikim ka ngjashmëri me mësimet e librave tjerë të shenjtë. Konfuçi tha: “Atë që nuk ia dëshirojmë vetes, mos ua bëjmë të tjerëve”.

Konfuçi thotë se njeriu i thjeshtë, ndryshe nga njeriu i lartësuar dhe i virtytshëm, ka mundësi të kufizuara intelektuale. Pasi s’e kupton të mirën dhe të drejtën i duhet përkujdesja prindërore e sundimtarit.

Njeriut, sipas mësimit konfuçian, s’i mjaftojnë vetëm aftësitë e lindura, por edhe përpjekja e përhershme për aftësim e vetëpërsosje. Kur njeriu lartësohet, atëherë është i kënaqur dhe i duruar, ndryshe nga njeriu i keq që përherë është i shqetësuar.

Njeriu i virtytshëm jeton vetëm për qëllime të epërme. Atij asgjë s’ia cenon lumturinë. As varfëria.

Njeriu bëhet i virtytshëm dhe e gjen rrugën e vërtetë vetëm duke e kultivuar dijen.

“Kush e gjen rrugën e vërtetë në ag, vdes në mbrëmje pa asnjë ankesë”.

Njeriu i virtytshëm është “i ngadalshëm në të folur dhe serioz në sjellje”. Është i kujdesshëm, prandaj “rrallë gabon”. Ai është i shumanshëm dhe nuk është luftëtar apo ithtar i dikujt. Njeriu i keq, ndërkaq, është luftëtar, por nuk është njeri i shumanshëm.

Njeriu me virtytet e përkryera e përsos veten dhe të tjerët. E bën gjënë e duhur në kohën e duhur. Është shembull dhe autoritet moral për të tjerët.

Për Konfuçin edhe qeverisja e mirë fillon nga njeriu.

“Në kohën e lashtë, ata që donin ta bënin mbretërinë vend virtyti, së pari krijuan rend në shtet. Për krijimin e rendit në shtet, e krijuan rendin në familje. Duke dashur t’i bënin të virtytshëm anëtarët e familjes, i pastruan zemrat e tyre. Duke dashur t’i pastrojnë zemrat, deshën të kenë mendime të qarta. Duke dashur të kenë mendime të qarta, aq sa mundën, i zgjeruan dijet. Zgjerimi i dijeve u mbështet në hulumtimin e gjërave. Me hulumtimin e gjërave, dija bëhet e plotë. Me dijen e plotë mendimet bëhen të qarta. Kur mendimet bëhen të qarta, atëherë zemrat pastrohen. Kur zemrat pastrohen, personaliteti bëhet i virtytshëm. Personaliteti i virtytshëm krijon rend në familje. Kur vëmë rend në familje, shtetet udhëhiqen me drejtësi. Kur shtetet udhëhiqen me drejtësi e gjithë mbretëria rron në paqe e lumturi. Të gjithë, nga i Biri i Qiellit dhe deri te masa e njerëzve duhet ta kuptojnë se personaliteti i virtytshëm është rrënja prej ku lind gjithçka. Nëse shpërfillet rrënja bëhet e pamundur prej saj të burojë rendi i mirë. S’ka ndodhur kurrë të shpërfillet ajo që ka rëndësi të veçantë e të kultivohet ajo që është më pak e rëndësishme”…

Pesë sjelljet e njeriut të virtytshëm, sipas tij, janë: dashamirësia (ren); drejtësia (yi); përshtatshmëria (li); mençuria (zhi) dhe besueshmëria (xin).

Virtyti i dashamirësisë  – është kujdesi për të tjerët. Njeriu duhet të ndërveprojë me të tjerët duke u udhëhequr nga e mira.

Virtyti i drejtësisë  – është përgjegjësia publike që njeriun e mban të pa korruptuar. Njeriu, me këtë virtyt, mendon për drejtësinë kur përballet me përfitimin.

“Përkrahe të drejtën dhe flake padrejtësinë që ta fitosh respektin e njerëzve. Përkrahe të padrejtën dhe flake drejtësinë dhe njerëzit kurrë s’të përkulen”.

Virtyti i përshtatshmërisë me ritualin – e nënkupton lidhjen me traditën. Gjithçka duhet ta bëjmë në përputhje me ritualin (traditën), që luan rol kryesor në krijimin e virtytit. Nëpërmjet ritualeve formohen vlerat dhe virtytet, si dhe kufizohen dëshirat e liga të njeriut.

Virtyti i mençurisë – e nënkupton aftësinë për t’i vlerësuar njerëzit e situatat. Nëpërmjet mençurisë e dallojmë sjelljen e drejtë nga sjellja e shtrembët. I njohim të tjerët dhe e bëjmë përzgjedhjen e tyre. Me mençuri i bëjmë veprimet e duhura.

Virtyti i besueshmërisë – e nënkupton të drejtën e zotërisë për ta kritikuar sundimtarin. Kur ai nuk është i besueshëm, atëherë njerëzit do të besojnë se ai i shfrytëzon.

“Nëse njerëzit nuk e gjejnë sundimtarin e besueshëm, shteti është i paqëndrueshëm”.

Konfuçi përmend edhe virtyte tjera, siç janë: besnikëria (zhong) – që e nënkupton sjelljen e duhur të ministrit ndaj sundimtarit; guximi (yong) – forcën që e shtyn njeriun të veprojë pasi ta kuptojë se ku qëndron drejtësia dhe mirësia (de) që i mundësojnë njeriut dhe sundimtarit të përsoset nëpërmjet mirësisë dhe përkujdesjes për të tjerët.

Për Konfuçin, transformimi moral i shoqërisë mbështetet në shembullin pozitiv të sundimtarit. Sundimtari shembullor bëhet model për njerëzit. Ata pastaj veprojnë sipas bindjes morale dhe jo sipas detyrimit. Sundimtari i mirë nuk imponon gjëra që vetë s’i pranon dhe s’i pëlqen…

Familja për Konfuçin është gurthemeli i shoqërisë. Devotshmëria personale e familjare ndikojnë në devotshmërinë shoqërore. Kjo qasje është quajtur filozofia sociale dhe politike e Konfuçit.

Mjeshtri predikonte se fëmijët duhej të tregonin respekt ndaj prindërve. Kur njeriu sillet mirë me prindërit, vëllezërit dhe motrat, atëherë ai rrallë e çrregullon shoqërinë dhe shtetin. Çdo marrëdhënie njerëzore për të duhet të jetë akt balancues. Ky akt duhet të vlejë në raportet familjare, ndërnjerëzore dhe në raport me shtetin.

“Mos u jepni prindërve tuaj asnjë shkas për shqetësim, përveç sëmundjes suaj… Kur prindërit tuaj janë gjallë, mos udhëtoni në vende të largëta. Nëse duhet të udhëtoni, atëherë tregojuni me saktësi se ku shkoni”.

Nëse fëmija e sheh se prindi shkon në rrugë të gabuar, atëherë duhet të ndikojë me butësi dhe respekt. Nuk duhet të konfrontohet edhe kur prindërit janë fajtorë. Në të kundërtën mund ta humbin ndjenjën e masës dhe dashurinë.

Konfuçi kërkoi respekt edhe ndaj të rinjve.

“Ndaj të rinjve duhet të sillemi me respekt. Prej nga mund ta dimë se e ardhmja e tyre nuk do të jetë baras me tonën. Nëse i riu rron dyzet apo pesëdhjetë vjet dhe nuk dëshmohet, atëherë s’ia ia vlen të mendojmë me respekt për të”.

Rrënja e njeriut është devotshmëria familjare, e cila krijon besueshmërinë ndaj shtetit…

Rituali dhe arti, veçanërisht muzika, gjithashtu u çmuan nga Konfuçi. Duke i dhënë rëndësi ritualit, ai i dha rëndësi traditës. Kërkonte ndihmë nga shpirtrat e traditës ta ndihmonin për çdo dëmtim. Pasi e adhuronte mendimin e lashtë, atje e kërkonte edhe dijen.

“Unë e dua lashtësinë dhe jam serioz në kërkimin e dijes atje”.

Konfuçi predikonte se rituali dhe arti i mundësonin njeriut përsosje morale dhe kufizime të këndshme për dëshirat e dëmshme. Për këtë qëllim, pasuesve ua sugjeronte ta lexonin Librin e Poezisë, sepse arti, siç thotë, ndikon në shoqëri, shërben për trazimin e mendjen, për vetëpërsosje të njeriut, për t’i rregulluar ndjenjat e pakënaqësisë dhe për ta bërë shtetin të drejtë për të gjithë.

Më shumë e pëlqente muzikën, sepse e “parathotë fundin”. Kur dikush këndonte bukur, atëherë i kërkonte ta përsëriste këngën dhe këndonte bashkë me të…

Shumë pasues besonin se Konfuçi i plotësonte cilësitë për Mandatin Qiellor, por ai nuk deshi të sundonte si mbret, por si mbret pa kurorë. Ai e përgatiste botën për qeverisje të mirë.

Konfuçi mendonte se s’mjaftonte vetëm virtyti personal, por duhej një simbiozë ndërmjet virtytit personal dhe modeleve kulturore.

Sundimtari, sipas filozofisë konfuçiane, është fuqia kozmike e antropomorfizuar. Sundimtari e ka Mandatin e Qiellit (tianming). Qielli kërkon ngritjen e të urtit, pra ngritjen e autoritetit moral në autoritet politik. Suksesi ose dështimi politik kushtëzohen nga cilësitë morale të sundimtarit.

Mandati Qiellor nuk është i pandryshuar. Qielli ose Zoti i Lartë (shangdi) e braktis njeriun dhe sundimtarin (“Ai që e lëndon qiellin nuk ka kujt t’i lutet”).Kur sheh se sundimtari është i keq, atëherë ndërmjetëson dhe e zëvendëson me sundimtar të devotshëm e të virtytshëm.

Qeverisja e virtytshme e shmang letargjinë dhe mosmarrëveshjet meskine për përfitime të vogla, që shtetit dhe shoqërisë ia shterin fuqinë. Një qeverisje e virtytshme krijohet me njerëz të virtytshëm dhe jo me korrupsion e detyrim.

Sundimtari i drejtë e i virtytshëm s’ka nevojë të urdhërojë dhe as të bëhet i egër. Nëse është i virtytshëm, atëherë njerëzit do ta ndjekin shembullin e tij dhe do të punojnë duke u udhëhequr nga virtyti dhe jo nga frika e detyrimi. Kur populli udhëhiqet vetëm sipas ligjeve, atëherë tenton t’u bishtnojë ligjeve.

“Nëse njerëzit qeverisen sipas ligjit dhe nëse kanë frikë nga ndëshkimet, atëherë tentojnë t’u ikin ndëshkimeve, por nuk kanë kuptim për turpin”.

Kur njerëzit udhëhiqen nëpërmjet virtytit, ata ndjejnë turp. Kështu bëhen të mirë. Njëkohësisht punojnë për të mirën e shoqërinë.

“Kur një vend udhëhiqet mirë, atëherë varfëria dhe gjërat e liga bëhen të turpshme. Kur një vend udhëhiqet keq, atëherë janë të turpshme pasuritë dhe nderimet”.

Sipas mësimit konfuçian, shteti duhej të udhëhiqej nga autoriteti absolut, që nuk duhej të ishte arbitrar. Për ta kufizuar arbitraritetin, vartësit duhet ta këshillonin dhe ta kritikonin autoritetin nëse shkonte rrugës së gabuar. Vartësi duhej ta respektonte prijësin, por jo të bëhej lajkatar.

Për ne europianët, qasja e tij mbi hierarkinë shtetërore duket e largët dhe e papranueshme. Qasja konfuçiane për përkushtimin birnor të sundimtarit ndaj nënshtetasve s’përputhet me vlerat perëndimore. Është vështirë të besohet se mund të ketë sundimtarë të virtytshëm siç kërkonte Konfuçi. Sot s’do pajtoheshim as me qasjen e tij ndaj gruas, sepse sfera publike ishte e rezervuar vetëm për burrat dhe ajo private për gratë. Burri duhej të merrej me punët e shtetit dhe gruaja me punët e shtëpisë. Mos harrojmë se këto mendime janë thënë para mijëra vitesh. E njëjta qasje haset edhe tek autorët europianë të lashtësisë.

Mësimet e Konfuçit për virtytin dhe përsosjen morale të njeriut nëpërmjet dijes, janë të dobishme në secilën kohë. Njerëzit u kthehen mendimeve të mendimtarëve kur shoqëria përjeton krizë morale për shkak të udhëheqësve të paaftë, të padrejtë, të pavirtytshëm dhe të korruptuar. (Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button