Pirc Musar: Ndryshimet kushtetuese janë parakusht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në fazën pasuese të integrimit evropian

Gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Presidenten e sapo zgjedhur të Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Ajo drejtoi mesazh se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është parakusht i domosdoshëm për vazhdimin e fazës së ardhshme të procesit dhe prandaj nevojitet të ndërtohet konsensus i brendshëm politik dhe ndërpartiak për zbatimin e tij të suksesshëm, transmeton Portalb.mk.           

“Nga ana e saj u potencua se ndër prioritetet gjatë mandatit të saj është vazhdimi i procesit Bërdo-Brioni, sidomos për shkak të perspektivës së Ballkanit Perëndimor si vendim i rëndësishëm strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe ardhmërinë e Unionit. Në këtë kontekst, propozohet ndryshim i caktuar i qasjes me inkuadrimin e të rinjve për integrimin dhe bashkëpunimin e tyre më të madh rajonal që do të kontribuonte në tejkalimin e nacionalizmit, paragjykimeve, populizmit, por edhe për shkak të shpërnguljes së tyre të konsiderueshme në dekadën e fundit.  Presidentja Pirc Musar shfaqi interes për statusin momental të raporteve me Republikën e Bullgarisë dhe për skriningun aktual dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ndërkohë, duke i drejtuar urime për zgjedhjen në funksion, Kryetari Xhaferi shprehu mbështetje për propozimet e iniciuara, me sugjerim se për parandalimin e procesit të largimit të të rinjve nga rajoni, përfshirë këtu edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nevojitet përshpejtimi i procesit eurointegrues me realizimin e reformave të parapara, por edhe përmirësim i gjendjes ekonomike në vend, sigurim i vendeve të reja të punës me paga përkatëse, që të rinjtë të mund të mbesin në shtëpi dhe të kontribuojnë në jetën shoqërore në vend.

“Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, Kryetari Xhaferi apeloi për sigurimin e garancive nga ana e vendeve anëtare se pas miratimit të tyre, negociatat për anëtarësim do të udhëhiqen ekskluzivisht në pajtim me kriteret e vendeve kandidate paraprake dhe me respektimin e vlerave evropiane gjithëpërfshirëse mbi të cilat themelohet Bashkimi Evropian”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.   

Procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë më së voni në qershor-korrik të këtij viti dhe të mbarojë në nëntor, kur është e parashikuar që të mbarojë skriningu i BE-së.

Kujtojmë se, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi më 13 janar se nuk ka plane për momentin, por nuk e përjashton mundësinë e një takimi të ri të liderëve për ndryshimet kushtetuese dhe çështjet më të rëndësishme.

I pyetur se si do ta bindë opozitën që të kryejë ndryshimet kushtetuese deri në nëntor, Kovaçevski tha se, për 10 muaj mund të bëhen shumë gjëra dhe të gjithë duhet të jenë përgjegjës ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button