Ajri në Shkup në muajin janar: Qendra po i afrohet vlerave rekord të Lisiçes për ajrin e ndotur (Infografik)

Edhe këtë janar ajri i pastër për Shkupin ishte një emër abstrakt. Të dhënat e matjes së cilësisë së ajrit tregojnë për një numër të madh ditësh në të cilat janë tejkaluar vlerat mesatare ditore të lejuara të grimcave PM-2.5 dhe PM-10 në ajër. Krahasuar me janarin e vitit 2022 këtë vit ka pasur një numër pak më të ulët të ditëve kur është tejkaluar ndotja maksimale e lejuar prej 50 mikrogramë PM-10 për metër kub. Mirëpo, ajo që është shqetësuese është përkeqësimi enorm i cilësisë së ajrit në stacionin matës në Qendër, i cili në janar të vitit 2023 iu afrua vlerave rekord që tashmë për një kohë të gjatë po regjistrohen në Lisiçe, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk analizoi të dhënat nga raportet mujore për muajin janar të vitit 2023 dhe muajin janar të vitit 2022 të publikuara në ueb-faqen e Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Sa i përket ndotjes me grimcat PM-10, të dhënat që janë në dispozicion për muajin janar të këtij viti tregojnë se pikërisht stacioni matës në Qendër ka regjistruar numër më të madh të ditëve – deri në 19 ditë, gjatë të cilave është tejkaluar vlera maksimale e lejuar për praninë e PM- 10 grimcave në ajër brenda 24 orëve. Nga 31 ditë në janar, në Lisiçe përqendrimi mesatar ditor i lejuar është tejkaluar në plot 18 ditë. Në Rektorat vlerat janë tejkaluar gjatë 15 ditëve, ndërsa në stacionin matës në Karposh dhe atë në Gazi Babë, me grimca PM-10 mbi vlerat e lejuara ajri ka qenë i ndotur në 14 nga 31 ditët e muajit janar të vitit 2023.

Ndotja më e madhe e ajrit gjatë muajit janar të vitit 2023 është regjistruar në javën e parë të janarit. Kështu, më 6 janar në të gjitha lokacionet përqendrimi i lejuar i grimcave PM-10 në ajër është tejkaluar për disa herë. Në këtë datë, në pikën matëse në Lisiçe ka pasur pothuajse katër herë përqendrime më të larta të grimcave PM-10 në ajër krahasuar me kufirin e lejuar prej 50 mikrogramësh për metër kub.

Pra, për katër ditë, në periudhën nga 5 deri më 8 janar të vitit 2023, në stacionin matës në Lisiçe është aktivizuar pragu i alarmimit, gjegjësisht banorët e kësaj pjese të Shkupit kanë thithur ajër jashtëzakonisht të ndotur me përqendrim të grimcave PM-10 prej 150 mikrogramë për metër kub.

Për dallim nga janari i këtij viti të dhënat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për të njëjtin muaj të vitit 2022 tregojnë se ndotje më e madhe e ajrit me grimca PM-10 është regjistruar në Lisiçe, gjegjësisht plot 21 ditë. Në Karposh vitin e kaluar vlerat e lejuara 24-orëshe të këtyre grimcave ndotëse janë tejkaluar gjatë 19 ditëve, ndërsa në Qendër, Gazi Babë dhe Rektorat plot 18 ditë të muajit janar të vitit 2022 janë tejkaluar përqendrimet maksimale të lejuara në ajër të grimcave PM-10. Më shumë informacion për ndotjen e ajrit në muajin janar të vitit 2022 në Shkup mund të gjeni këtu.

Edhe pse të dhënat e analizuara tregojnë një përmirësim minimal të situatës me grimcat PM-10 gjatë janarit të vitit 2023, kjo gjë nuk mund të thuhet edhe për përqendrimet e grimcave më të rrezikshme PM-2.5 në ajër në Shkup. Simptomatike është se në raportin mujor për muajin janar të vitit 2023 nuk ka në dispozicion të dhëna nga matjet e pranisë së grimcave PM-2.5 në ajër në stacionet matëse në Qendër dhe Karposh, ndërsa vlerat e matura në stacionin matës në Rektorat nuk janë të plota.

Në pjesën e të dhënave që janë në dispozicion në raportin mujor, vihet re se gjatë muajit janar të vitit 2023 vlera maksimale ditore e lejuar prej 25 mikrogramë për metër kub e grimcave PM-2.5 është tejkaluar plot 29 ditë. Tronditëse janë të dhënat për 10 ditët e para të janarit kur përqendrimet e grimcave PM-2.5 kanë qenë disa herë mbi kufirin e lejuar. Kështu, në 6 janar, ndotja me grimca PM-2.5 në stacionin matës në Lisiçe ka qenë për 7 herë më e lartë se vlera maksimale ditore e lejuar.

Edhe vlerat e matura në stacionin matës në Gazi Babë tregojnë se në janar të vitit 2023 vlera maksimale e lejuar ditore e grimcave PM-2.5 në ajër është tejkaluar gjatë 21 ditëve. Këto të dhëna janë më negative se ato për muajin e njëjtë të vitit 2022. Për shembull, në janar të vitit 2022 në stacionin matës në Lisiçe janë regjistruar 24 ditë gjatë të cilave është tejkaluar përqendrimi i lejuar i grimcave PM-2.5 prej 25 mikrogramësh për metër kub.

Si rrjedhim, në janar të këtij viti, krahasuar me janarin e vitit 2022, banorët që banojnë rreth stacionit matës në Lisiçe kanë thitur ajër me grimca PM-2.5 mbi kufijtë e lejuar për pesë ditë më shumë.

Meta.mk tashmë ka një kohë të gjatë që paralajmëron për përqendrimet e larta të grimcave ndotëse në ajër jo vetëm në Shkup, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Një muaj më parë publikuam një analizë që nxorri në pah se në dhjetor të vitit 2022, për dallim nga dhjetori i një viti më parë, në Shkup qytetarët kanë thithur ajër më të rrezikshëm.

Muajin e kaluar patëm një intervistë edhe me Docent d-r. Mirjana Dimovska nga Instituti i Shëndetit Publik, e cila ka punuar në analizën “Vlerësimi i rreziqeve shëndetësore nga ndotja e ajrit me grimcat e suspenduara”. Dimovska bëri një sqarim të veçantë për pasojat që grimcat PM-2.5 mund t’i shkaktojnë në trupin e njeriut dhe shtoi se 20 përqind e vdekjeve në Maqedoni janë si rezultat i ndotjes së ajrit.

Gjatë periudhës së kaluar kemi pasur edhe një sërë artikujsh për premtimet e parealizuara të shtetit dhe autoriteteve lokale për zbatimin e masave për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Shkup. Në mesin e premtimeve të parealizuara janë ato të Qeverisë së RMV-së nga Plani për ajër të pastër, me të cilin premtohej se në vitin 2019 dhe 2020 në rrjetin e ngrohjes qendrore të BEG në Shkup do të kyçen 10.000 amvisëri të reja, se do të jepen subvencione për qytetarët për blerjen e automjeteve hibride dhe elektrike, por edhe se do të ndalohet importi në vend i automjeteve me standarde të emetimit nën EURO 5.

Kur bëhet fjalë për komunat, javët e fundit Meta.mk shkroi se premtimi i Qytetit të Shkupit dhe kryetares Danela Arsovska për pastrimin e të gjitha deponive ilegale në territorin e kryeqytetit nuk është realizuar, d.m.th nga raportazhi i realizuar në terren jemi bindur se mbeturinat vazhdojnë të derdhen ilegalisht në disa lokacione në Shkup, e të cilat pastaj digjen dhe e ndotin kështu ajrin. Njëra nga këto deponi të egra gjendet në lokacionin Vardarishte, në vendin e të cilës kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, premtoi se gjatë mandatit të tij do të ndërtojë një qendër sportive dhe rekreative, por në realitet edhe sot në këtë vend vazhdojnë të hidhen dhe të digjen mbeturina të cilat e ndotin ajrin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button