Meta fakt: Nuk është realizuar premtimi i Qeverisë për lidhjen e 10.000 amvisërive të reja në sistemin e ngrohjes qendrore të Shkupit

Qeveria e Maqedonisë me Planin për ajër të pastër, gjegjësisht me Programin për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, në fund të vitit 2018 u premtoi qytetarëve se gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 në operatorin e atëhershëm të ngrohjes BEG do të kyçen 10.000 amvisëri të reja në Shkup, ndërsa rrjeti i ujit të ngrohtë në Shkup do të zgjerohet. Deri në përfundimin e afatit për realizim në fund të vitit 2020 ky premtim i qeverisë mbeti i pa realizuar, ndërsa kjo masë për uljen e emetimeve të substancave ndotëse gjatë ngrohjes së amvisërive mbetet jashtëzakonisht aktuale edhe sot e kësaj dite, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Më 15 nëntor të vitit 2018 Qeveria e prezantoi planin dhe programin për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në vend, me ç’rast u prezantua se Programi për zvogëlimin e ndotjes së ajrit do të zbatohet në vitin 2019 dhe në vitin 2020 në të gjitha segmentet. Një nga pjesët më të rëndësishme të këtij programi që u prezantua për publikun ishin aktivitetet prioritare, në pikën 4 në faqet 4 dhe 5 të Programit, për zvogëlimin e emetimeve të substancave ndotëse që lirohen gjatë ngrohjes së amvisërive.

Si një nga qëllimet që duhet ta arrijnë këto aktivitete është theksuar: “10,000 amvisëri të lidhura me operatorin ekzistues të nxehtësisë (BEG). Rrjeti i ujit të ngrohtë është zgjeruar“

Këtë premtim e përmendi edhe zëvendës-ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Jani Makraduli në konferencën për shtyp që u mbajt më 15 nëntor të vitit 2018.

“Si burimi më i madh i ndotjes, pjesa më e madhe e aktiviteteve do të realizohen nga ky sektor. Duke pasur parasysh se subvencionimi nuk është mënyra më e përshtatshme dhe efikase për të nxitur ndryshime, ndërsa në të njëjtën kohë mund të ndikojë negativisht në aktivitetet e tregut në këtë sektor (ofertën dhe kërkesën për teknologji të reja dhe energjensë për ngrohje), aktivitetet do të drejtohen kah gjetja e modeleve për inkurajimin e kompanive private për të ofruar paketa më të përshtatshme që familjet ta kenë më të lehtë të vendosin për t’i ndryshuar teknologjitë e ngrohjes”, thuhet në Programin për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

Meta.mk i krahasoi rezultatet për numrin e amvisërive të regjistruara në sistemin e ngrohjes qendrore të BEG-ut në Shkup në periudhën nga fundi i vitit 2018 me atë në vitin 2019 dhe vitin 2020. Këto të dhëna janë publikuar në Raportet Vjetore për punën e Komisionit Rregullator për Energjikë dhe Shërbime të Ujit (KRrEShU) për vitin 2018, 2019 dhe vitin 2020.

Deri më 31 dhjetor të vitit 2018 sistemi i energjisë termike me të cilin ka menaxhuar Balkan Energy Group (BEG) ka pasur gjithsej 51.357 shfrytëzues, ndërkohë që numri i amvisërive të lidhura në sistemin e ngrohjes qendrore të BEG ka qenë 50.248 amvisëri, thuhet në Raportin Vjetor për punën e KRrEShU për vitin 2018. Nëse merret parasysh premtimi i qeverisë, në fund të vitit 2020 në qytetin e Shkupit në sistemin BEG do duhej të kishte rreth 60.000 amvisëri të lidhura në sistemin e ngrohjes qendrore.

Megjithatë, në realitet këto shifra nuk janë arritur. Raportin Vjetor për punën e KRrEShU për vitin 2019 tregon se sistemi i energjisë termike i BEG ka pasur 53.281 shfrytëzues, nga të cilët 52.164 kanë qenë amvisëri. Në fund të vitit 2020, në sistemin e BEG të lidhur kanë qenë 55.092 shfrytëzues, me ç’rast energji termike në mjediset e tyre kanë pranuar gjithsej 53.970 amvisëri, thuhet në Raportin Vjetor për punën e KRrEShU për vitin 2020.

Kjo praktikisht do të thotë se që nga fundi i vitit 2018 e deri më 31 dhjetor të vitit 2020 në sistemin e energjisë termike të BEG janë lidhur gjithsej 3.722 amvisëri, e jo siç ishin premtuar – 10.000 amvisëri. Të dhënat i krahasuam edhe me dy sistemet e tjera për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë termike në Shkup – ESM Energetika dhe Sh.A. Shkup-Veri.

Të dhënat nga Raportet Vjetore për punën e KRrEShU tregojnë se në vitin 2018 ESM Energetika ka pasur si shfrytëzues 3.641 amvisëri, një vit më vonë ky numër është rritur në 3.654 amvisëri, ndërsa më 31 dhjetor të vitit 2020 numri i shtëpive të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore ka qenë 3.749.

Në Sh.A. Shkup Veri ka një ndryshim shumë të vogël të shifrave. Në vitin 2018 kanë pasur si shfrytëzues 455 amvisëri, pas 12 muajsh ky numër është rritur në 480 amvisëri, ndërsa në vitin 2020 përmes këtij sistemi në sistemin e ngrohjes qendrore të lidhura kanë qenë 488 amvisëri.

Raportin Vjetor për punën e KRrEShU për vitin 2021 mund të shihet se numri i amvisërive që kanë qenë të lidhura në sistemin e ngrohjes qendrore nëpërmjet sistemit të BEG ka qenë 55.687, nëpërmjet sistemit të ESM Energetika ka qenë 3.843 amvisëri, ndërsa nëpërmjet Sh.A Shkup Veri 488 amvisëri.

Meta.mk i kërkoi të dhënat nga Sh.A. ESM për vitin 2022, duke pasur parasysh se menaxhimi i sistemit më të madh të energjisë termike në Shkup – atij të BEG kaloi nën menaxhimin e tyre. Sipas të dhënave të tyre deri më 31 dhjetor të vitit 2022 në sistemin “ESM Furnizimi me nxehtësi” të lidhur kanë qenë 57.545 shfrytëzues, nga të cilët 56.454 kanë qenë amvisëri. Në vitin 2022, në sistemin e ngrohjes të “Sh.A. ESM – përfaqësia Energetika” të lidhura kanë qenë 3.936 amvisëri, gjegjësisht 4.011 shfrytëzues.

Sa i përket premtimit të qeverisë për gjatësinë e rrjetit të shpërndarjes së ujit të ngrohtë në Shkup, të dhënat nga Raportet vjetore për punën e KRrEShU për vitet 2018, 2019, 2020 dhe 2021 tregojnë se ka një zgjerim minimal të infrastrukturës përmes së cilës energjia termike do të shpërndahej drejt një numri më të madh të shfrytëzuesve.

Në vitin 2018, rrjeti i shpërndarjes i BEG ishte 226 kilometra, ESM Energetika kishte 38 kilometra dhe Sh.A. Shkup Veri 10 kilometra. Në vitin 2021 ESM Energetika e ka rritur rrjetin e infrastrukturës për një kilometër, pra në 39 kilometra, thuhet në Raportin Vjetor për punën e KrrEShU-së. BEG Distribucioni në vitin 2018 kishte 226 kilometra, një kilometër më shumë në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 kjo gjatësi u rrit në 228 kilometra. Më 31 dhjetor të vitit 2021, BEG Distribucioni kishte një rrjet të shpërndarjes së ujit të ngrohtë 230 kilometra të gjatë. Në vitin 2022, “ESM Shpërndarja e ngrohjes” ka ndërtuar 1.373 metra të reja në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa “Sh.A. ESM – Përfaqësia Energetika” ka realizuar 180 metra për shkak të lidhjes së objekteve të reja kolektive për banim, njoftojnë nga Sh.A. ESM.

Nga fundi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2020 gjatësia e rrjetit të shpërndarjes së ujit të ngrohtë në territorin e qytetit të Shkupit është rritur për vetëm dy kilometra për të tre sistemet e energjisë termike. Po ta marrim parasysh edhe vitin 2021, në tre vite infrastruktura është rritur vetëm për pesë kilometra.

Në hartën që tregon sistemin e shpërndarjes së energjisë termike të BEG Distribucion për vitin 2020, e disponueshme në faqen 113 të dokumentit, shihet qartë se rrjeti i shpërndarjes së ujit të ngrohtë në pjesën perëndimore të Shkupit përfundon në lagjen Vllae, pra të gjitha vendet e banuara në komunat Gjorçe Petrov dhe Saraj në Shkup në vitin 2020 nuk kanë pasur mundësi të lidhen në rrjetin e sistemit të ngrohjes qendrore. Kjo gjendje nuk ka ndryshuar as deri në fund të vitit 2021, gjë që mund të shihet në shihet në faqen 134 të Raportin Vjetor për punën e KrrEShU për vitin 2021.

Me marrjen përsipër të menaxhimit të rrjetit të shpërndarjes të ujit të ngrohtë nga viti i kaluar, Sh.A. ESM është përgjegjëse për zgjerimin e numrit të shfrytëzuesve, por edhe që qytetarëve të interesuar nga pjesët tjera të Shkupit, si komuna Gjorçe Petrov dhe Saraj, nëse dëshirojnë t’u sigurojë infrastrukturë për lidhje me sistemin e ngrohjes qendrore. Bazuar në analizën e dokumenteve në dispozicion mund të konstatojmë se premtimi i qeverisë sipas të cilit gjatë vitit 2019 dhe 2020 në operatorin e atëhershëm të ngrohjes BEG do të lidhen 10.000 amvisëri të reja dhe do të zgjerohet rrjeti i shpërndarjes së ujit të ngrohtë në Shkup, mbetet i parealizuar.

Burime:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button