Vazhduan dëshmitarët për modularin: Thyem dyer dhe i nxorëm familjarët nga dritarja, nuk gjetëm aparate kundër zjarrit

Në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona dëshmuan nëntë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, mes tyre dy infermiere, katër familjarë dhe tre persona të cilët kanë kryer ekspertiza për zjarrin. Avokatët e të akuzuarve edhe pse parashtronin pyetje, ata hasnin në kundërshtim nga prokurorët se pyetjet e tyre janë jashtë lëndës për të cilën palët janë të akuzuar, shkruan Portalb.mk.

Dëshmitarët të cilët natën e tragjedisë ishin prezent sqaruan para gjykatës rrethanat në të cilat ka ndodhur zjarri, i cili u shpërnda shumë shpejtë.

Dy infermieret që dëshmuan thanë se kanë parë të ketë aparate kundër zjarrit brenda objektit të modularit. Por që i gjithë rasti ndodhi shumë shpejtë.

Për dallim prej infermiereve, familjarët që dëshmuan, thanë se aparate kundër zjarrit nuk kanë parë të ketë brenda objektit.

Në seancë dëshmuan dy prindërit e pacientes në të cilën u krye reanimacioni dhe nga ku më pas filloi edhe zjarri.

Nëna e saj, Katica Dimovska sqaroi se vajzës së saj e cila ishte me paralizë cerebrale dhe Covid iu përkeqësua gjendja.

“Në momentin kur i sollën aparatet për reanimacion, pas asaj pash tym. Ndodhi shpejtë. Unë me burrin tim që ishte i pranishëm e morëm ta nxjerrim jashtë, E gjetëm një karrocë, e morëm ta nxjerrim jashtë”, tha ajo.

Ajo theksoi se kanë qenë brenda qendrës për Kovid pasi vajza e tyre ishte me paralizë cerebrale, sëmundje që kërkon shoqërues. Për sa i përket nëse ka pasur shoqërues të pacientëve tjerë ajo tha se prioritet ka pasur vajzën e saj. Ndërsa theksoi se në derë ka pasur mbishkrim për ndalesë të futjes brenda objektit, por që roje nuk ka parë.

“Nuk mbaj mend të kem parë aparate kundër zjarrit”, tha ajo duke shtuar se zjarri u shpërnda shumë shpejtë.

Boban Dimovski, babai i pacientes theksoi se ka qenë prezent gjatë dy javëve deri sa vajza e tij ka qenë e shtrirë në modular për shkak të sëmundjes tjetër të saj që kërkonte shoqërues.

Ai tha se dera ka qenë e hapur, por ka pasur mbishkrim se ndalohet hyrja. Ai tha se i është thënë nga stafi mjekësor që është e ndaluar hyrja dhe se ka vërejtur familjarë të tjerë për vizitë që nuk ishin pacientë.

Dimovski sqaroi se nuk ka pasur dokument që u është lejuar të rinë me vajzën, por në formë bisede mjeku Vuçevski i ka lejuar për shkak të vajzës.

“Ditët e para kur e pranuan vajzën kam parë aparat kundër zjarrit, për natën e zjarrit nuk mbaj mend nëse kishte”, tha ai.

Ai sqaroi se në momentin kur vajzës i ishte përkeqësuar gjendja, kërkuan ndihmë nga mjekët të cilët sollën defibilatorin, ku më pas ndodhi diçka dhe filloi zjarri, ku e gjitha sipas tij ka ndodhur për 3-5 minuta. Nga ku vajzën e kanë nxjerrë nga dera e pasme.

Nga ana tjetër, Rami Selmani i cili natën e tragjedisë ka qenë brenda modularit duke shoqëruar babanë e tij sqaroi se nuk ka parë zjarrin ka kërkuar aparat për fikje, por nuk ka gjetur.

“Unë isha në korridor para dhomës ku ndodhi zjarri, për momentin u hap dera dhe pashë pacient për toke dhe zjarr. Kam qenë në shërbim të babait i cili ka qenë pacient në modular dy javë. Po, tërë kohën kam qenë. Askush nuk më ka penguar të hyj brenda. Babai vdiq. Babai ishte në dhomën 2, unë ndodha në korridor, u hap dera e dhomës dhe pashë pacient për toke. Kur pash zjarrin, kërkova aparat kundër zjarrit, nuk kishte. Vrapova në tualet të gjej ujë së bashku me një infermiere. U mundova një herë me ndihmuar ta fikim zjarrin me kovë me ujë, kur u afrova te dhoma dera ishte e mbyllur, u bë panik aty edhe si kam dalë jashtë nuk e mbaj mend”, theksoi Selmani.

Mes tjerash ai sqaroi se nuk ka pasur roje te dera kryesore te modulari dhe se askush nuk e ka ndaluar mos të futet brenda.

“Në dhomë (2) nuk ka pasur, as në korridor aparat kundër zjarrit. Ndodhi shumë shpejtë brenda minutash”, përfundoi ai.

Maja Jovanovska e cila kishte nënën brenda spitalit theksoi se ka qenë prezentë natën e ndodhisë sqaroi se ka parë edhe familjarë tjerë shoqërues të pacientëve.

“Shkova t’i dërgoj ushqim. Shkurt isha prezente, dëgjohej zjarr, ndihmë. Ishte në dhomën 1. Në dhomën 1 kishte 5 pacientë dhe 5 shoqërues. Nuk ishte askush te dera, ishte e hapur. Dëgjoja se tirrnin zjarr, ndihmë. Menjëherë dolëm nga dritarja. Nuk i kam kushtuar vëmendje nëse në derën kryesore ka pasur mbishkrim se ndalohet hyrja”, tha Jovanovska.

Infermierja Miniver Abduli Kasami, sqaroi se natën e ndodhisë ajo ka hyrë në dhomën ku ka qenë pacientja ku pas ndihmës që i dhanë ajo vdiq.

“Menjëherë më pas u shfaq zjarr, dola jashtë të kërkoj ndihmë kundër zjarrit. Gjithë kjo zgjati dy-tre minuta. Nuk u ktheva brenda pasi modulari ishte me zjarr dhe tym”, theksoi infermierja.

Ajo tha se ka pasur mjete kundër zjarrit por se nuk e din se ku saktë ishin të vendosura.

Për sa i përket shoqërimit të pacientëve nga familjarët brenda modulartit, ajo tha se në dhomën ku edhe filloi zjarri ka qenë nëna e pacientes, ndërsa për të tjerë nuk mban mend nëse ka pasur. Ajo sqaroi se si motër medicinale ka parë punët e saj dhe nuk është e sigurte nëse ka pasur roje ose jo te dera, dhe nëse e njëjta ka qenë e mbyllur.

Infermierja tjetër, Biljana Gjorgjevska sqaroi se kur është futur në dhomën 3, kur mjekët bënë reanimacionin ka parë zjarr.

“Po kam parë aparate kundër zjarrit, mendoj te hyrja. Për shkak se ndodhi shumë shpejt, nuk kishim kohë të reagojmë, 3-4 minuta zgjati. Gjithçka ishte shpejtë dhe panik, filluam të nxjerrim jashtë nga modulari pacientë. Në dhomën përballë asaj që filloi zjarri nga dritarja kemi nxjerrë pacient. Në dhomat tjera nuk kishte shoqërues të pacientëve. Dera ka qenë e mbyllur. Nuk kam lëshuar persona tjerë të futen brenda”, tha mes tjerash infermierja Gjorgjevska.

Dëshmuan edhe tre ekspertë të cilët kanë analizuar shkaqet e zjarrit. Rubin Boshkoski, elektroinxhinier në Departamentin e Ekzaminimit dhe Ekspertizës Kriminalistiko-Teknike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Anita Grozdanova, profesoreshe e rregullt në Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë si dhe profesor Sveto Cvetkocki. Ata deklaruan se qëndrojnë pas asaj që kanë deklaruar me shkrim.

Sipas ekspertit të MPB-së zjarri ka ndodhur si pasojë e qarkut të shkurtër elektrik, por ai qark i shkurtër ka shpërthyer si pasojë e kabllos të dëmtuar më parë mekanikisht.

Dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria kanë mbaruar, ka mbetur vetëm edhe një ekspert i propozuar nga Prokuroria, seancën e radhës pritet që i njëjti dhe mbrojtja e të akuzuarve të paraqesë dëshmitë e shkruara. Seanca e radhës është caktuar për me 2 mars.

Para fillimit të gjykimit në orën 09:00, para gjykatës u mblodhën disa qindra qytetarë në mbështetje të doktor Boban Vuçevskit, i cili është njëri nga të akuzuarit.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator ndërsa deri tani janë mbajtur tetë (përfshirë të sotmen) seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë ndodhi në seancat paraprake?

Seanca e parë, e mbajtur me me 6 shtator 2022, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor 2022 përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtit kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor 2022 u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Seanca e katërt, e mbajtur me 7 dhjetor 2022 u anulua pasi avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk kishin njohuri të plotë në materialin dëshmues, i cili është në formë elektronike, ndërsa njëri nga avokatët u ankua se nuk mund të merrte as një kopje të materialit të aktakuzës, sepse në gjykatë i ishte thënë se fotokopja nuk funksiononte. Avokatët kërkuan leximin e plotë të çdo materiali dëshmues, të njëjtët kishin ankesa lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Për vazhdimin e seancës kryesore, avokatët do të vendosnin me shkrim lidhur me provat e ofruara nga Prokuroria Publike, dhe të cilat nuk janë në formën apo përmbajtjen e kërkuar, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Prokurori publik u pajtua me një gjë të tillë duke konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e shtyu seancën kryesore për 27 dhjetor.

Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor 2022 Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Seancën e radhës pritej që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmojnë gojarisht.

Seanca e gjashtë, e mbajtur me 16 janar 2023 u anulua për shkak se mungoi i akuzuari Artan Etemi, ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës.

Seancën e shtatë, të mbajtur me 31 janar 2023 dëshmuan shtatë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët natën e tragjedisë ishin brenda spitalit ku ndodhi zjarri, mes tyre dy mjek, një motër medicinale dhe katër familjarë. Sipas dëshmitarëve, tragjedia ka ndodhur brenda pak minutash dhe janë munduar të bëjnë maksimumin që të shpëtojnë pacientët dhe familjarët e tyre, ndërkaq nuk kanë mundur t’i gjejnë aparatet kundër zjarrit. Ata sqaruan rrethanat se si ka ndodhur rasti. Për më tepër lexo KËTU.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për çfarë akuzohen?

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Seanca gjyqësore për rastin e djegies së Spitalit Modular, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button