Dëshmitarët që kanë qenë brenda Spitalit Modular në Tetovë: Aparatet kundër zjarrit s’mundëm t’i gjejmë (Video)

Në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona dëshmuan shtatë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët natën e tragjedisë ishin brenda spitalit ku ndodhi zjarri, mes tyre dy mjek, një motër medicinale dhe katër familjarë, shkruan Portalb.mk.

Sipas dëshmitarëve, tragjedia ka ndodhur brenda pak minutash dhe janë munduar të bëjnë maksimumin që të shpëtojnë pacientët dhe familjarët e tyre, ndërkaq nuk kanë mundur t’i gjejnë aparatet kundër zjarrit. Ata sqaruan rrethanat se si ka ndodhur rasti.

Mjeku Mustafa Tairi theksoi se ka qenë në ndërrim të rregullt, ku atë natë i panë pacientët dhe pas kontrollit secili u kthye në vendet e tyre të punës.

“Për një moment më thirri njëra motër se një paciente në dhomën numër tre nuk është mirë. Kur e pamë pacientja ishte në shok, filluam reanimacionin, ka protokoll. Vetëm kur pamë zjarr… Pastaj filluam me evakuimin e pacientëve. Deshëm ta ndalim zjarrin, me batanije. Gjithçka filloi të duket zi, dola të kërkoj ndihmë, kur u ktheva nuk dukej asgjë”, deklaroi mes tjerash mjeku Tairi.

Ai theksoi se aparati me të cilin kanë kryer reanimacionin e pacientes ka punuar me rrymë dhe zjarri ka filluar pasi e kanë futur në rrymë, pas pak sekondash. Ai tha se zjarri është përhapur për 10-15 sekonda në dhomën ku ka shpërthyer, pra në dhomën numër 3. Për atë se a ka pasur mjete specifike për fikjen e zjarrit tha se ka parë para se të ndodhte zjarri por për atë se sa, theksoi se nuk e din. Ndërkaq tha se ai për vete i ka kthyer prapa familjarët të cilët janë futur brenda modularit.

Mjekja Shpenza Arifi nga ana tjetër deklaroi se kur ka filluar zjarri janë munduar ta fikin me batanije dhe shishe me ujë të cilat kanë qenë të pacientëve. Ajo tha se kanë kërkuar nga motrat t’i sjellin aparatet kundër zjarrit, por që nuk kanë mundur t’i gjejnë. Ajo tha se kanë parë njerëz brenda modularit që nuk kanë qenë pacientë. Mes tjerash theksoi se nuk ka qenë e lejuar hyrja për familjarët brenda modularit dhe se të njëjtëve ju kanë kërkuar të dalin.

“E vërtetë është se te pacientja Maria kanë qenë nëna dhe babai, nga kanë marrë leje nuk e di. Unë kam parë vetëm flakët. Kovën me ujë e kam mbushur unë vetëm një herë pasi nuk kishte kohë më shumë”, tha mes tjerash mjekja Arifi e cila mes tjerash theksoi se nga ana e përgjegjësit të qendrës për Kovid, Boban Vuçevskit nuk ka marrë urdhër për të futur familjarë.

Olivera Veselinovska, një familjare e cila ka pasur të birin të shtrirë në modular i cili ka qenë me nevoja të veçanta në dhomën numër 1 theksoi se ka dëgjuar britma dhe piskama nga ana e motrave që të sillnin ujë me shishe. Ajo theksoi se nuk ka parë aparate kundër zjarrit. Mes tjerash ajo theksoi se nuk e kanë lejuar të futet, por që fëmija i saj ka qenë me nevoja të veçanta dhe e kanë lënë të përkujdeset për të.

Olivera theksoi se ka pasur edhe familjarë tjerë nga jashtë të cilët janë futur në dhomën ku ka qenë ajo, por që personeli ju ka thënë të dalin. Ajo tha se djalin e saj e ka vizituar vetëm ajo dhe burri i saj ndërsa nuk kanë kërkuar leje nga askush.

Motra medicinale, Nadire theksoi se nuk ka parë nëse ka roje te dera ose jo.

“Nuk i kam kushtuar vëmendje nëse në modular ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, tha mes tjerash ajo duke sqaruar si kanë vepruar në ato momente kur ka shpërthyer zjarri”, deklaroi infermierja.

Një familjare tjetër, Violeta Petrushevska  theksoi se ka qenë në spital me burrin e saj i cili ka qenë pacient në dhomën numër 4.

“Kam shkuar kam ardhur. Me burrin jemi parë nga dritarja pasi krevati ishte afër, ndonjëherë kam hyrë brenda. Kur më kanë parë më kanë kërkuar të dal. Nuk ka pasur roje te dera. Nuk ka pasur persona tjerë shoqërues”, theksoi Petrushevska e cila ka qenë brenda modularit kur ka filluar zjarri dhe kur ka dëgjuar britmat se ka zjarr.

“Dritaret kanë qenë të hapura pasi ishte verë, e kemi shqyet rrjetin dhe kemi dalë”, theksoi mes tjerash Petrushevska.

Imrane Shaqiri, një tjetër familjare e cila është kujdesur për burrin e saj i cili ka qenë i shtrirë në dhomën numër 5 theksoi se po aty ka pasur edhe familjarë tjerë të cilët janë kujdesur për pacientët.

“Kur ndodhi zjarri kam qenë brenda. Motrat i dëgjova kur bërtitën edhe unë mendova se ndonjë pacient është i sëmurë edhe e pashë se zjarri ishte afruar edhe unë shkova ta shpëtoj burrin, na mbyllën derën, nuk e di kush, Dera vetëm se filloj të shkrihet. Unë dola prej dritares. Burri ishte i sëmurë, u përpoqa ta marr prej dritares, por mbeti poshtë. Nuk kishte roje te dera. Askush nuk na thoshte mos hyni, nuk kam pasur leje, më duket se ka pasur shënim te dera për të mos hyrë. Vetëm te këmba dhe krahu u lëndova”, theksoi mes tjerash Shaqiri.

Mumin Ismaili nga ana tjetër i cili natën e zjarrit humbi nënën e tij theksoi se bashkërisht me vëllain e tij janë përkujdesur për nënën e tyre me turne dhe se askush nuk ua ka ndaluar mos të hyjnë dhe se nuk ka pasur roje.

“Nëna ka qenë në dhomën 3 ku ka filluar zjarri. Dhoma kishte 6 krevate, por në atë moment ishte vetëm Marija dhe nëna ime. Atë ditë kemi parë me pacientët tjerë familjarë. Atë natë iu përkeqësua gjendja Marias, erdhën doktorët dhe filluan me aparatin. Dola jashtë me vëllain të pija cigare vetëm kur dëgjova piskamat. E morëm nënën e dërguam në dhomën dy… Me nënën në krah doja të dilja… Mu dogj koka”, sqaroi mes tjerash Ismaili i cili theksoi se Marija vdiq para se të fillonte zjarri dhe se nuk ka pasur aparat për fikjen e zjarrit.

Sipas Ismailit i gjithë zjarri ka zgjatur përafërsisht 5-7 minuta.

Me këtë dëshmi u përmbyll edhe seanca e sotme.

Pasi përfundoi seanca, Ismaili deklaroi se në rastin e tij ka pasur provokime pse ka qenë brenda në spital, por ai thotë se ajo dihet pse, çka janë rrethanat në Maqedoninë e Veriut, për spitalet ku  secili familjar i ka ndenjur të afërmit të vet në dhomë.

“Nuk di çfarë të shtoj. Unë kam qëndruar 28 ditë me nënën, deri kur ndodhi zjarri. Nuk ka pasur shërbim, ekip mjekësor ka pasur 3 motra medicinale, pacient në spital ka pasur 6 dhoma nga 6 pacientë, të cilët në çdo minutë kanë pasur nevojë për ndihmën tonë. Mendoj se do zbardhet pasi dëshmitë e dëshmitarëve u dhanë, tani me 16 të akuzuarit.. besoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Ismaili.

Gjykimi do të vazhdojë më 16 shkurt me dëgjimin e më shumë dëshmitarëve, ndërsa do të ftohen edhe ekspertët që e kanë përgatitur ekspertizën. Më pas do të ketë seanca dëgjimore të dëshmitarëve dhe dëshmitë e shkruara të mbrojtjes.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator ndërsa deri tani janë mbajtur shtatë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë ndodhi në seancat paraprake?

Seanca e parë, e mbajtur me me 6 shtator 2022, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor 2022 përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtit kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor 2022 u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Seanca e katërt, e mbajtur me 7 dhjetor 2022 u anulua pasi avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk kishin njohuri të plotë në materialin dëshmues, i cili është në formë elektronike, ndërsa njëri nga avokatët u ankua se nuk mund të merrte as një kopje të materialit të aktakuzës, sepse në gjykatë i ishte thënë se fotokopja nuk funksiononte. Avokatët kërkuan leximin e plotë të çdo materiali dëshmues, të njëjtët kishin ankesa lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Për vazhdimin e seancës kryesore, avokatët do të vendosnin me shkrim lidhur me provat e ofruara nga Prokuroria Publike, dhe të cilat nuk janë në formën apo përmbajtjen e kërkuar, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Prokurori publik u pajtua me një gjë të tillë duke konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e shtyu seancën kryesore për 27 dhjetor.

Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor 2022 Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Seancën e radhës pritej që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmojnë gojarisht.

Seanca e gjashtë, e mbajtur me 16 janar u anulua për shkak se mungoi i akuzuari Artan Etemi, ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për çfarë akuzohen?

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Seanca gjyqësore për rastin e djegies së Spitalit Modular, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur filluan të largohen pesëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button