U anulua seanca për zjarrin në spitalin modular, familjarët: Në këtë shtet nuk ka drejtësi (Video)

U anulua seanca e gjashtë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës e cila ishte e caktuar për sot. Kjo për shkak se mungoi i akuzuari Artan Etemi, ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës. Familjarët e viktimave u shprehën se nuk besojnë në drejtësinë e këtij shteti, ndërkaq thonë se përsëri shpresat nuk i humbin. Nuk përjashtojnë mundësinë të kërkojnë edhe hetim ndërkombëtar, shkruan Portalb.mk.

Seanca e sotme u anulua për shkak se Etemi nuk u paraqit në gjykatë. Avokati i tij u arsyetua se Etemi ka pasur rast vdekjeje dhe për këtë arsye e ka pasur të pamundur të jetë i pranishëm.

Pas kësaj, gjykatësi i cili udhëheq këtë lëndë, Jordan Velkovski anuloi seancën dhe e shtyu për me 31 janar.

Në seancën e sotme ishte e paraparë që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmonin për rastin, ndërkaq kjo nuk u bë pasi u anulua.

Boban Vuçevski, Florin Besimi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Familjarët e viktimave shprehen se nuk i besojnë drejtësisë në këtë shtet, por përsëri nuk i humbin shpresat.

Mumin Ismaili, i cili humbi nënën në këtë tragjedi u shpreh se kishin ardhur për seancën e sotme. Kemi ardhur për seancën e sotme, për të parë drejtësinë në këtë shtet, si funksionon drejtësia, por siç thotë ai këtu shihet drejtësi nuk ka.

“Sipas nesh duhet të akuzohet edhe ish ministri, është një zinxhir i gjatë që duhet të jenë këtu. Por këtu është shteti, i kanë zgjedhur tre persona. Gjykimi vetëm anulohet. Ne si familjarë kemi ardhur të japim dëshminë tonë se çfarë ka ndodhur në atë spital. Unë kam qenë në dhomën numër tre ku ka filluar zjarri, shpresojmë se e drejta do të del, por në këtë shtet nuk ka drejtësi, ne nuk ndalemi këtu do të vazhdojmë edhe më tutje. Shpresat nuk i humbim, drejtësi nuk ka shihet, në shumë montime që kanë qenë në këtë shtet drejtësi nuk ka pasur edhe nuk do të ketë. Si familjarë mundohemi, shpresojmë se do e nxjerrim drejtësinë, patjetër të ketë përgjegjësi, patjetër të jetë dikush përgjegjës për atë punë. Për pesë-shtatë minuta të digjet modulari është domethënie e madhe”, tha Ismaili i cili shtoi se nuk e përjashtojnë mundësinë të kërkojnë hetim ndërkombëtar.

Mumin Ismaili, Ibin Emshi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ibin Emshi nga ana tjetër i cili humbi babanë dhe vëllain thotë se drejtësia këtu është zero.

“Sipas këtij shteti a ka nevojë për hetim ndërkombëtarë kur një spital digjet për tre minuta kurse drurin me e futur në zjarr nuk digjet për tre minuta, Këtu nuk ka logjikë të kërkohet edhe hetim ndërkombëtar. Drejtësia këtu është zero, një vit e gjysmë përgatiten me gjërat , pse anulohen gjykimet? Dëmi është bërë. Përgjegjësit ikin në liri, kush do merr përgjegjësi për këto katërmbëdhjetë shpirtrat”, tha Emshi.

Pak para se të fillonte seanca gjyqësore, jashtë objektit të gjykatës një grup qytetarësh mbajtën një protestë paqësore në mbështetje të doktor Boban Vuçevskit, sipas qytetarëve ai është i akuzuar në formë të padrejtë dhe se nuk ka faj dhe përgjegjësi për zjarrin. Këto qytetarë edhe seancën e kaluar vepruan njëjtë.

Qytetarët në mbështetje të doktor Boban Vuçevskit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator ndërsa deri tani janë mbajtur pesë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Çfarë ndodhi në seancat paraprake?

Seanca e parë, e mbajtur me me 6 shtator, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtin kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën,  njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Seanca e katërt, e mbajtur me 7 dhjetor u anulua pasi avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk kishin njohuri të plotë në materialin dëshmues, i cili është në formë elektronike, ndërsa njëri nga avokatët u ankua se nuk mund të merrte as një kopje të materialit të aktakuzës, sepse në gjykatë i ishte thënë se fotokopja nuk funksiononte. Avokatët kërkuan leximin e plotë të çdo materiali dëshmues, të njëjtët kishin ankesa lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Për vazhdimin e seancës kryesore, avokatët do të vendosin me shkrim lidhur me provat e ofruara nga Prokuroria Publike, dhe të cilat nuk janë në formën apo përmbajtjen e kërkuar, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Prokurori publik u pajtua me një gjë të tillë duke konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e shtyu seancën kryesore për 27 dhjetor.

Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Seancën e radhës pritej që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmojnë gojarisht.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për çfarë akuzohen?

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur filluan të largohen pesëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button