Mbaroi dhënia e dëshmive për modularin, me 25 prill pritet të mbahet seanca e fundit

Sot në Gjykatën Themelore të Tetovës mbaroi dhënia e dëshmive në gjykimin e të akuzuarve për rastin në spitalin modular të Tetovës ku nga zjarri jetën e humbën 14 persona. Seanca e radhës e caktuar për me 25 prill pritet të jetë përfundimtarja, pas së cilës pritet të merret edhe të merret vendimi. Sot dëshmuan tre dëshmitarë të propozuar nga pala mbrojtëse, shkruan Portalb.mk.

Punonjësi i Spitalit të Tetovës si roje, Bashkim Ibraimi tha se ka parë aparate kundër zjarrit në spitalin modular.

“Mendoj se kishte tre aparate kundër zjarrit. Një e kam parë në korridor, tjetrin te dhoma e motrave medicinale dhe të tretin në magazinë. Në pjesën ku kanë qenë pacientët nuk kam parë aparate kundër zjarrit”, tha Ibraimi.

Ai tha se ka pasur ndalesë te dera për hyrjen e personave tjerë.

“Dera e modularit ka qenë e mbyllur me çelës”, deklaroi Ibraimi.

Punonjësi tjetër i Spitalit të Tetovës në pjesën e mirëmbajtjes, Ismail Serani tha se ka lëvizur brenda modularit pasi puna ia ka kërkuar kur është dashur për shembull të nxjerrin jashtë të vdekurit, i kanë hipur në kombi.

“Mendoj se kam parë një aparat në korridor te modulari. Po, ka pasur mbishkrim te dera e modularit se ndalohet hyrja për jo të punësuarit”, tha Ibraimi.

Mjekja Ersele Tresi, në lidhje me pasjen ose jo të aparateve kundër zjarrit deklaroi se mendon që ka pasur, por nuk është e sigurt pasi siç theksoi kjo nuk ka qenë prioritet i tyre.

“Puna jonë ka qenë të ju japim ndihmë të sëmurëve. Nuk kemi pasur udhëheqës, çdo kush ka qenë përgjegjës kur ka qenë në ndërrim (referuar stafit mjekësor)”, tha Tresi.

Me këtë mbaroi edhe dhënia e dëshmive për këtë rast, me çka seanca tjetër me 25 prill pritet të jetë përfundimtarja dhe pas saj të shpallet edhe vendimi për këtë rast.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator 2022 ndërsa deri tani janë mbajtur njëmbëdhjetë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Familjarëe viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Eteminuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button