Sot mbahet seanca e njëmbëdhjetë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Sot mbahet seanca e njëmbëdhjetë me radhë e gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e sotme gjyqësore pritet të dëshmojnë katër dëshmitarë të propozuar nga pala mbrojtëse.

Nëse kjo seancë vijon në rregull, siç njoftuan nga gjykata, seancën pas kësaj pritet të mbahet seanca e fundit dhe merret vendimi për këtë rast.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator 2022 ndërsa deri tani janë mbajtur dhjetë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Familjarëe viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Eteminuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button