Nuredini ia la Shukovës “amanet” investimin në “Kodrën e Diellit”

Kaja Shukova, ky është emri i ministres së re të Mjedisit Jetësor, e cila këto ditë pritet të votohet në Kuvend, pasi që do të emërohet në vendin e Naser Nuredinit, i cili ndër projektet më me prioritet e kishte gjetjen e investitorit për Kodrën e Diellit. Nuredini e paralajmëroi kompaninë “TechnoAplin për investitor të ardhshëm në qendrën turistike, por në pritje të “shqyrtimit të detajuar” të kontratës, ai duhet të largohet nga pozita, pasi që kështu vendosi politika, shkruan Portalb.mk.

“Në lidhje me negociatat nuk kemi informata të reja për të ndarë me publikun”, thonë për Portalb.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor, në pyetjen tonë se kur do të ketë vepra konkrete nga kompania italiane për qendrën turistike të lënë pasdore me dekada.

Ministri Nuredini nga ana tjetër tha se “do të vazhdojë të mbështesë dhe ndihmojë procesin nga jashtë deri në mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura dhe përfundimin e Marrëveshjes me investitorin strategjik”.

Por, investimin në qendrën e skijimit, para se gjithash, siç njoftuan nga Ministria e Mjedisit është i kushtëzuar me vënien në funksion të gondolës/teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit, një projekt i cili gjatë kohë ëndërrohet nga qytetarët dhe nuk realizohet nga shteti.

Siç ka njoftuar MMJPH paraprakisht për Portalb, nënshkrimi me kompaninë italiane do të bëhet sapo të specifikohen të gjitha detajet, do të hartohet Ligji i posaçëm për Investime Strategjike, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së vendit dhe pas miratimit nga Qeveria do të dorëzohet në Kuvend.

Kontaktuam edhe investitorin e interesuar “TechnoAlpin” për të parë si rrjedhin punët nga ana e tyre, por nga atje deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën.

Kujtojmë që “TechnoAlpin” në dhjetor 2022 prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Siç lajmëruam kohë më parë, pas shumë zvarritjeve, më në fund është formuar kompani e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit. Themelimi kompanisë së re “Kodra e Diellit” është hapi i parë që pritet të çojë në modernizimin e qendrës së skijimit pasi në të ardhmen do të lidhet marrëveshje me investitorin strategjik. Aktualisht procesi është në fazën përfundimtare të regjistrimit të kapitalit të patundshëm në emër kë kësaj kompanie të re nga ana e Elektranave të Maqedonisë së Veriut – Elem Tursit.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.

Përndryshe, sezoni i sivjetshëm i skijimit në këtë qendër turistike filloi me vonesë për më shumë se një muaj, si shkak i ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve të mjaftueshme të borës. Ndërkaq sipas menaxhmentit të qendrës turistike humbjet nga kjo vonesë janë rreth gjysmë milioni euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button