Dëshpërimi i prometejëve të shqiptarisë

Pas shpalljes së pavarësisë, krijuesit e vërtetë të Shqipërisë, Rilindësit, u shtynë në margjinat e shoqërisë, e cila lejoi t’i prijnë karkanxhollët me poste të larta shtetërore. Të dëshpëruar qenë të gjithë, pa përjashtim, gjë që përligj hidhërimet e papërmbajtura të liberatorëve, si puna e gjeniut të letrave shqipe Faik Konicës, të derdhura pa rezervë në diskursin e tij publik. Vetëm një zhgënjim i jashtëzakonshëm e detyroi atë ta shkruaj me aq mllef artikullin Ç’është liria?, me të cilin portretoi revoltën e një brezi të tërë idealistësh të paparësritshëm:

Më mbetet pakë kohe akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomerëve, edhe, në vend të trurit, të kllas këtë: ç’është liria? Te mos të kisha nisur këtë fletën, (gazetn Albania), vaftë në Djall! s’do të humbja kohën time të mësonj gomerave ç’është liria. Dy muaj janë që u- nis kjo puna, dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomerëve. Më mirë te shes mut njeriu se të nisje punë për Shqiptarët. Janë nja 50 Shqiptarë që kuptojnë ç’është liria?Ata nuk na shkruajnë gomarërira se e dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomerë, dhe, si të shtyp 12 numra mbas fjalës që dhashë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vend që të mbanj të përkohshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkruaj për Shqipetarët. Gomerëve pra, le të përpiqem akoma një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?

Ngjashëm do të shkruajnë dhe bashkëkohanikët e Konicës, që bënë emër në vitet e para të pavarësisë së shtetit shqiptar. Edhe ata qenë të pakënaqur me çaprazllëqet e parësisë, me nivelin e vetëdijes së bashkëkombasve dhe me statusin e tyre në shoqëri. Tani më ishte formuar një copë Shqipërie dhe njerëzve u vinin sherret nga vetvetja. Qe kjo koha kur, përveç veseve të tjera, shqiptarët nisi t’i mundojë edhe ileti i rrezikshëm i ngatërrimit të kompetencave dhe shumësia e dr. Adha-mutëve të gjithëdijshëm, që shpjegojnë shkaqet përse letërsia, publicistika dhe gazetaria e kohës vlonin nga krijimet lutje, si proza e Nonda Bulkës Lutje Zotit:

Zot që je në qiell, dërgona urgjent mënd…

Dërgona mënd, o Zot, përndryshe merrna me këto që kemi.

…Jepu shqiptarëvet vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë ata, shpejt a vonë, do ta bëjnë atdhenë babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.

…Vendos, o Zot, çdo njeri në vendin që i përket.

Mos lejo që veterinari të bëhet avokat, rrobaqepësi diplomat, gjykatësi letrar, doktori gjykatës, poeti politikan dhe politikani poet.

Meremetoje pak shtëpinë që na dhe peshqesh, se zuri myk, o i fuqiplotë…

Nuk u bë më mirë as pas Luftës zë Dytë Botërore, kur Shqipërinë e bëri kufomë të gjallë mesjeta staliniste. Ndër sfidantët e rrallë të regjimit të hurit e litarit ishte liriku i madh Lasgush Poradeci, që, siç u shpreh Kadareja: S’kishte vend në këtë botë… Ai i kundronte butakët nga distanca e sistemeve të tjera diellore. Në shenjë proteste, Ai u gatoi rojeve të namuzit monist atë që kërkuan prej tij: Mut deshën, mut u dhashë – u tha ai atyre që e qortuan pse kishte shkruar ca vargje shumë të dobëta për parësinë e kohës…

Mjerisht, sot është më beter. Të gjendur para mundësisë për t’ia lagur Atdheut, hamë kokat e njëri-tjetrit si heronjtë e ferrit dantesk. Në zallahi të këtilla konsiderohen budallenj sogjetarët që e parandjejnë se hajnitë tona mund të kenë tagër të lartë për breza të tërë shqiptarësh. Mbase këtu duhet kërkuar shkaku përse krijuesit bëhen mistikë dhe shkruëjnë lutje, si kjo imja, ditën kur u largua nga Kosova thundra serbe:

Kosova nuk është më nën çizmen serbe.

Pas viteve të humbura,

a jemi përgatitur shpirtërisht për këtë ditë,

a jemi çliruar nga armiku ynë i madh – vetvetja,

nga filozofia e shpirtit të robit dhe akrepit?

 

Margjinë qofshi kacagjelimet për karriget e vëtërlashkta ortopedike,

fenomenet që u japin çështjeve aromë kotësie,

makthet e anijës shqiptare pa timonier,

luigjët e mendësisë zenbudiste: Kombi jam unë!

zeusët mbi xhade kufomash dhe gjeneralët e pasluftës.

 

Asnjë gram energji akumulatorëve të shpërthyer!

Bota është përplot shakllabanë, po Kosova s’guxon më të ecë pas tyre.

Amin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button