Kur bota ndryshon për një moment

Njeriu mendon se do të jetojë përgjithmonë dhe harron që vdekjen e ka me vete në çdo çast. Mjafton një moment që gjithçka të shembet përmbys dhe të ngulfatesh mes gërmadhave të qytetit ku ke jetuar me vite e ku ke qenë i bindur se do të jetosh përgjithmonë, pavarësisht se e sheh vdekjen me sy çdo ditë, e megjithatë e përjeton si diçka të largët, që ty nuk do të të prekë kurrë. Ja që brenda çastit gjithçka ndryshon dhe me mijëra njerëz e japin frymën e fundit dhe arratisen nga kjo botë.

Tërmeti i tmershëm që ndodhi pak ditë më parë në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë e shpalosi edhe një herë brishtësinë e jetës së njeriut. Brenda pak çastesh gjithçka u përmbys dhe mijëra njerëz u shuan. Faqtkeqësi e tmershme për njerëzimin. Shikuar nga aspekti i jetës sonë të shkurtër mbi tokë, kjo është një tragjedi. Shikuar nga aspekti i natyrës së përjetshme, kjo është një ngjarje natyrore që ka ndodhur e do të ndodhë përsëri.

Njeriu i sotëm, edhe pse ka shumë njohuri për proceset natyrore, edhe pse e kupton shumë më mirë se në të kaluarën mënyrën e funksionimit të natyrës, sërish është i bindur se do të jetojë përjetësisht dhe sillet sikur kjo është e vërteta. Kur ta marrim parasysh sa të vegjël dhe të parëndësishëm jemi, kur ta kemi të qartë që jemi një pikë e padukshme në univers, kur të kuptojmë në çaste të vështira se mjafton një lëvizje e pllakave tektonike që gjithçka që njohim të shembet përmbys, atëherë pse vallë e kalojmë jetën duke u dhënë aq rëndësi interesave meskine e vetjake, pse sillemi si armiq, pse humbim aq shumë kohë duke i bërë keq njëri tjetrit e duke e uryer njëri tjetrin, kur gjithçka, por ama gjithçka, është kaq e brishtë dhe kalimtare?

Njeriu ndonjëherë është aq shumë i preokupuar me egon e tij sa qe e sheh veten si qendër të universit. Kjo është kështu deri sa toka fillon të luhatet dhe atëherë e kuptojmë që jo vetëm që nuk kemi asgjë në dorë, por edhe asgjë që na duket shumë e rëndësishme, në fakt nuk ka fare rëndësi. Gjërat për të cilat punojmë gjithë jetën, një ditë zhduken lehtësisht para syve tanë, e ajo që mbetet janë vetëm kujtimet. Prandaj të mençurit e kësaj bote gjithnjë kanë thënë se gjësendet nuk kanë shumë rëndësi. Rëndësi kanë njerëzit, që janë të brishtë dhe kur i humbasim na dhimben shumë më tepër se gjithçka që kemi. Rëndësi ka jeta e kaluar me të tjerët, rëndësi kanë ndjenjat fisnike ndaj njëri tjetrit që mbeten gjithmonë në kujtesë si gjëra të çmuara, rëndësi ka solidariteti dhe ndihma në kohëra të vështira. Kur gjithçka shembet rreth nesh janë këto gjëra që mbeten e na mbajnë gjallë, e na japin shpresë se një ditë sërish do të jemi mirë.

Është shpresa e parë në sytë e vajzës pesëvjeçare që me krahun e vetë të vogël me orë të tëra e ka mbrojtur motrën e saj poshtë rënojave. Është buzëqeshja e saj që na tregon se shpresa e njeriut nuk shuhet edhe kur është poshtë gërmadhave. Është shpirti i njeriut ai që i mbijeton çdo katastrofe dhe jo gjësendet e tij. Prandaj është shpirti ai që duhet të kultivohet dhe të ushqehet me mirësi, sepse kur gjithçka tjetër rënohet, shpirti është në gjendje të rindërtojë gjithçka deri sa sërish të jemi të bindur se do të jetojmë në përjetësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button