NJERIU I LIRË

Njeriu i Lirë nuk është njeri i askujt. Ai nuk rekrutohet. As nuk jeton nën hijen ose ombrellën e të tjerëve.

Njeriu i lirë është patrici dhe jo plebeu. Është ujku qafëtrashë që i zgjidh punët e veta dhe mban përgjegjësi personale për veprimet e tij.

Njeriu i Lirë është parë si i rrezikshëm. Është quajtur dezertor, armik, tradhtar. Është dënuar me burgim, internim, veçim, me vdekje. Por kurrë s’është zmbrapsur.

Njeriu i Lirë është si Maksimiliusi, që e refuzoi rekrutimin në ushtrinë romake, sepse ishte kundër luftës. U ekzekutua. Më vonë u kanonizua dhe u shpall shenjtor.

Njeriu i Lirë nuk mendon sipas statuteve dhe programeve partiake apo ideologjike. Ai s’e duron jetën nën maskë. S’e përfaqëson askënd tjetër përveç vetvetes. Njeriu i Lirë është biri i veprave të veta.

Njeriu i Lirë më shumë flet me veten se me të tjerët. Ai thirret në emrin e tij dhe jo në emër të kombit, fisit, racës, lavdive të së kaluarës.

Për Njeriun e Lirë kombi është më shumë se ai. Kombi është edhe Ata që kanë ikur. Kombi është edhe Ata që s’kanë lindur.

Njeriu i Lirë s’flet në emrin e të ikurve dhe as në emrin e të pa lindurve.

Njeriu i Lirë nuk trazohet nga obsesionet dhe ekstazat e turmës. I mjaftojnë (madje i teprojnë) obsesionet dhe ekstazat e tij.

Njeriu i Lirë s’e pranon konformizmin. Njeriu konformist sillet si gjithë të tjerët për të qenë i pranuar nga grupi. Njeriu i Lirë s’i detyrohet asgjë grupit. Ai vepron sipas bindjes dhe vullnetin të tij.

Njeriu i Lirë nuk është as Rob e as Padron. Kush flet dhe vepron sipas vullnetit të një tjetri është Rob. Kush synon t’i detyrojë të tjerët të mendojnë si ai është Padron. Si të tillë ata janë robër të njëri-tjetrit, sepse kanë ndërvarshmëri.

Njeriu i Lirë është ku(r)do i lirë. Ai është ujku i vetmuar që lirinë përherë e ka të zgjuar brenda vetes.

Njeriu i Lirë nuk ka dhe s’dëshiron të ketë ndjekës. Ai s’ka bashkëmendimtarë dhe as nuk i duhen.

Njeriu i Lirë është i tillë jo për shkak të të tjerëve, por për shkak të vetvetes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button