Rinia vazhdon eksodin drejt BE-së, alarm për pasoja të rënda ekonomike në RMV

Maqedonia e Veriut është larg vlerave evropiane kur është në pyetje politika sociale dhe punësimi. Rregullat sociale të vendeve të BE-së përfshijnë standardet minimale për ligjin e punës, barazinë, shëndetin dhe sigurinë në punë si dhe mos-diskriminimin. Në mungesë të këtyre kushteve, qindra mijëra shtetas të RMV-së kanë braktisur vendin gjatë viteve të fundit, shkruan Portalb.mk.

Kronikat e lajmeve ditore në RMV, thuajse çdo ditë alarmojnë fenomenin shqetësues të largimit të popullsisë drejt vendeve Perëndimore. Mungesa e perspektives, standardi i ulët i jetës dhe kushtet jo të mira në punë kanë ndikuar që nga vendi të largohen jot vetëm të pa punët por edhe persona të cilët kanë pasur një punë të rregullt dhe të sigurt. Për gati se një dekadë nga Maqedonia e Veriut janë larguar 700 000 qytetarë, gjë e cila tashmë ka filluar të reflektohet me mungesën e fuqisë punëtore në treg dhe ka përkeqësuar problemet strukturore në tregun e punës. Njohësit e çështjeve ekonomike lsitojnë edhe një sërë problemesh që pritet të shfaqen ekonominë e vendit.

Arbereshë Raveni – ekonomiste

“Migrimi masiv ndikon në zhvillimin demografik, në aktivitetin dhe konkurueshmerin e sektorit privat, në financat publike dhe në përgjithësi, rrezikon zhvillimin ekonomik të vendit tonë, sidomos migrimi i të rinjve dhe forcës punëtore të kualifikuar. Migrimi i të rinjve përkeqëson edhe më shumë trendet negative demografike si plakja e popullsisë dhe zvogëlimi i natalitetit ne vendin tonë. Kosto më të lartë ekonomike ka largimi i punëtorëve të kualifikuar, sepse duhet shumë kohë që kuadro të tillë të zëvendësohen. Mungesa e punëtoreve të kualifikuar do të ulë produktivitetin dhe konkurueshmerinë e firmave tona, do të ngadalësojë transformimin strukturor të ekonomisë sonë dhe si rrjedhoje konvergjencën ekonomike me vendet e EU, do të vështirësojë zbatimin e planit strategjik të Qeverisë për rritje të përshpejtuar ekonomike që në thelb ka investimet në sektorët me vlerë më të lartë të shtuar, për të cilat duhet forcë punëtore e kualifikuar. Migrimi masiv i të rinjve do të ndikojë edhe në rritjen e presionit mbi financat publike. Si rrjedhojë e largimit të personave të aftë për punë, do të zvogëlohen të ardhurat buxhetore dhe do të rrezikohet qëndrueshmëria e sistemit pensional në RMV”, deklaroi për Portalb.mk, Arbreshë Raveni, ekonomiste.  

Sipas Entit i Statistikave, shkalla e papunësisë është në 15.2% që paraqet dhe nivelin më të ulët të papunësisë që nga pavarësia e vendit. Përderisa kjo shifër u vlerësua si sukses nga autoritetet shtetërore, ekspertët e ekonomisë shprehen kritik për rezultatin në fjalë.

“Maqedonia e Veriut ka bërë progres në uljen e papunësisë dhe statistikat shtetërore tregojnë një trend rënës të papunësisë nga viti 2006 e tutje, megjithatë, nga aspekti ekonomik shkalla e papunësisë prej 15.2% në Maqedonisë së Veriut është shumë e lartë nëse e krahasojmë me normën natyrore të papunësisë’ (4-6%)”, thotë Raveni.

Ajo shton se duhet pasur parasysh se mënyra se si llogaritet norma e papunësisë përjashton ata individë që janë të papunë, por nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive. Nëse shikojmë statistikat e publikuar nga Enti Shtetëror për Statistike, niveli pothuajse stagnant i përqindjes së të punësuarve ne vitin 2021 dhe rritja e përqindjes së personave joaktive në tregun e punës, janë tregues se ulja e papunësisë në vendin tonë është “jo reale”.

“Pra, nuk është rezultat i rritjes se përshpejtuar ekonomike të vendit tonë dhe krijimit të vendeve të reja të punës, por realisht ulja e përqindjes së papunësisë i atribuohet dhe reflekton migrimin masiv te popullsisë, sidomos ikjen e të rinjve nga Maqedonia e Veriut”, u shpreh Arbëreshë Raveni.

Sipas Ravenit rezultat e regjistrimit të popullsisë të publikuara së fundmi, gjithashtu e konfirmojnë faktin që rënia e normës së papunësisë vjen si rrjedhoje e migrimit masiv. 

“Statistikat sygjerojnë se popullsia e aftë për punë është zvogëluar me 218 000 njerëz vitet e fundit dhe numri i personave joaktive ne tregun e punës është rritur me 136 000 njerëz. Pra, rënia e normës së papunësisë në nivelin më të ulët në 15.2%, nuk tregon ndonjë përmisim real në tregun e punës, rritje të produktivitetit apo zhvillimin ekonomik të vendit, por vjen për faktin se popullsia migron, pra nuk kërkon punë në mënyrë aktive dhe si rrjedhoje përjashtohet nga formula e llogaritjes se papunesisë”, shtoi Arbëreshë Raveni.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) është institucioni i cili ndër tjerash ka për obligim të sigurojë:

  • marrëdhëniet e punës, punësimin dhe të punësuarit;
  • sigurimin pensional-invalidor;
  • mbrojtjen e punëtoreve gjatë punës;
  • sigurim material të të papunëve të përkohshëm;
  • pagat dhe standardi jetësor;
  • politikën sociale;

Nga ky institucion deklaruan për Portalb.mk se po përgatitet Ligji i ri për Marrëdhëniet e Punës, përmes së cilit pretendohet se do të rregullohet disa çështje në këtë drejtim.

“Lidhur me përmirësimin e situatës së papunësisë dhe sigurimin e kushteve më të mira të punës, duhet theksuar se janë duke u ndërmarrë një sërë aktivitetesh, ndër të cilat është përgatitja e Ligjit të ri për Marrëdhëniet e Punës, forcimi i dialogut social dhe avancimi i marrëveshjeve kolektive, avancimi i cilësisë së punës dhe shërbimeve të njësive publike për punësim, marrja e masave për parandalimin e punësimit jo-formal etj. Ligji i ri për Marrëdhëniet e Punës, i cili është në fazën përgatitore, parashikon përmirësimin dhe promovimin e më tejshëm të fleksibilitetit të tregut të punës, në lidhje me format e nën-përfaqësuara dhe atipike të punësimit dhe të kontratave të punës, të cilat janë të rëndësishme për mbajtjen dhe përfshirjen e popullatës së aftë për punë në shtet, duke ruajtur potencialin njerëzor dhe si efekt të drejtpërdrejtë në uljen e shkallës së papunësisë, veçanërisht me një efekt të planifikuar tek të rinjtë”.

Ilustrim

RMV u kritikua në Raportin e KE-së në fushën e politikës sociale dhe punësimit

“Vendi mbetet mesatarisht i përgatitur në fushën e politikave sociale dhe punësimit. Është bërë njëfarë progresi me uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë, rritjen e përfitimeve për ndihmën sociale dhe vazhdimin e zbatimit të masave lehtësuese socio-ekonomike për të adresuar ndikimin socio-ekonomik të pandemisë COVID-19”, thuhet në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian.

“Duke marrë parasysh të gjitha sfidat e brendshme dhe të jashtme, të cilat kanë ndodhur në periudhën e kaluar, mund të konstatohet se kapitulli shënon vazhdimësi të qëndrueshme në drejtim të gatishmërisë për të pranuar dhe zbatuar standardet evropiane në fushën e politikës sociale dhe punësimit”, deklaruan për Portalb.mk nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. 

Meqenëse rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ato mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • të vazhdojë zbatimin e masave për aktivizimin e tregut të punës për të rinjtë, të papunët afatgjatë dhe me aftësi të ulëta, duke përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët, dhe të sigurojë vlerësimin e duhur të masave;
  • përmirësimi i mëtejshëm i kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës për të trajtuar çështjet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë; zhvillimi i një sistemi për gjurmimin e lëndimeve dhe vdekjeve në punë; dhe të përforcojë dialogun social dypalësh ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve;
  • të krijojë një sistem monitorimi dhe vlerësimi për shërbimet sociale dhe të vazhdojë reformën e mbrojtjes sociale me lidhje më të forta me aktivizimin e punësimit

Për mos përmbushjen e rekomandimeve të BE-së nga MPPS thonë se bëhet fjalë për rekomandime të cilat kërkojnë periudhë të gjatë kohore për realizim. 

“Sa i përket rekomandimeve të Komisionit Evropian nga viti i kaluar, pra nga Raporti për progresin e RMV-së për vitin 2021, duhet pasur parasysh se një pjesë e gjetjeve të deritanishme të KE-së janë realizuar, d.m.th.. vendi ka vepruar në lidhje me realizimin e tyre. Ato rekomandime që klasifikohen si të parealizuara, pra që nuk janë vepruar plotësisht, janë rekomandime, zbatimi i të cilave kërkon një periudhë më të gjatë kohore, pra janë masa dhe aktivitete që kanë vazhdimësi në zbatimin e tyre. Kjo nënkupton procese të mëdha reformuese në fushat e kompetencës së Kapitullit 3.19. Në veçanti, nëse i referohemi reformës në sistemin e mbrojtjes sociale, flasim për një proces të nisur në 2019, i cili prezantoi një përkufizim të ri të sistemit të mbrojtjes sociale sipas qëllimeve të tij. Me qasjen e re u prezantuan të drejta të reja (ndihma minimale e garantuar, shtesa arsimore), duke kombinuar të drejtat nga ndihma financiare, duke integruar të drejtat nga ndihma financiare dhe shërbimet sociale, si dhe duke forcuar aktivizimin e përfituesve të ndihmës minimale të garantuar”, theksojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Portalb.mk edhe më herët ka raportuar për papunësinë dhe sfidat me të cilat vazhdimisht përballen në vendin tonë. Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 u përballën me një sërë problemesh që tangojnë drejtpërdrejtë jetët e tyre. Ata në fjalorin e politikanëve janë prioriteti kryesor, por në praktikë autoritetet nuk bëjnë mjaftueshëm për ardhmërinë e tyre.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESSH), në tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e papunësisë e të rinjve në moshë prej 15 deri 24 vjeç ka qenë 34.8%, në tremujorin e dytë 30.8%, ndërkaq në tremujorin e tretë 32.6%, apo 3.8% më e ulët se në vitin 2021.

Për më tepër lexoni: Viti 2022 për të rinjtë e RMV-së: Papunësi, migrim, shëndet mendor i rënduar dhe të harruar nga institucionet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button