Aleanca për Shqiptarët nga e hëna në konsultime të brendshme partiake për hyrjen e mundshme në Qeveri

Aleanca për Shqiptarët këtë të shtunë në Kumanovë në Kuvendin Qendror do ta zgjedhë kryesinë e re, ndërsa nga e hëna përmes konsultimeve brendapartiake do të vendos për hyrjen në Qeveri, konfirmuan nga partia për MIA-n.

“Këtë të shtune do të mbahet mbledhja e Kuvendit Qendror të partisë, në të cilën do të zgjidhet kryesia e re e partisë – nënkryetarët dhe sekretarët. Ndërsa, në anën tjetër, oferta për të hyrë në Qeveri nuk do të vendoset të hënën, por do të diskutohet brenda partisë nga e hëna”, bëjnë me dije nga partia.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në deklaratë për një televizion kombëtar thotë se do ta pranojnë ftesën jozyrtare për anëtarësim në Qeveri vetëm për një luftë serioze kundër korrupsionit dhe nëse ka mundësi për të siguruar 80 deputetë për ndryshime kushtetuese.

“E treta, interesi më i rëndësishëm i qytetarëve është që vendi të ketë sukses të bëjë ndryshimet kushtetuese dhe të fillojë negociatat me BE-në. Nëse marrim informacione nga partitë e tjera në pushtet se ka mundësi të sigurojmë 80 vota, atëherë duhet t’i japim një shans ndryshimeve kushtetuese dhe negociatave me BE-në. Vlerësojmë se me një shumicë të tillë do të kontribuojmë që deputetët e VMRO-së dhe të gjithë partisë të binden më lehtë që të votojnë ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk ka shanse të tilla atëherë nuk shohim arsye pse të jemi pjesë e qeverisë”, thotë Taravari për Telma.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në deklaratë për media tha se ka mundësi që Aleanca për Shqiptarët të hyjë në Qeveri, por kjo do të varet edhe nga marrëveshja politike.

“Aleanca për Shqiptarët ka një vullnet të shprehur politik që është “për” konceptin evropian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po, ka shanse për këtë. Ashtu siç kanë thënë liderët e tjerë politikë. Dhe a do të ndodhë kjo? Kjo varet nga një marrëveshje politike. Marrëveshja politike ka gjithmonë dy aspekte – njëra është programatike dhe tjetra është personeli. Derisa të ndodhë një gjë e tillë, nuk mund të themi me siguri se do të ketë partner tjetër qeveritar, tha Kovaçevski në një përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në konferencë për shtyp në Qeveri, ku bashkë me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, informoi për procesin e skriningut dhe aktivitetet e mëposhtme lidhur me integrimet në BE.

Kryeministri thekson se është e hapur mundësia për të gjithë ata që duan t’i bashkohen konceptit të Maqedonisë së Veriut evropiane dhe tani është koha për ta bërë këtë, sepse siç tha ai, anëtarësimi më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian varet nga ne.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button