Shtetet e Bashkuara arrijnë kuotën maksimale të borxhit
Ka nisur numërimi mbrapsht për një dështim të mundshëm të qeverisë amerikane për të respektuar detyrimet e saj financiare, në një kohë kur përplasjet mes Presidentit Joe Biden dhe Dhomës së Përfaqësuesve po ngrenë shqetësimin nëse Shtetet e Bashkuara mund të shmangin një krizë të mundshme ekonomike, raporton VOA.
Departamenti i Thesarit njoftoi se qeveria arriti të enjten kuotën maksimale të lejuar për të marrë borxhe, që është 38.381 trilionë dollarësh. Tavani i borxhit është rritur afërsisht 80 herë, që nga vitet 1960.
Tregjet e aksioneve deri më tani janë të qeta, pasi qeveria mund të mbështetet përkohësisht në rregullime buxhetore dhe financat e saj dhe për disa muaj nuk do jetë të kërcënuara. Edhe disa analistë të shqetësuar besojnë se arritja e një marrëveshjeje është e mundshme.
Por marrëveshja shihet sot më e vështirë se në të kaluarën, për shkak të përplasjeve të forta mes Presidentit Biden dhe kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili deri tani nuk ka dëshmuar se e ka patur të lehtë ta mbajë nën kontroll grupin e ligjvenësve të tij republikanë.
Palët kanë disa muaj kohë për të arritur një marrëveshje, ndërsa Departamenti i Thesarit pritet të verë në zbatim përkohësisht disa masa të jashtëzakonshme, që do t’i bëjnë të mundur qeverisë të respektojë detyrimet e saj financiare, së paku deri në qershor.
Presidenti Biden këmbëngul që tavani i borxhit thjesht duhet rritur në mënyrë që të respektohen detyrimet aktuale financiare dhe refuzon të fillojë negociata me republikanët.
Zoti McCarthy, nga ana e tij kërkon negociata, që ai beson se do të çojnë në shkurtime të shpenzimeve qeveritare. Është e paqartë se deri në cilin nivel synon ai të shkurtohen këto shpenzime, po ashtu nuk dihet nëse kolegët e tij republikanë do ta mbështesnin atë, në kushtet kur për zgjedhjen e zotit McCarthy në krye të Dhomës së Përfaqësuesve u deshën 15 raunde votimi.
E pyetur dy herë të mërkurën nëse kishte prova që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve mund të mbështesnin qeverinë për të shmangur pamundësinë për të shlyer detyrimet financiare, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se është “përgjegjësia e tyre kushtetuese” të mbrojnë ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
“Nuk do ketë negociata për këtë,” tha Jean-Pierre. “Ata duhet ta ndiejnë përgjegjësinë që kanë.”
Zoti McCarthy thotë se Presidenti Biden duhet të pranojë realitetin politik të një qeverisjeje të ndarë dhe kërkon shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, që gjatë Presidencës së zotit Donald Trump nuk ndodhën ndonjëherë, madje ish-presidenti republikan, në vitin 2019, së bashku me demokratët, miratoi një ligj për eliminimin e tavanit të borxhit.
“Pse të krijojmë një krizë për këtë?” tha zoti McCarthy këtë javë. “Republikanët udhëheqin Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë Senatin dhe presidentin. Mendoj se është arrogancë të thuash: Oh, ne nuk do të negociojmë për pothuajse asgjë dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për financat”, tha ai.
Çdo marrëveshje do të duhet të miratohet edhe në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Shumë ligjvënës demokratë janë skeptikë në lidhje me aftësinë për të bashkëpunuar me republikanët që mbështesin lëvizjen MAGA të zotit Trump. Kjo lëvizje pretendon se zgjedhjet e vitit 2020, që u humbën nga zoti Trump, ishin të manipuluara, një gënjeshtër që ndikoi në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
“Me tavanin e borxhit nuk duhet të luhen lojra politike”, tha kryetari i shumicës republikane në Senat, Chuck Schumer.
“Është papërgjegjshmëri për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve McCarthy dhe republikanët e lëvizjes MAGA të përpiqen të përdorin emrin e mirë që kanë Shtetet e Bashkuara në financat globale, si mjet politik negociues”, shtoi ai.
Në mënyrë që qeveria të vazhdojë të respektojë detyrimet financiare, Departamenti i Thesarit paraqiti të enjten disa masa të jashtëzakonshme, që përfshijnë pezullimin e kontributeve qeveritare për fondet e pensionit dhe të kujdesit shëndetësor për punonjësit e qeverisë, duke i dhënë qeverisë fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet deri në qershor.
Se çfarë ndodh nëse këto masa shterojnë pa u arritur marrëveshja për tavanin e borxhit, nuk dihet.
Departamenti i Thesarit vuri në dukje se mospagimi për një kohë të gjatë i detyrimeve financiare mund të ketë ndikim shkatërrues, duke tronditur tregjet dhe duke çuar në shkurtime masive nga puna si pasojë e panikut.
Analistët paralajmëruan në një raport të publikuar të premte se “ekziston një shkallë e lartë pasigurie në lidhje me shpejtësinë dhe sasinë e dëmit që do të pësonte ekonomia e Shteteve të Bashkuara”.