Tabu shqiptare e ballkanase

Në vitet e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, intelektualja, artistja, piktorja, shkrimtarja, historianja, antropologja dhe udhëtarja e famshme britanike Edit Durham (1863-1944), erdhi ta vizitojë dhe ta njohë nga afër Ballkanin, dikur djep të kulturës evropiane, kurse në kohën e saj gropë të prapambetjes së kontinentit. Rezultat i udhëtimeve dydekadëshe janë librat që hedhin dritë mbi kulturën dhe traditat e ballkanasve, veçmas ato mbi kulturën, fiset, ligjet, zakonet dhe besëtytnitë e shqiptarëve të Malësisë së Veriut. Me veprat: “Shqipëria e Epërme”, “Brenga e Ballkanit”, “Lufta për Shkodrën”, “Ngatërresa 20-vjeçare ballkanike”, “Përmes tokave të Serbisë”, “Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve” dhe me shkrimet që botoi në revistat e njohura britaneze, Edit Durhami e bëri të njohur çështjen shqiptare dhe e përkrahu të drejtën tonë për krijimin e një shteti të pavarur në kufijtë e natyrshëm. Kurorë e veprave në fjalë është përmbledhja e artikujve dhe letrave të zgjedhura të Zonjës Durham “Shqipëria dhe Shqiptarët”, e përkthyer në shqip dhe e botuar më 2001 nga historiani dhe studiuesi i mirënjohur shqiptaro-britanik Bejtullah Destani.

Kontributi i Zonjës Durham për internacionalizimin e çështjes shqiptare vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm edhe në kohën tonë. Ajo si rrallë ndonjë studiues/e tjetër, është preokupuar edhe me tiparet e karaktereve kolektive të etnive ballkanase, botëkuptimet, virtytet, cenet, besimet, besëtytnitë dhe tabu-të e shpërndarë pothuajse në gjithë Ballkanin.

Në kapitullin VIII të veprës “Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve”, Ajo shkruan për tabu për emrat, për ushqimet, për flokët, për të treguar fytyrën, për të huajt, për hekurin etj. Këto tabu s’janë tjetër pos ndalime për të kryer një veprim të caktuar, për të zënë në gojë një fjalë, për të përdorur një send etj., sepse ndryshe pasonin ndëshkimet nga fuqitë e mbinatyrshme.

Sipas E. Durhamit tabuja për emrat (frika për të përmendur emrin e anëtarëve të familjes) ishte e parhapur edhe të shqiptarët edhe te sllavët. Bie fjala, nuset e reja nuk i thërrisnin njerëzit e familjes së burrit me emrat e tyre të pagëzimit, sepse kjo konsiderohej e turpshme. Në vend të emrave ajo shpikte nofka që shprehnin admirim dhe respekt. Në krahinat e Dukagjinit nuk ishte e këshillueshme të njihej emri i vërtetë i një burri. Në Bosnjë dhe në Mal të Zi e shtynin pagëzimin e foshnjave për dyt-ri vjet dhe e therrisnin me një nofkë, që shpesh u mbetej për tërë jetën.

Tabu shumë e përhapur gjithandej Ballkanit ishte dhe ajo për ushqimin. Sllavët ortodoksë e hanin mishin e derrit, por e shihnin me neveri mishin e breshkës, që preferohej nga katolikët e Dalmacisë dhe Shqipërisë. Katolikët, ortodoksët dhe myslimanët e konsideronin mishin e kalit si shumë të papastër. Në Dalmaci mishi i viçit konsiderohej i neveritshëm. Myslimanët e Ballkanit e kanë të ndaluar me fe mishin e derrit, të cilin nuk e fusin kurrë në gojë.

Tabuja për ushqimin shkon edhe përtej kësaj që u tha më lart. Gratë e morlakëve të Dalmacisë nuk hanin kurrë bashkë me burrat. Ato qëndronin me përulje rreth tavolinës, duke hequr ose duke sjellë ushqime, por pa guxuar të uleshin as për një çast. Edhe te malësorët shqiptarë ishte poshtërsi të haje me gratë. Nëse ndonjë burrë e lejonte gruan të hajë me të, ajo (gruaja) konsiderohej e pacipë. Zonja Durham përmend rastin që i ndodhi në Vuthaj (fshat i banuar me shqiptarë të besimit mysliman), ku iu lejua të hajë në sofrën e burrave vetëm pasi u mbajt një mbledhje shumë e gjatë dhe u konstatua se Ajo është një mysafire tepër e rëndësishme që mund të trajtohej në një shkallë me burrat.

Një tabu shumë e përhapur mes popujva të Ballkanit është edhe ajo për të treguar fytyrën. Edit Durham thotë se: gratë që mbuloheshin më tepër nga të gjitha , ishin ato të sllavëve myslimanë të Mostarit dhe të Sarajevës. Ndërkaq: gratë myslimane të fiseve malësore të Shqipërisë nuk e mbulojnë fytyrën kurrë; ato vijnë në treg dhe bëjnë pazare me çdo burrë; fytyrën e kanë të ekspozuar më tepër se shumë të krishtera. Në qytetet që ishin nën administrimin e nëpunësve turq, gratë e të cilëve bënin modën, të gjitha myslimanet shqiptare  ishin pak a shumë të mbuluara. Në Ulqin kjo ishte e theksuar dhe ua kalonin pothuajse edhe atyre të Mostarit. Mbulimi i plotë ose i pjesshëm i fytyrës nga gratë, nuk ka qenë dukuri e panjohuredhe në Greqinë e Lashtë… Në Shkodër, më 1901, të gjitha gratë e martuara katolike vinin një vel të gjatë e lidhëse që e mbërthenin në pjesën e poshtme të fytyrës dhe e palosnin mbi kokë. Edhe vajzat e pamartuara katolike e mbështillnin okën me një pëlhurë të trashë pambuku. Shumica e fshatrave ortodokse, si bullgare ashtu edhe greke, vinin mbi kokë një shami të madhe dhe dy cepat e gjatë i mbështillnin rreth gojës. Në këtë mënyrë e mbulonin gojën edhe vajzat malazeze dhe gratë katolike të Bosnjës…

Gjithnjë sipas zonjës Durham, mbulimin e kokës e bënin edhe burrat ballkanas. Ata flenin me koka të mbuluara edhe kur bënte vapë e madhe. Këtë e bënin nga frika e syrit të keq dhe shpirtrave të këqij që ishin me bollëk në Ballkan. Ata besonin se shpirti gjithmonë ikën nëpërmjet vrimave të kokës – hundës dhe gojës, ndaj merrnin masa paraprake. Ky zakon ishte i përhapur edhe në Lindje dhe bregdetin mesdhetar afrikan. Ata si pikë të rrezikshme e konsideronin edhe vrimën e veshit.

Këto dhe të dhëna të tjera interesante të lidhura me jetën dhe botëkuptimet e dikurshme të popujve të Ballkanit që, një herë e një kohë, nuk dalloheshin shumë nga njëri-tjetri, mund të lexohen në librat e autorëve joballkanas, si ata të zonjës Edit Durham, që gjërat nuk i kanë parë dhe nuk i shohin nga prizmi i politikave hegjemone, të cilat kanë prodhuar e prodhojnë paragjykime idiote për të justifikuar epërsitë e shpifura kulturore dhe zaptimet e tokave të tjetrit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button