Sindromi i Stokholmit

Gjashtë vjet pas Janarit të vitit 2017, kur për javë të tëra u negociua për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të Dhjetorit 2016, dhe kur VMRO-DPMNE përfundimisht ra nga pushteti pas një periudhe dhjetëvjeçare të sundimin në një shtet të robëruar, sërish kemi një situatë deja vu – deja vecu, të histerizimit mbi pyetjen e përjetshme: “Çfarë duan shqiptarët?” Takimi i liderëve të partive politike shqiptare me Kryeministrin Edi Rama sërish i ngriti tensionet në Maqedoninë e Veriut, ku nuk janë duke reshtur reagimet për këtë takim dhe ku përfolët e ashtuquajtura Platformë e dytë e Tiranës. E gjithë kjo ma kujton kohën kur aq shumë u ngritën tensionet në vitin 2017, pikërisht në bazë të Platformës së parë të atëhershme, sa që e gjitha përfundoi me veprën penale Cenim terrorist i rendit kushtetues që ndodhi me 27 Prill 2017. Rrallë gjëra arrijnë ta mobilizojnë popullatën regresive në Maqedoninë e Veriut si frika nga platformat shqiptare që herë-herë paraqiten në këtë nënqiell dhe vënë gjithçka në lëvizje.

Pjesëmarrësit në takimin e Tiranës më kot sqarojnë se ky ka qenë një takim i relaksuar i fillimit të vitit ku është biseduar për rrugën e integrimit evropian dhe rolin e shqiptarëve në të. Ajo që konspiratorët në Maqedoninë e Veriut e dëgjojnë është komplot i shqiptarëve për shpërbërjen e Maqedonisë dhe për zhdukjen përfundimtare të identitetit maqedonas. Këtë mendim e përforcon edhe më shumë VMRO-DPMNE e cila ushqehet me tema të këtilla dhe arrin ta mobilizojë gjithmonë atë pjesë regresive të popullit maqedonas, të mbushur me frikë e urrejtje. Për ta kuptuar atë pjesë të popullit mjafton të studiohet anketa e fundit e IRI-t e cila tregon që politikani me rejting më të lartë në këtë shtet është ish-kryeministri i cili gjendet në arrati, tani më për katër vite. Gruevski, sigurisht i inkurajuar nga kjo anketë, shkroi para ca ditësh në Facebook se nuk është gjë e pamundur që ai brenda këtij vitit të kthehet në Maqedoni, sepse ndoshta Zoti ka plane të caktuara për veprimet e tij politike. Pra ai e ka kuptuar anketën si shenjë hyjnore që i jepet mesias që të vijë dhe ta shpëtojë popullin e tij biblik.

Rritja e rejtingut të VMRO-DPMNEsë pa asnjë reformë esenciale brenda partiake dhe pa shkëputje nga e kaluara kriminale, për më tepër, rritja e rejtingut të ish-kryeministrit të dënuar për vepra të korrupsionit e të arratisur që të mos vuajë dënimin nuk mund të shpjegohet ndryshe përveç përmes Sindromit të Stokholmit. Ky sindrom shpjegon gjendjen psikologjike të njeriut të robëruar, të keqtrajtuar dhe të abuzuar i cili zhvillon ndjenja pozitive ndaj robëruesit, keqtrajtuesit dhe abuzuesit të tij. Me fjalë tjera, mendja e robëruar e kërkon robërinë dhe e sheh këtë si shpëtim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button