Holstein: Ndryshimet kushtetuese nuk janë të dhimbshme për RMV-në edhe pse procesi duket i tillë

Ambasadorja gjermane Anke Holstein e cila po largohet këto ditë nga vendi në një intervistë për “Nezavisen” përcolli pritshmëritë e saj për vendin dhe rekomandimet e saj, ku mes tjerash foli për ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen, ajo thotë se nuk janë të dhimbshme për vendin por të njëjtat duhet t’i hapin rrugën drejt BE-së vendit, transmeton Portalb.mk.

“Ky ndryshim kushtetues nuk ka alternativë. Besoj se për nga përmbajtja nuk është aspak keq për Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i dëshiruar kushtetues specifikon gjëra që nuk janë të dhimbshme për askënd. Por që procesi si i tillë është shumë i dhimbshëm për vendin, e kuptoj plotësisht. Sepse ka pasur një ndryshim kushtetues pas Marrëveshjes së Prespës dhe më pas ka pasur një premtim se do të mjaftonte për t’i hapur rrugën jo vetëm NATO-s, por edhe BE-së. Dhe tani edhe një herë duhet ndryshuar kushtetuta, dhe kjo dhemb dhe duket e padrejtë, por besoj se në fund është një hap që thjesht duhet bërë. Të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen evropiane të vendit duhet të bashkëpunojnë mes palëve: E ardhmja e vendit duhet të jetë mbi interesat e partive individuale”, da deklaruar Holstein.

Sipas saj, vendi nuk e meriton të shkëputet nga rruga evropiane.

“Bëhet fjalë për procesin e gjerë tashmë të përmendur të modernizimit të të gjithë shoqërisë, i cili do t’u sjellë të mira të gjithë njerëzve në vend. Për këtë po flasim në afrimin me BE-në dhe në pranimin përfundimtar. Kjo është arsyeja pse ndryshimi kushtetues duhet të pasojë këtë vit dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në këtë hap të vështirë, natyrisht pa dashur ta detyrojmë apo imponojmë asgjë”, theksoi Holstein.

Mes tjerash, Holstein theksoi se ka parë “shumë pak progres” në luftën e korrupsionit gjatë qëndrimit të saj në vend.

Vetëm para pak ditësh, ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani deklaroi se mos bërja e ndryshimeve kushtetuese mund të sjell ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka deklaruar se për momentin nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, në momentin kur do të konsiderojnë se i kanë kushtet për të nisur një iniciativë, ai do të jetë i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veprojë sipas procedurës, pasi të merret iniciativa më tutje.

Nga VMRO-DPMNE kanë theksuar se mbeten të qëndrimit se nuk i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Ata në një konferencë për media theksuan se si parti mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se nëse do të ketë zgjedhje, në programin e tyre parazgjedhor do të deklarojnë në mënyrë të detajuar se si do të vazhdojë vendi në atë rrugë.

Kreu i Lëvizjes BesaBilall Kasami për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme ka deklaruar se këto duhet të diskutohen në takim të liderëve të partive parlamentare që të arrihet në një dakordësi të përbashkët.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh ka deklaruar se për të është e qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por nga ta pret që të tregojnë sjellje burrështetasish. Ajo që është e qartë sipas kryeministrit, është se deputetët kanë zgjedhjen ta lënë vendin në stagnim ose të marrin një vendim për një të ardhme më të mirë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button