U zbardh kontrata e Shqipërisë për shërbimet e satelitëve

Për tre vitet që Shqipëria do të marrë shërbim, dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2, do t’i ofrojnë një skanim të paprecedentë të të gjithë territorit, raporton Klan. Në kontratën që disponon Tv Klan, të nënshkruar në Shtator të vitit të kaluar mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile me operatorin Satellogic USA, është e specifikuar shërbimi i detajuar që do të merret.

Në pikën 10 të kontratës parashikohet jo vetëm monitorimi i territorit, por dhe mundësia për të zhvilluar  kapacitetet teknike e profesionale në vend për këtë lloj shërbimi. Gjithashtu do të ofrohet edhe përpunimi i Informacionit Gjeohapesinor (GIS) si dhe ofrimi i produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Specifikisht, Agjencia jonë e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion me saktësi dhe imazhe të cilat afrohen deri në 70 cm mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora.

Do të ofrohet gjithashtu edhe një skanim i një zone mbulim prej 25 kilometrash përgjatë gjithë hapësirës kufitare zyrtare tokësore.

Vetë Kryeministri kur njoftoi në 2021 se Shqipëria do të niste satelitë në hapësirë deklaroi se ato do të përdoreshin si mjete për të fituar betejat e policisë me trafikantët për sipërfaqet e mbjella me lëndë narkotike, kalimet e paligjshme të kufirit, për ndërtimet pa leje, por dhe për të pasur një pamje të qartë të hapësirave të prekura nga fenomene si zjarret, përmbytjet, dëmtimi i pyjeve nga prerjet pa kritere apo gjuetia dhe peshikimi i paligjshëm.

Kontrata ka një vlerë prej 663 milionë Lekësh ose 6 milionë Dollarësh.

Dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë nga raketa Falcon të martën nga stacioni në Cape Canaveral në Florida në orën 09:56 me orën lokale, 14:56 me orën në Tiranë. Një misioni i përbashkët ky me SpaceX Transporter 6.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button