Procedurë disiplinore për ish-prokuroren për krim të organizuar dhe korrupsion Vilma Ruskovska dhe dy koleget e saj

Komisioni Disiplinor i Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim me të cilin “fillohet procedurë disiplinore kundër ish-prokurores publike themelore të Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe dy prokuroreve të tjera nga kjo prokurori”, njoftojnë nga prokuroria, transmeton Portalb.mk.

Në fakt bëhet fjalë për ish-drejtuesen e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK), Vilma Ruskovska, procedura disiplinore ndaj së cilës u ngrit në muajin gusht me propozim të kryetarit të Prokurorisë Publike.

Më 8 gusht Arafat Muaremi, drejtori i Policisë Financiare, parashtroi kallëzim penal kundër Ruskovskës dhe dy kolegeve të saj, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, për shkak të hyrjes së Ruskovskës në mjediset e policisë financiare.

Komisioni Disiplinor i Prokurorisë mbajti seancën dëgjimore në të cilën shqyrtoi raportin me shkrim të informatorit pas propozimit për fillimin e procedurës disiplinore dhe deklaratave me shkrim të prokuroreve publike dhe vlerësoi se “ekziston dyshim i bazuar se tri prokurore publike kanë bërë shkelje të rëndë disiplinore nga neni 91 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurorinë Publike”, njoftuan nga Prokuroria.

Kundër këtij vendimi të Komisionit nuk është e lejuar që të bëhet ankesë. Në fazën e radhës të procedurës Komisioni do të caktojë seancë në të cilën do të thirret parashtruesi i propozimit për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe tre prokuroret publike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin provat e tyre dhe të japin deklarata lidhur me propozimin e parashtruar, thuhet në njoftim.

Rikujtojmë që këtë vit bujë më të madhe ka shkaktuar zgjedhja e prokurorit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit nga Kërçova, i cili u akuzua në opinion për afërsi të tij me funksionarët e BDI-së, për çka u publikuan edhe disa fotografi. Për zgjedhjen e tij edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shkup deklaroi se është e habitur me procesin, ndërkaq Abazi mohoi çdo lidhje të tij me BDI-në.

Vilma Ruskoska dhe Islam Abazi
Vilma Ruskoska dhe Islam Abazi

Zgjedhja e tij erdhi pas ngjarjeve mes prokurores Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Ruskovska u suspendua për shkak të bastisjes në Policinë Financiare, ndërkaq Muaremi dha  dorëheqje një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button