Asgjë e re në frontin e drejtësisë

Bëhen gati tetë vjet nga dita kur Zoran Zaev shpalli publikisht skandalin më të madh të përgjimeve që kishte zgjatur me vite të tëra ku mbi 20.000 qytetarë ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme nga shërbimet sekrete. Ishte ky skandali që tronditi shtetin, shkasi për dy marrëveshjet e Përzhinës, dhe për themelimin e Prokurorisë Speciale. Ishte ky skandali që filloi procesin e ndryshimeve të shprehur përmes protestave të shumta ku të gjithë qytetarët së bashku dolën në rrugë për të kërkuar vetëm një gjë: drejtësi. Motoja “Pa drejtësi nuk ka qetësi” jehonte rrugëve të qyteteve. Kërkesa për përgjegjësi për krimet që dolën në shesh nga bisedat e përgjuara ishte në krye të listës së kërkesave të qytetarëve që ëndërronin se një ditë do të mund të jetojnë në shtet ku sundimi i së drejtës funksionon dhe ku qytetarët janë të sigurt se ata që gabojnë, dënohen.

Prokuroria Special e atëhershme ngriti akuza ndaj më shumë se 90 personave lidhur me veprat penale që lidheshin me përgjimet. Rasti kyç i kësaj prokurorie ishte pikërisht rasti “Target-Fortesa”, ku duhej të dëshmohet se kush, përse dhe në çfarë mënyre e ka realizuar procesin e përgjimeve. Ky rast u gjykua në shkallë të parë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Sasho Miajllkov u dënua me burg në kohëzgjatje prej 12 vjetësh. Këto ditë Gjykata e apelit e anuloi vendimin e gjykatës themelore dhe lëndën e ktheu në rigjykim me arsyetimin se në gjykimin e shkallës së parë ka pasur shkelje të Ligjit të procedurës penale. Plot tetë vjet më vonë gjyqësia jonë nuk është në gjendje të vendosë përgjegjësi për skandalin më të madh të këtij shekulli. Plot tetë vjet me ngulm synohet që vepra e gjykuar të parashkruhet dhe personat e involvuar të shpëtojnë pa dënim. Plot tetë vjet më vonë drejtësia ende nuk po vendoset, pavarësisht se shteti duhet për çdo ditë të japë llogari para institucioneve evropiane se si përparon në rrugën e sundimit të së drejtës. Plot tetë vjet më vonë përmbyllet edhe një vit ku drejtësia mbetet e parealizuar.

E gjithë kjo situatë ma kujton rastin e Gjykimeve të famshme në Lajpcig. Lufta e Parë Botërore është konsideruar në atë kohë ngjarja më e përgjakshme për gjithë njerëzimin. Absurdi i luftës dhe vuajtjet pa fund të një gjenerate të tërë të rinjsh përshkruhen në mënyrë maestrale nga Erich Maria Remarque në librin e tij të njohur “Asgjë e re në Fronitn e Perëndimit”. Pas përfundimit të asaj lufte të përgjakshme, kërkesa për drejtësi ka qenë aq e zëshme sa është bërë pjesë e Traktatit të Versajës me të cilin ka përfunduar kjo luftë. Sipas atij traktati, është dashur që Mbreti Vilhemi II të gjykohet në një gjykim ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, si fajtor kryesor për luftën ku miliona njerëz humbën jetën. Poashtu, plani ka qenë që plot 995 veta të gjykohen për krime lufte dhe të vendoset njëherë e mirë përgjegjësi penale për këto akte makabre. Plani ka qenë i mirë, por realizimi i planit ka qenë një dështim spektakolar. Vilhemi II është arratisur në Hollandë dhe është strehuar tek kushëriri i tij i cili ka refuzuar ta ekstradojë me arsyetimin se krimet për të cilat ai ndiqet nuk janë të njohura si krime në legjislacionin penal të Hollandës. Nga 995 personat e hetuar në fillim, në Lajpcig janë gjykuar vetëm 12 persona dhe ata kanë marrë dënime qesharake me burg nga disa muaj deri në katër vjet, dënime që zakonisht jepen kur bën ndonjë veprim të rrezikshëm në komunikacion, ose kur bën ndonjë mashtrimth të vogël. Historikisht Gjykimet në Lajpcig njihen si gjykime farsë, qëllimi i vërtetë i të cilave nuk ka qenë vendosja e drejtësisë por futja e problemeve ndër qilim dhe “zgjidhja” e tyre sa për sy e faqe. Rezultati direkt i atyre gjykimeve ka qenë ardhja e Hitlerit në pushtet dhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore e cila ka rezultuar disa herë më e përgjakshme se Lufta e Parë Botërore.

Historia na mëson se gabimet që nuk dënohen, përsëriten si gabime shumëfish më të rënda. Pikërisht kjo po ndodh tani në Maqedoninë e Veriut. Përgjegjësia për skandalin e përgjimeve momentalisht bartet vetëm nga Jankullovska që është në vuajtje të dënimit. Personalitetet kryesore janë njëri në arrati e tjetri në burgun e Strugës ku thonë se nuk dihet edhe a qëndrojnë të burgosurit aty ose jo. Dalëngadalë veprat për ta parashkruhen dhe me durim pritet dita e rikthimit të madh. Që tani anketat tregojnë që politikani më i popullarizuar në këtë shtet është ish-kryeministri në arrati. Të gjitha kushtet për rikthim janë pjekur, pritet vetë dita kur Gjykata në Strasburg të shpallë se edhe faljet e dhëna nga ish-presidenti Ivanov kanë qenë të ligjshme që gjithçka të kompletohet dhe të fillojmë përsëri nga fillimi, me mësime të pamësuara dhe me asgjë të re nga fronti i drejtësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button