Mbi maltusët e demokracisë

Në agun e demokracisë me tipare diktature, trojeve shqiptare të shtetit tonë të dashur nisën vërdallisjen pseudokrijuesit dhe pseudoakademikët e lidhur mish e thua me pushtetarët e posatebdilosur në demokratë. Ata vinin t’na ligjërojnë profka mbi vlerat kosmopolite, sepse vetë kishin lindur kosmopolitë. Asokohe ishin në modë shkëpurdhjet mbi bilinguizmin, tolerancën, bashkëjetesën dhe fluskat tjera të rezervuara vetëm për rajën… Ata pandehnin se ishin harruar paralelet e përziera, kur për një nxënës maqedonas, që futej kastile në mesin e 30 nxënësve shqiptarë, profesorët detyroheshin t’i mbajnë orët mësimore në gjuhën maqedonase. Ata mendonin ishin harruar edhe shprazjet e bibliotekave të shkollave shqipe, dënimet me burg të intelektualëve në bibliotekat e të cilëve gjendej ndonjë libër mbi historinë e shqiptarëve, diferencimet politike, përjashtimet nga puna të mësimdhënësve për shkaqet më banale të mundshme, ndalimin e përdorimit të toponimeve shqipe, ndalimin e pagëzimit të fëmijëvë me emra shqip e hajt bir.

E veçanta e takimeve në fjalë ishte prezenca simbolike e bashkëkombasve të profkaxhinjëve dhe ikja e tyre para mbylljes së ligjëratave të pispillosura në fund me pak debat. Ikjet nuk ishin të parëndësishme, sepse linin pas mesazhin: Ky nuk është problem yni, linte shqiptarët, që në mexhlise të tilla nuk merrnin guximin të flasin shqip as me  bashkëkombasit e tyre.

Asokohe ishte e kotë t’u sqarosh kosmopolitëve se në këto mese, të paktën që nga 1945-ta, është kultivuar me sistem jotoleranca, që lindi më pas padrejtësitë oqean, brezat e frustruar, komplekset e vlerave të larta, xhelozitë e sëmura, paragjykimet, doktrinat e bazuara në superioritetin e rremë racor… Për të tillët ishte shpifje e dhëna e pamohueshme se në këto hapësira popullata sllave ka qenë e privilegjuar dem baba dem. Ishte e kotë edhe përpjekja për t’i bindur se shkaqet e të gjitha ligësive të shtetit tonë të dashur buronin nga përpjekjet idiote të kastës e cila synonte t’na zhveshë me çdo kusht edhe nga ato pak të drejta të trashëguara nga ish Jugosllavia , t’na shfytyrojë  e shndërrojë në robër të dresuar që do të marrin frymë, do të qeshin e do të qajnë në ritmin e padronëve liliputë, që nisën të besojnë se u bënë superfuqi. Jo rastësisht u lindi dhe ideja për kufizimin e natalitetit të shqiptarëve që, sipas kokëboshëve, lidhej me luftën tonë biologjike për ta dominuar numerikisht, sipas tyre, kombin e zgjedhur të Perëndisë.

Nuk do mend se masat infantile ndaj natalitetit tonë “të rrezikshëm”; shpifja për gjoja derdhjen masive në RM të kosovarëve, pas luftës së fundit me Serbinë (1998/99); përralla bishtdhelpër për shqiptarizimin e popullatës sllave të Rekës së Epërme dhe çmenduritë e ngjashme qenë pjellë e mendjeve të atrofuara shoviniste, që akoma nuk janë shëruar plotësisht, gjë që shihet në klithjet për vdekjen e shqiptarëve edhe për shkak të prishjes së raporteve të kombit biblik me greqinë a me bullgarinë, edhe për shkak të një ndeshje sportive të humbur nga cilido shtet i botës, edhe për shkak të gomarit që ka ngordhur parvjet…, sepse në trurin e tyre ka zënë myshk bindja se çdo e keqe u vin prej nesh.

Pikërisht kjo mendësi maltusiane (Tomas Robert Maltusi qe ekonomist anglez i sh. XVIII, i cili shkaqet e mjerimit të njerëzimit i shihte te nataliteti i lartë i disa popujve…) polli fobinë e “ekspertëve”, sipas të cilëve, në një të ardhme jo fort të largët, shqiptarët do të bëhen shumicë në RMV. Shi për këtë, diplomatët perëndimorë, që janë shëruar prej shekujsh nga histeritë mesjetare , ua kanë thënë më shumë se një herë albanofobëve se, meqë nuk do t’ia dilni kurrë të ndryshoni rrotullimin e tokës rreth bushtit të vet, silluni mirë me ata që i konsideroni pa të drejtë pakicë kombëtare, që, nëse një ditë ndodh të bëheni ju pakicë, të sillen edhe ata mirë me ju.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button