Imazhe nga ishulli i pafajësisë

Sa më shumë rritemi (ose plakemi), aq më shumë e kërkojmë ishullin e fëmijërisë, aty ku ruhet perla e jetës. Imazhet e kësaj bote flatërore janë si bar shërues kur jeta na rëndohet nga trishtimi. Shumica i kujton me mall çastet e përjetuara si fëmijë, kurse artisti i ringjall nëpërmjet artit.

Në këtë botë të largët, në këtë ishull pafajësie, shpesh e gjen frymëzimin piktori i veçantë Selam Abdiu. Ai, nëpërmjet artit pamor, sjell imazhe nga vendlindja e tij, nga ky vend me natyrë shumë të bukur. Pikturat e tij na kthejnë në botën për të cilën kemi nevojë. Në botën e pa kontaminuar nga meskinitetet dhe ankthet botës urbane.

Pikturat e Selam Abdiut na krijojnë ndjesi të veçantë estetike. Janë mbresëlënëse veçanërisht pikturat me motive nga fshati dhe nga Sharri i bukurive të përjetshme.

Selam Abdiu nuk e “kopjon” realitetin, por e krijon një realitet artistik, simbolik. Ai sikur na fton ta shohim botën në të cilën njeriu nuk synon ta sundojë natyrën, por e shijon, bëhet njësh me të, gjen prehje, e gjen aty vetveten.

Pikturat e Selam Abdiu për mua janë të veçanta, sepse shfaqen imazhe të vendlindjes sime. Aty kanë lindur ëndrrat e mia fëmijërore e djaloshare. Aty ruhet lidhja me të parët, që tani janë frymë, kujtesë, mall, dhembje.

U rikthehem këtyre pikturave, sepse e kam ndjesinë sikur i rikthehem fëmijërisë, të kaluarës, botës që nuk i mungonin prindërit e mi, të cilëve gjithnjë e më shumë ua ndjej praninë eterike.

Në atë botë kam ëndërruar për sukseset dhe lavditë e ardhshme. Aty lindën shumë iluzione që u tretën përgjatë rrugëtimit jetësor. Në atë botë kisha më shumë ëndrra. Jeta është e bukur kur ka më shumë ëndrra e iluzione…

Një pikturë e Selam Abdiut titullohet “Kepi i Hutit”. Shumëkush mund të mendojë se piktori e sajoi këtë titull për pikturën e tij. Por, Kepi i Hutit ekziston. Ashtu është quajtur gjithmonë nga bashkëvendësit e mi dhe të piktorit.

Kjo pikturë më rikthen në kohë. Te ky kep i bukur dhe i frikshëm njëkohësisht, pra te ky kep madhështor, të cilin sikur e ka krijuar një skulptor gjenial, edhe pse është krijuar nga ndërhyrjet e presionet milionavjeçare, mblidheshim shokët e fëmijërisë dhe nën avujt e çajit shpalosnim ëndrrat tona, pa u merakosur se jetonim në një botë të trishtë.

Kepi është aty. Madhështor, majëmprehtë, i bukur. Mungon shumëçka tjetër. Mungojnë shokë të fëmijërisë. Por, unë i ndjej. Ata janë frymë. Dhe i ndjej më shumë derisa i shikoj pikturat e Selam Abdiut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button