SHBA-ja kategorikisht kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë, paralajmëroi Escobar

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetësuar negocimin e tij.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, Serbia do të kërkojë nga KFOR-i kthimin e forcave të saj në Kosovë. Si e sheh SHBA-ja këtë?

Gabriel Escobar: Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së nëse Beogradi do të bënte një inkursion të armatosur?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button