Atdheu në tri përmasa

Sprova e Sami Frashërit Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhëtë? (Bukuresht, 1889) është quajtur program politik dhe ideologjik “për shpëtimin e mëmëdheut nga rreziqet që e kanë rrethuar”. 

Sprova flet për historinë, aktualitetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Pra, është projekt për krijimin dhe organizimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Samiu shkroi për të kaluarën, aktualitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve e të Shqipërisë sipas modelit të racionalistëve europianë: ta njohim të kaluarën, për ta njohur të tashmen, që të krijojmë vizion të qartë për të ardhmen.

Samiu synon ta përcaktojë idealin e ri të shqiptarëve. Ata, sipas tij, duhej të besonin në Zot, në drejtësi, në komb, në gjuhë; të punonin të bashkuar e pa përçarje, pra si vëllezër, si një trup e mendje për një qëllim e një besë.

E KALUARA. Sami Frashëri, si rilindës, e mbron tezën se shqiptarët ishin me origjinë pellazge, kurse etnonimin arbër  e nxjerr nga fjala arbënë  –  ata që e punonin arën, tokën, pra që ishin autoktonë dhe duhej ta kishin shtetin e pavarur.

Sipas tij, shenja kryesore identitare e shqiptarëve ishte gjuha shqipe, për të cilën thotë se është më e lashta, më e bukura dhe shoqe me greqishten e vjetër, latinishten e sanskritishten. Sugjeronte ruajtjen dhe kultivimin e shqipes nëpërmjet librave dhe shkollave.

Samiu shkruan edhe për historinë e Shqipërisë dhe pushtimet e ndryshme. Thotë se romakët i pushtuan tokat e paraardhësve të shqiptarëve, por nuk i bënë robër. Në kohën e romakëve dhe bizantinëve, shkruan ai, u harruan emrat Iliri, Maqedoni, Epir dhe përdoreshin emrat Albania ose Arbëria.

Pastaj shkruan për pushtimet e Shqipërisë nga Bizanti, Bullgaria, Serbia dhe Perandoria Osmane, por edhe për principatat e vogla shqiptare: të Kastriotëve, Topiajve, Dukagjinëve, Muzakëve, që u pushtuan nga Turqia për shkak të përçarjes. Në historinë shqiptare e veçon periudhën e Skënderbeut, sepse Shqipëria, për herë të parë, funksionoi “me një mbret trim e të zotë. Europa, shkruan Samiu, edhe pse i vari shpresat te Skënderbeu, sërish nuk ia kurseu intrigat. Papa dhe hungarezët e fusnin Skënderbeun në zjarr, por vetë tërhiqeshin. Pas vdekjes së tij, Shqipëria ra në duart e osmanëve. Më pas shqiptarët filluan të shërbenin në ushtrinë dhe administratën e Perandorisë. Edhe pse e pranuan “besën e re” [fenë], ende ishin të lëkundur në besim.

Shqiptarët, sipas Samiut, i dhanë Perandorisë Osmane 26 vezirë të mëdhenj, ndër më të dëgjuarit në historinë osmane. Ata vetëqeverisnin brenda Shqipërisë dhe gjetën në këtë perandori atë që donin: nder, armë, kuaj, rrëmbime dhe liri arbitrare. Osmanët gjetën te shqiptarët: trimëri, besë dhe gjak të derdhur pa kursim.

Samiu e trajton edhe dukurinë e mercenarizmit te shqiptarët, të cilët punuan “gjithnjë për botë e kurrë për vetëhe”. Luftuan për grekët, romakët, bizantinët dhe osmanët. Prej këtyre burrave të guximshëm e të ditur Shqipëria fitoi pak ose aspak.

“Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kursim, po e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjaku i Shqipëtarëvet: gjithnjë të huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i derdhurë pa mendim!” , shkruan ai.

Shqiptarët i dhanë Perandorisë Osmane edhe dijetarë.

“Shumë shqiptarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të tjerë gjërëra; po me këta të tjerë mburenë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria”.

Kishte edhe shumë poetë të njohur me origjinë shqiptare.

“Në kohët të Tyrqet kan’ ardhurë shumë Shqipëtarë të diturë, që kanë shkruar livra e vjersha turqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë shqipëtarë, që kanë shkruarë vjersha turqisht, janë aqë të shumtë sa emënat e tyre mundt të mbushinë një livrë të tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të mbëdhenjt’ e nga më të dëgjuarëtë e vjershëtarëvet tyrq, është shqiptar“.

Ndryshe nga shumë personalitete me origjinë shqiptare, që punuan për idealet dhe kauza të huaja, Skënderbeu veproi ndryshe.

“Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat e shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.”

AKTUALJA. Në pjesën e dytë të librit Samiu shkruan për aktualitetin shqiptar. Thotë se në të kaluarën shqiptarët nuk ishin bërë rob të turqve.

“Ata ishin shokët’ e tyre, me të cilët bashkë hidheshin mi kombet e tjerë, rripnin e rrëmbeninë edhe ktheheshinë në vent të tyre ngarkuarë me gjë”.

Duke vepruar kështu, Shqipëria “ish e dlirë e pothuaj me vetëhe”. Kështu zgjati për qindra vjet, derisa gjendja ndryshoi. Shqiptarët u bënë robër, të poshtëruar, të uritur, të shkelur dhe të shpërndarë. Gjendja e tyre u bë më e keqe se e grekëve, sllavëve, armenëve dhe hebrenjve.

“Tyrqia e ka ngriturë besënë nga shqipëtarëtë, nuk i beson e i vështron si anëmikë e si trathtorë, jo si shokë e si vëllezrë, si i vështronte qëmoti. Sot shqiptarin e mer ushtar, e mundon dhe e reh që të mësonjë gjuhën e tij, kërkon t’i mësonjë diturin’ e luftësë, të cilënë ay vetë s’e di e të cilënë shqiptari e ka mësuarë duke thëthiturë qumbështit e s’ëmësë. Nuk’ e mëson të gjorinë, po e mahit e çpërmënt, e mer për tre vjet, e mban dhjetë vjet nën’ armë lark shtëpis e lark mëmëdheut të ti, edhe qysh? Lakuriq, t’urëtë, të sëmurë, të varfër!

Shqiptarët vdisnin në luftime, nga sëmundjet dhe kushtet e rënda për qëllimet e perandorisë.

“Shqipëtarëtë, q’ishinë mësuarë të mos paguajnë gjë, tani janë futurë nën’ aqë të rënda pagesa, sa s’mundinë të ngrenë krye. Tyrqitë, që janë zotërinjt e tyre që pesëqint vjet e tëhu, s’u kanë mësuarë shqipëtarëvet as punë, as mjeshtëri, as dituri, po i kanë mësuarë të lëftonj; e të rrëmbejnë, tani përnjehrë duanë t’u marrënë armëtë e u thonë: paguani! E ku të gjejnë të gjorëtë që të paguajnë? S’kanë të hanë vetë. Ata shqipëtarë, që pakë kohë më parë ishin të mveshurë me rroba t’arta e të farkuarë me armë t’ergjënta e të lara, ata a të bijt e tyre janë sot lakuriq me një këmishë, që s’ka ku ta zërë qeni!”

Shqiptarët, përveç që rëndoheshin nga taksat e shumta, jetonin në një vend pa qeverisje. Anarkia shkaktonte përçarje e vrasje të çdoditshme, ndonëse Shqipërisë së varfër e të paditur nuk i mungonin njerëzit e zotë për ta qeverisur vendin.

E ARDHMJA. Sami Frashëri e projektoi edhe shtetin e ardhshëm shqiptar, i cili duhej të ishte demokratik, laik, i qytetëruar, me institucione sipas modelit të shteteve europiane. Madje, krijoi disa neologjizma për institucionet dhe postet udhëheqëse, sikurse: kryeministër, kryeshkronjës [kryesekretar], gjithurdhërim [republikë], kombëri [kombësi], nënëkrye [nënkryetar], nënëgastrë [rreth], nënkatundar [nënkryetar bashkie], qeverindar [prefekt, guvernator], nënëqeverindar [nënprefekt], katundëri [qark, krahinë], ushtare [kazermë], gjithëmësime [universitet], yjeshkronjë [observator] etj.

Arsimimi fillor në shtetin shqiptar duhej të ishte në gjuhën shqipe, i mbështetur nga shteti, pa pagesë, i detyrueshëm për djem e vajza, gjithëpërfshirës, laik, për shqiptarë e pakica dhe të zgjaste nga mosha 7 deri 13 vjeçare. Sistemi shkollor duhej ta përfshinte: arsimin fillor, të mesëm, të lartë dhe arsimin profesional (shkollë ushtrie, metalurgjie, bujqësie etj.).

Në kryeqytetin e Shqipërisë, përveç shkollave fillore dhe të mesme, duhej të kishte: “Një gjithëmësime (universitet), një shkollë ushtërije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta.”

Universitete duhej të kishte në “Shqipërinë e Sipërme” e “në të Poshtërmet”, kurse “shkoll’ e aniërisë” (marinës) duhej të ishte pranë detit, në Durrës ose në Vlorë.

Shteti shqiptar duhej ta themelonte edhe bibliotekën kombëtare.

“Një bibliothek’ e madhe do të bëhetë e të ketë brënda livra etj. të shkruara të nevojta e të vyera në gjithë gjuhët, që munt të merenë vesh në Shqipëri”. 

Në kryeqytetin e Shqipërisë duhej të kishte “këshillë diturije” (akademi), që do të kujdesej për gjuhën dhe librat. Një “shtypëtore” (shtypshkronjë) do të shtypte libra shkollorë dhe revista “për të xgjuarë Shqipëtarëtë”.

“Ministria e diturisë”  (shkencës) duhej të krijonte shoqëri të ndryshme, që do të merreshin me gjeografinë (dheshkronjënë), historinë, gjeologjinë (dhekërkonjënë) dhe të botonte revista.

Në kryeqytetin shqiptar duhej të kishte edhe shkolla për gjuhët e huaja. Në disa duhej të mësoheshin gjuhët e reja të Europës (“francishtja, gjermanishtja, italishtja, ingjlishtja, slavishtja, greqisht’e re etj.”), kurse në të tjerat duhej të mësoheshin gjuhët e vjetra (“greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sankrishtja, etj.”).

Shkollat duhej të botonin libra edhe në gjuhën e huaja.

Përveç shkollave, bibliotekave dhe akademive duhej ta zhvillohej edhe arkeologjia. Duhej të kishte muze të përgjithshëm, ku do të ruheshin të gjitha gjërat e gjetura në Shqipëri, por edhe muze “për istori të naturtë”, pra muzeun botanik dhe zoologjik.

Samiu shkroi edhe për pakicat kombëtare. Aty ku fliteshin gjuhët tjera (bullgarisht, greqisht, vllahisht), nxënësit duhej ta mësonin bashkërisht gjuhën e tyre dhe gjuhën shqipe.

Shkollat e larta duhej të ishin në gjuhën shqipe, kurse pakicat mund t’i themelonin shkollat në gjuhën e tyre.

Pjesëtarët e pakicës nuk mund të punonin në administratë, “në nonjë punë të qeverisë” ose “në këshilla” nëse s’do ta dinin shqipen. Pra, gjuha zyrtare do të ishte shqipja.

Samiu, në këtë sprovë, shkruan edhe për postet, administratën, buxhetin dhe gjithçka tjetër që lidhej me funksionimin normal të një shteti modern. Ai e projektoi shtetin e ardhshëm shqiptar sipas modelit perëndimor. Kjo qasje haset edhe te rilindësit tjerë shqiptarë.

Kjo sprovë na bind se për realizimin e një projekti madhor duhet strategji e menduar e afatgjate jo veprime që i imponon çasti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button