Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë mund të anulohen për shkaqe sigurie

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të planifikuara për 18 dhjetor, mund të anulohen për shkak të mungesës së sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në një mbledhje të anëtarëve të komisionit të mbajtur pas disa incidenteve të regjistruara në dy prej komunave veriore, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, tha se nuk është e mundur të fillohet sipas planit me organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe.

Radoniqi theksoi se është e padrejtë t’u rrezikohet jeta zyrtarëve të KQZ-së dhe se është parë që qasja në komunat e veriut me shumicë serbe është e limituar.

“Në këto kushte nuk mund të fillojmë sipas planit tonë siç e kishim paraparë. Është e padrejtë t’i dërgojmë zyrtarët tanë në një vend ku ka pasiguri”, tha Radoniqi.

Radoniqi tha se është problematike qasja në zyrat e KQZ-së në këto komuna për t’u përgatitur për ditën e zgjedhjeve, duke shtuar se “ne në to nuk kemi qasje”.

Ai po ashtu tha se pret një raport të sigurisë nga Policia e Kosovës dhe më pas do të kontaktohet presidentja Vjosa Osmani për hapat e mëtutjeshëm.

Nga dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi e Alim Rama, është kërkuar sërish që t’i dërgohet një komunikatë Bashkimit Evropian (BE) që ajo të dënojë veprimet e Serbisë.

Për ndërhyrje në punën e zyrtarëve të KQZ-së në këto komuna, komisionin e njoftoi edhe kryeshefin e sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, i cili tha se zyrtarët janë dërguar me përcjellje policore, ndërsa në Zubin Potok dyshohet se u hodh në objekt të administratës së komunës një shok-bombë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, pas incidenteve të regjistruara në dy komunat veriore nga Policia e Kosovës tha se zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik.

“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunal të zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale, duke folur për incidentet në dy komunat veriore nga gjithsej katër ku pritet të mbahen zgjedhjet.

Sveçla tha se sulme të tilla me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme.

Policia e Kosovës njoftoi po ashtu se njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e këtij komisioni, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Referuar gjendjes në terren, policia njoftoi se janë bërë dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë të Veriut nga “persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa policia është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale”, thuhet në njoftimin e policisë, e cila siguron qytetarët se situata e sigurisë në vend, përfshirë edhe komunat në veri të vendit, është stabile.

Deri te zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe erdhi pas dorëheqjes së zyrtarëve të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, nga institucionet kosovare, përfshirë Policinë, gjyqësorin, prokurorinë, Kuvendin e Kosovës dhe pozitat e kryetarëve të komunave, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë ende në territorin e Kosovës.

Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e procesit zgjedhor të 18 dhjetorit dhe asnjë kandidat nga kjo parti nuk është në garë për pozitën e kryetarit të komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button