Florent Osmani bëhet i Gostivarit

Ekipi i Gostivarit sapo është futur në mesin e ekipeve më të mira të Maqedonisë, ndërsa ka filluar që tani të mendojë për përforcimet e para, duke marrë parasysh se kryesia e këtij klubi kishte paralajmëruar se në Ligë të Parë nuk do të futen vetëm për shkurt kohë, por dëshirojnë që të jenë ndër ekipet që do të synojnë edhe daljen në Evropë.

Pikërisht në këtë drejtim, ata kanë prezantuar dhe përforcimin e parë, e ai është futbollisti shkupjan Florent Osmani, i cili sezonin e kaluar ishte anëtar i KF Drita të Gjilanit, me të cilët arriti të jetë një ndër golashënuesit më të spikatur të kampionatit kosovar.

“Kemi arritur marrëveshje gojore, ndërsa ditëve në vazhdim presim të firmosim zyrtarisht. Për momentin jemi dakorduar që të kemi kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi. Jam i kënaqur nga kushtet që më ofruan dhe shpresoj se do jap maksimumin në fushë, duke shpresuar që Gostivari të arrijë që në sezonin e parë debutues të jetë skuadër që do të arrijë dhe daljen në arenën ndërkombëtare”, ka thënë për “Portalb”, 25 vjeçari Osmani.

Drejtuesit e klubit kanë premtuar se në ekip do të sjellin edhe dy nigerian dhe janë në bisedime edhe me disa futbollist nga Brazili dhe Argjentina, për të cilët ende nuk kanë vendosur, por janë në vëzhgim.

Edhe pse drejtuesit e klubit janë ende në kërkim të trajnerit, mësohet se ata kanë zhvilluar bisedime me një trajner shqiptar me prejardhje nga Gostivari, i cili aktualisht është trajner me grup-moshat e reja në FC Bazel të Zvicrës, fjala është për Bekim Arifin

Gostivarasit me 27 qershor do të kenë dhe grumbullimin e parë në qytetin e tyre, ndërsa pas dy javësh me shumë gjasa do të nisen drejt Sllovakisë, ku edhe do të vazhdojnë fazën e dytë përgatitore, ku do të kenë dhe ndeshje kontrolluese me ekipe nga Sllovakia dhe Austria. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button