Deputetët do të debatojnë për propozim-buxhetin, janë dorëzuar mbi 250 amendamente

Sot në Kuvend duhet të nisë debati për Propozim-buxhetin për vitin 2023. Për të do të debatohet nga Komisioni amë për Financa dhe Buxhet, transmeton Portalb.mk.

Të hyrat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin 2023 janë planifikuar në nivelin prej 282 miliardë denarë dhe janë më të larta për 14,8 për qind në krahasim me vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë në nivel prej 324,8 miliardë denarë ose janë për 12,6 për qind më të larta në raport me vitin 2022. Deficiti buxhetor është në nivelin 4.6 për qind të PBB-së së planifikuar.

Rritja ekonomike e ekonomisë së brendshme parashikohet në 2.9 për qind, ndërsa norma e inflacionit 7.1 për qind.

Projektbuxheti është përgatitur në përputhje me Ligjin e ri për buxhet dhe me të duhet të ruhet rritja ekonomike, të kryhen rregullisht të gjitha obligimet e shtetit dhe të mbështeten reformat dhe proceset integruese evropiane të vendit.

Ministri i Financave Fatmir Besimi pret interesim të madh për diskutim. Në një prononcim për MIA-në, ai dje ka treguar se gjithëpërfshirja është gjithmonë e mirëseardhur për t’u përballur me argumentet “pro” dhe “kundër” dhe për të zgjedhur më të mirën.

Për projektbuxhetin janë dorëzuar 263 amendamente nga të gjitha partitë politike, prej të cilave rreth 200 janë nga VMRO-DPMNE. Kryetari i Komisionit për financa dhe buxhet, Bojan Stojanoski dje tha se interesimi është veçanërisht i madh dhe se pret një diskutim të frytshëm.

Dy sindikatat më të mëdha në vend – Sindikata e Maqedonisë dhe Konfederata e Sindikatave të Lira u bënë thirrje deputetëve që të propozojnë dhe votojnë për përmirësimin e standardit të punës. Ata shprehën shqetësimin se janë paraparë fonde të parëndësishme për rritjen e pagave të punonjësve të sektorit publik, edhe atë, vetëm për ato kategori për të cilat me rritjen e pagës minimale vitin e ardhshëm, pagat e tyre do të mbeten nën të, ndërsa pothuajse nuk janë parashikuar mjete për pagesën e përfitimeve dhe shtesave në pagë të përcaktuara me ligj dhe kontrata kolektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button