RMV, u miratua propozim-buxheti për vitin 2023
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 98-të miratoi Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, të propozuar nga Ministria e Financave. Buxheti nga ana e shpenzimeve pritet të jetë 324,8 miliardë denarë, të hyrat parashihen të jenë 282,05 miliardë denarë, ndërsa deficiti është vlerësuar në 42,75 miliardë denarë, transmeton Portalb.mk.
Në mbledhje u miratua edhe Propozim-ligji për realizim e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.
Në këtë seancë, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, u miratua vendimi për përcaktimin e çmimeve më të larta për produktet caktuara në tregtinë me pakicë, konkretisht për drutë e dushkut; dru zjarri ahu dhe peleta për ngrohje.
Çmimet më të larta për dru zjarri nga dushku dhe ahu janë përcaktuar deri në 4.500,00 denarë për metër katror (m²) ose deri në 6.429,00 denarë për metër kub (m3).
U miratua vendimi për përfundimin e vlefshmërisë së vendimit për kushte të veçanta në tregtinë me pakicë, me të cilin u ngri marzhi për dru zjarri nga lisi dhe ahu dhe për peleta si dhe për të gjithë tregtarët deri në 10%.
Gjithashtu u miratua vendim për marrjen e masës për sigurimin e sasive shtesë të energjisë termike në kushtet e ekzistencës së një situate krize në furnizimin me energji termike.
“Është e obliguar Shoqata për shpërndarjen e energjisë termike EMV DISTRIBUIMI I ENERGJISË TERMIKE SHPKNJP Shkup të nënshkruajë marrëveshje për blerjen dhe shitjen e energjisë termike me kompaninë për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike TE-TO SHA Shkup, në kuadër të sasive të nevojshme, dhe sipas nevojave të kompanisë shpërndarëse të energjisë termike EMV DISTRIBUIMI I ENERGJISË TERMIKE SHPKNJP Shkup në baza mujore”, njoftuan nga Qeveria.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave miratoi Vendim për shtyrjen e afatit për aplikim për masën për blerjen e plehrave artificiale për mbjelljet vjeshtore deri më 30.11.2022.
“Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipas njoftimit të Ministrisë, në bazë të kësaj mase do të duhet të bëjë pagesën për fermerët pas përfundimit të aplikimit dhe jo më vonë se fundi i vitit”, njoftoi Qeveria.
Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike. Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.
- LEXO: Bekteshi për rrymën: Sot do të dërgojmë kërkesë në KE për ndihmë për industrinë dhe bashkëfinancim për amvisëritë
- LEXO: Ministri Bekteshi raportoi që institucionet shtetërore në muajin shtator kanë kursye deri 18 % energji elektrike
- LEXO: Kuvendi votoi vazhdimin e gjendjes së krizës në fushën e energjetikës
- LEXO: Qeveria e RMV-së ndau 1.1 miliardë denarë për furnizim me energji termike
- LEXO: Pendarovski: Kriza energjetike do reflektojë negativisht ndaj ambientit, prioriteti i vendit duhet të jetë investimi në mjedis