Hamidi kundër Sindikatës: Nuk është e vërtetë që duam ta shfuqizojmë konkursin për kontrollues të fluturimit, së shpejti procesi përfundon

Kryetari i Këshillit Drejtues dhe drejtori ekzekutiv i Sektorit të Navigacionit Ajror, Fahrudin Hamidi, i hedh poshtë pretendimet e Sindikatës së Kontrolluesve të Fluturimit se MNAV dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së, shkruan Portalb.mk.

“Absolutisht nuk është e vërtetë që njerëzit që nuk kanë librezë partiake nuk mund të punësohen. Të kishte qenë ai qëllim, ne nuk do të angazhonim kompani prestigjioze daneze për ta kryer këtë punë. Hera e parë në histori të këtij institucioni, bëhet në mënyrë maksimale transparente, që askush s’e ka bërë deri sot. Ne jemi ata profesionistë që më së miri e kryejmë këtë punë. Por, tani dikujt normalisht nuk i vjen mirë”, theksoi Hamidi në një deklaratë për Portalb.mk.

Ai tha se procesi në përfundim dhe demantoi se ka për qëllim ta shfuqizojë konkursin.

“Shkrimet janë të marra nga Sindikata. Nuk është legjitime të bisedojmë tash se procesi ende s’ka përfunduar. Normalisht ka elemente njëri thotë kështu tjetri thotë ashtu, por apriori e them që nuk është e vërtetë”, tha drejtori.

Kontrolli i fluturimeve, avion, aviacion
Kontrolli i fluturimeve, foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve

Në lidhje me çështjen e seleksionimit, ai thotë se “dikujt i pengon që ky proces ka shkuar shumë suksesshëm”.

“Dikush ka qëllime të veta dhe unë nuk hyjë aty, do pastrohet kjo punë dhe pastaj do të bisedojmë. Procesi është në fazë përfundimtare dhe do të përfundojë në mënyrë profesionale”, thotë Hamidi.

Siç shtoi ai, pasi të zgjedhën kandidatët, lista me emrat e tyre do të publikohet në ueb-faqen e tyre.

Nga Qeveria sot thanë se M-NAV është institucion që ka organet e veta drejtuese, programin e punës, mënyrën e vendimmarrjes dhe buxhetin dhe është e obliguar t’i ndjekë rregullat rigoroze ndërkombëtare.

“Sipas informacioneve që disponon Qeveria, procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për trajnim për kontrollorë të trafikut ajror është ende në vazhdim. Në përputhje me standardet ndërkombëtare, M-NAV është e obliguar në punën e saj të respektojë rregullat rigoroze të Eurokontrollit dhe Sistemit Ndërkombëtar të Menaxhimit të Trafikut Ajror, në të cilin është anëtare”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.

Konkursi për kontrollues të fluturimit

Në fund të korrikut, me afat aplikimi deri më 19 gusht, MNAV shpalli konkurs për trajnimin e 8 kandidatëve për marrjen e lejes për kontrolli të fluturimit dhe punësim në kohë të caktuar në kohëzgjatje pre j1 vjet, me mundësi për vazhdim edhe të 1 viti.

Në konkurs kanë pasur të drejtë të paraqiten kandidatë prej 18 deri në 27 vjeç, ndërkaq paga bazë neto për këtë vend pune është 46.173 denarë.

Konkursi i plotë mund të shihet më poshtë:

Në këtë konkurs kërkohen kushte strikte, duke e pasur parasysh dhe natyrën e punës.

Megjithatë, në mesin disa kritereve që duhet t’i përmbushin kandidatët është edhe kalimi i testimit FEAST, sipas kritereve të Eurocotrol, i cili përbëhet prej disa testeve apo shkallëve dhe ndihmon ofruesit e shërbimeve të navigacionit ajro (ANSP) t’i identifikojnë kandidatët më të përshtatshëm për të kontrolluar trafikun ajror.

Testimin FEAST e përdorin vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Parimi i testimi është që secili kandidat t’u nënshtrohet të njëjtave kushte dhe të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Për këtë, MNAV, ka angazhuar një operator nga Danimarka – “Gate Aviation Training’ që ta zbatojë këtë testim.

Testi FEAST përbëhet nga: FEAST I, i përbërë nga një grup testesh të aftësive njohëse dhe një test i gjuhës angleze, dhe FEAST II, ​​me dy teste më komplekse me shumë detyra që në përgjithësi pasojnë përfundimin me sukses të FEAST I. Përveç kësaj, në FEAST III, ka një pyetësor personaliteti i disponueshëm dhe përdoret nga shumë organizatat përdoruese të FEAST testimit.

Sipas Sindikatës, shumica e kandidatëve të paraqitur në këtë konkurs nuk e kanë kaluar as shkallën e parë të këtij testi.

Detaje për testimin FEAST mund të gjeni: KËTU.

Kontrollues të fluturimeve, MNAV, aviancion, aeroplan
Foto: MNAV

Gjatë ditës së djeshme, Sindikata e Kontrolluesve të Fluturimit akuzuan se tre drejtorë të “M-NAV” dhe drejtorë në Agjencinë Fahrudin Hamidi, Migjen Selmani dhe Vllatko Kërstevski, dëshirojnë ta anulojnë shpalljen për kontrollorë të fluturimit, pasi që prej 270 të paraqiturve, testin e kanë kaluar 8 kandidatë, në mesin e të cilëve nuk janë “personat e tyre”, e as fëmijët e paraqitur të funksionarëve nga BDI.

“Në mesin e 8 më të mirëve janë edhe tre djelmosha shqiptarë, të cilat janë ndër më të ranguarit sipas pikëve dhe testeve. Veçanërisht njëri i cili ka “shkelur” në testim”. Por, ata nuk janë të vërtetët që duhen të hyjnë”, thanë nga Sindikata.

Testimin e ka bërë një qendër trajnimi nga Danimarka, por siç thonë nga Sindikata, kriteret e ashpra nuk i kanë kaluar “personat partiak”

“Për këtë bordi prej tre anëtarëve kërkon llogaridhënie nga Danimarka pse janë rrëzuar kandidatët tjerë. Në mesin e atyre që janë rrëzuar në test janë edhe tre fëmijë të anëtarëve të Bordit Udhëheqës: Njëri i Selmanit dhe dy të Kërstevskit”, thonë nga Sindikata.

Nga Sindikata thanë se me kërkesën për llogaridhënie, udhëheqësia blen kohë pasi që më 20 nëntor kalojnë 90 ditë prej shpalljes. Nëse nuk veprojnë danezët ndaj kësaj kërkese, drejtori i Bordit Udhëheqës, Fahrudin Hamidi ka deklaruar se nuk mund të nënshkruajë që të zgjedhurit ta fillojnë shkollimin në Danimarkë.

Sot, SDK shkruan se kontrolluesit e fluturimit të cilët janë të kyçur në procesin e testimit të kandidatëve për shkollim për kontrollorë të ardhshëm, dje pasdite në zyrën e drejtorit të MNAV, Fahrudin Hamidi, kanë lënë notë proteste dhe kërkesë për rishpërndarje.

Sipas mediumit, ata kanë dhënë dorëheqje nga vendet për mbikëqyrje të procesit, pasi që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shfuqizimin e shpalljes së suksesshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button