RMV u pranua në Qendrën e Ekselencës së Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s dhe është në proces të anëtarësimit të plotë

Në takimin e sotëm, Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili është i ekspozuar ndaj kërcënimeve nga sulmet kibernetike, u pranua nga Qendra e Ekselencës së Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s dhe është në proces të anëtarësimit të plotë. Në kuadër të procesit, Maqedonia e Veriut mund t’i shfrytëyojë mjetet e Qendrës për ta përforcuar rezistencën e saj ndaj sulmeve hibride dhe ta forcojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike, transmeton Portalb.mk.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në takimin me Drejtorin e Qendrës, Mart Norma, Osmani theksoi se siguria kibernetike është në krye të agjendës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ndërmerr një sërë aktivitetesh për forcimin e kapaciteteve nacionale për t’u ballafaquar me këtë lloj të sfidave, bazuar në strategjitë nacionale të sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride.

Osmani informoi se Qeveria në vazhdimësi bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara – industrinë private, komunitetin hulumtues dhe akademik dhe shoqërinë civile, në përmirësimin e parandalimit, përgjigjes ndaj si dhe rimëkëmbjes nga sulmet е infrastrukturës kritike, të cilat me fillimin e luftës u bënë më të shpeshta.

Qendra e Ekselencës së Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s është themeluar në vitin 2008 dhe ka status të Organizatës Ndërkombëtare Ushtarake. Misioni i saj është t’i mbështesë shtetet anëtare dhe NATO-n përmes ekspertizës unike ndërdisiplinore në fushën e kërkimit, trajnimit dhe ushtrimeve për mbrojtjen kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button