E njoh Ali Ahmetin si bashkëfshatar, por s’kam kontakte personale, tha shefi i Prokurorisë për Krim të Organizuar Islam Abazi

Kryetari i sapozgjedhur i PNKOK-së Islam Abazi doli për herë të parë para opinionit dhe falënderoi votuesit-prokurorët që e zgjodhën. Ai premtoi luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe tha se ka marrë përvojë nga disa programe, projekte dhe grupe pune në të cilat ka marrë pjesë, transmeton Portalb.mk.

Abazi, i cili është nga fshati i lindjes së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, pretendon se ai mund të jetë takuar një herë me të, por nuk ka lidhje të ngushta me bashkëfshatarin nga Zajazi.

Ai është mburrur se ka bërë analiza të lëndëve penale për krime të rënda dhe korrupsion, por kur u pyet se cila është analiza e tij, pse në 20 vitet e qeverisjes së BDI-së asnjë zyrtar i partisë me në krye bashkëqytetarin e tij Ali Ahmeti nuk është ndjekur penalisht, ai tha nuk ka bërë analiza të tilla.

Vetë Abazi ka konfirmuar se nuk ka pasur program pune, por pavarësisht kësaj ka arritur t’i bindë kolegët që ta votojnë. Ai tha se do të njihet me lëndët e mëdha të PNKOK-së, pas së cilës do të japë udhëzime për punë dhe informim për opinionin. Ai bëri të ditur se do të jetë në krye dhe do të punojë së bashku me të gjithë prokurorët në PNKOK.

Në një garë të ngushtë dhe me vetëm dy vota më shumë se Ermon Neziri, Islam Abazi u zgjodh shef i ri i prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion.

Fjala është për prokuror nga Zajazi, vendlindja e Ali Ahmetit, lideri i BDI-së, ndërsa funksionari i parë qeveritar që iu drejtua publikisht Abazit pas zgjedhjes së tij është zëvendësministri i drejtësisë Agim Nuhiu nga radhët e kësaj partie.

Abazi në këtë funksion vjen nga pozita e udhëheqësit të Prokurorisë së lartë publike në Gostivar.

Ai është i vetmi nga katër kandidatët që nuk ka dashur të komunikojë me mediat në periudhën e kaluar.

Prokurori publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është zgjedhur për një periudhë katërvjeçare, nga radhët e prokurorëve publikë të zgjedhur me të drejtë rizgjedhjeje.

Mandati, shefes së pezulluar PNKOK Vilma Ruskovska i skadon më 14 nëntor, ndërsa prokurori Trajçe Pelivanov më 29 gusht u emërua zëvendësues i  përkohshëm i saj. Pas ditës së votimit, Këshilli ka afat prej shtatë ditësh të emërojë kandidatin që ka fituar më shumë vota për kreun e ri të PNKOK.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, nuk do të ketë periudhë vakumi pasi mandati i Ruskovskës skadon më 14 nëntor.

Ruskovska, është suspenduar përkohësisht nga pozita e saj në bazë të vendimit të prokurorit publik Lubomir Joveski në mes të gushtit. Pezullimi i saj erdhi pasi ndaj saj nisi procedimi disiplinor dhe u bë kallëzim penal në lidhje me kontrollin e kryer në Drejtorinë e Policisë Financiare (DPF) më 18 korrik. Ruskovska ka parashtruar ankesë për suspendimin, por Këshilli i Prokurorëve Publikë e ka refuzuar si të pabazë, përkatësisht e ka konfirmuar pezullimin. Për këtë rast kallëzim penal ka bërë edhe ish-drejtori i DPF-së, ndërsa Ruskovska ishte planifikuar të dëshmonte javën e kaluar. Sipas deklaratës së saj, ai rast tashmë është nën hetim dhe ajo po trajtohet si e dyshuar.

Hetim po zhvillohet në Prokurorinë Publike të Shkupit, prej nga vjen njëri nga pesë personat e tjerë të paraqitur si pasardhës i saj, Erman Neziri. Ai është zëvendësi aktual i kreut të Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski.

Prokurorja Kadriu-Lleshi, nga ana tjetër, prej kohësh është pjesë e ekipit në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mars të këtij viti, Këshilli i Prokurorëve Publikë e rizgjodhi atë dhe katër kolegë të saj për një mandat të ri në këtë prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button