Ajri mban erë të rëndë në disa pjesë të Tetovës, Komuna: Inspektorët janë në terren për të identifikuar problemin

Ajri në Tetovë në disa pjesë të qytetit mban erë të rëndë, për të njëjtën ka ankesa edhe nga ana e qytetarëve pasi nuk dihet nga vjen. Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thonë se edhe te ata kanë arritur ankesa dhe se po punojnë në identifikimin e problemit.

Ajri në disa pjesë të Tetovës mban erë të pazakontë dhe të rëndë, banorë nga lagje të ndryshme thonë se kjo është paraqitur nga dje si dhe është e pranishme edhe sot. Sipas tyre, aroma që dihet është si diçka e djegur apo erë gazi, nafte apo e ngjashme. Për këtë rast, disa prej tyre kanë reaguar edhe në rrjetet sociale.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk thotë se në adresë të tyre ka pasur ankesa nga qytetarët dhe se inspektorati komunal menjëherë ka dalë në terren.

“Në këtë moment ende gjenden në terren së bashku me inspektoret e Ministrisë së  Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Në momentet kur do të ketë informacion zyrtar nga inspektorati komunal dhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të informohet opinioni publik”, informuan nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, nga 1 deri më 7 nëntor, mesatarja ditore e grimcave të dëmshme në ajër PM10 është 78.3 që e tejkalon mesataren e lejuar prej 50 μg/m3.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button