Nga gjashtë kandidatët, Këshilli i Prokurorëve nuk zgjodhi asnjërin për prokuror të PNKOK

Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk zgjodhi asnjë nga gjashtë kandidatët e paraqitur për prokurorë në Prokurorinë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK), transmeton Portalb.mk.

Shpallja ishte publikuar për katër prokurorë, por asnjë nga gjashtë prokurorët nuk mori shumicën e kërkuar të votave.

Kush janë prokurorët që konkuruan për katër pozita në Prokurorinë Publike të NKOK-së?

Në mesin e gjashtë prokurorëve që kaandiduan në shpallje janë edhe dy prokurorë që tashmë janë pjesë e Prokurorisë Publike të NKOK-së, të cilët për shkak të skadimit të mandatit kandiduan për mandat të ri. Bëhet fjalë për prokuroren Milica Gavrilova, e cila është pjesë e ekipit në këtë prokurori që nga viti 2018. Ajo u vlerësua pozitivisht me 23 nga maksimumi 25 pikë, por nuk fitoi besimin e anëtarëve të këshillit.

Prokurorja e dytë është Maja Konevska, e cila ka qenë pjesë e PNKOK-së për tre mandate. Në vlerësim ajo ka marrë edhe notën pozitive 19.3 pikë, por asnjë votë nga Këshilli. Ndër rastet e fundit të njohura që ajo ka drejtuar ishte rasti i kontrabandës së kokainës që përfshinte aktoren Silvija Stojanoska, e cila u lirua nga gjykata e shkallës së parë në gjykimin e përsëritur dhe partneri i saj Voislav Budisavjeviq, i cili u dënua në formë të prerë me 12 vjet burg.

Për njërin nga katër vendet ka kandiduar edhe Elizabeta Josifoska, e cila aktualisht është prokurore në Prokurorinë Publike të Gostivarit, e cila është e njohur për publikun si pjesë e ekipit të Prokurorisë Publike dhe pjesë e ekipit të Katica Janevës. Ajo kishte 24 pikë në vlerësim për këtë konkurs.

Një nga kandidatët që ka kandiduar dhe nuk është votuar është edhe kolegu i saj nga prokuroria e Gostivarit, Arsim Ademi. Rezultati i tij ishte maksimal, 25 pikë. Ai është prokurori që ka negociuar marrëveshjen me Zoran Mileskin – Kiçeec për aksidentin me pasoja fatale që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në rrugën Gostivar-Kërçovë. Marrëveshja ishte gjashtë muaj burg. Kiçeec, i njohur nga rasti “Reket” ku e ka pranuar fajësinë, aksidentin e ka bërë derisa ishte në pushim nga vuajtja e dënimit me burg në burgun e Strugës, të cilin deri atëherë e mbante në repartin e tipit të hapur.

Në mesin e kandidatëve që nuk kanë marrë mbështetje është edhe prokurori i Berovës, Zlatko Bikovski, i cili paraprakisht ishte ushtrues detyre shef i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi Jovan Ilievski, i cili e mbante këtë pozitë, u largua si gjyqtar në Strasburg. Ashtu si Ademi kishte maksimumi 25 pikë. Ai është i njohur për publikun për drejtimin e rastit “Puçi” dhe ishte një nga prokurorët ndaj të cilit udhëhiqej procedurë disiplinore për mosveprim pas sulmit të Kuvendit më 27 prill 2017. Në vitin 2019 ka konkuruar për anëtarësim në Komisionin Kundër Korrupsionit. Ai, si dhe Ademi dhe Josifoska, kanë konkurruar në shpalljet paraprake për prokurorë në Prokurorinë Publike NKOK, por as ata nuk janë votuar.

Ndërsa prokurorja e gjashtë që ka aplikuar në konkurs është Verica Berzhevska-Kërstevska, e cila punon në Prokurorinë Publike Shkup. Edhe nota e saj ishte maksimale, 25 pikë, por nuk mori mbështetjen e anëtarëve të Këshillit.

Ky ishte konkursi i tretë për përzgjedhjen e prokurorëve për ndjekjen penale të krimit të organizuar, pasi në prill të vitit të kaluar u zgjodhën pesë prokurorë, ndërsa në mars të këtij viti pesë prokurore të tjera u rizgjodhën, të cilave u kishte skaduar mandati.

PNKOK do të marrë gjithashtu një shef të ri

Derisa vazhdon procedura për përzgjedhjen e katër prokurorëve në Prokurorinë Publike NKOK, Këshilli i Prokurorëve Publikë shpalli konkurs për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj prokurorie duke pasur parasysh se kryesueses aktuale të pezulluar Vilma Ruskovska mandati i skadon në 14 nëntor.

Afati për regjistrim në këtë konkurs skadoi të premten e kaluar dhe në të konkuruan pesë prokurorë: kryetarja e mëparshme Vilma Ruskovska, kolegu i saj nga PNKOK, Engjëllusha Kadriu Lleshi, prokurori i Shkupit Erman Neziri, si dhe dy prokurorë nga Gostivari, Islam Abazi dhe Desa Paunovska .

Se kush prej tyre do të jetë kreu i ardhshëm i Prokurorisë Publike të NKOK-së do të dihet më 7 nëntor, kur duhet të mbahen zgjedhjet e menjëhershme me votën e të gjithë prokurorëve në vend. Ky lloj i zgjedhjeve do të organizohet për herë të parë, sipas nivelit të Ligjit për Prokurorinë Publike.

Për këtë qëllim, në rendin e ditës të seancës së sotme të Këshillit është edhe ngritja e Komisionit për zbatimin e votimit.

Kjo është zgjedhja e parë e tillë e kreut të Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku në përputhje me nenin 66 të Ligjit të ri për Prokurorët Publik, Prokurori Publik Themelor i PNKOK zgjidhet nga Këshilli i prokurorëve publik pas votimit nga të gjithë prokurorët publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button