Shkup, semaforët e prishur te udhëkryqi rrezik për njerëzit dhe veturat
Në udhëkryqin e madh ku gërshetohen disa rrugë kryesore para Qendrës tregtare “Mavrovasja”, semaforët janë të prishur. Mungesa e semaforëve shoqërohet në të shumtën e rasteve edhe me mungesën e policëve të cilët rregullojnë komunikacionin.
Kjo ka shkaktuar një kaos të vërtetë në qarkullimin e veturave në një aks rrugor të frekuentuar dhe kalimtarët që shpesh rrugën duhet ta kalojnë nxitimthi duke rrezikuar vetveten.
Kjo rutinë kaotike është e shpeshtë në këtë udhëkryq të frekuentuar thonë qytetarët. Ata ankohen se funksionimi normal i semaforëve nuk zgjat shumë pas çdo rregullimi.
Shërbimet kompetente të qytetit të Shkupit për mirëmbajtjen e sinjalistikës ndriçuese, thanë për Portalb, se nuk kanë dijeni se semaforët nuk punojnë. Në evidencën e tyre thuhet se sinjalistika ndriçuese në këtë aks rrugor duke përfshirë semaforët është në funksion dhe komunikacioni zhvillohet pa problem.