Mbi varfërinë e dukshme dhe të padukshme

Sipas raporti të fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian, përqindja e njerëzve që jetojnë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social është më e vogël se në vitet e kaluara por megjithatë qëndron ende shumë lartë, në nivel 32.6% sipas matjeve për vitin 2020. Për më tepër, i njëjti raport thekson që ka pabarazi edhe në nivelin e punësimit në aspekt gjinor, ku niveli i punësueshmërisë te meshkujt është 64.3% ndërsa te femrat është 45.5% për vitin 2021. Tri ditë më parë u shënua Dita ndërkombëtare e varfërisë (Shih artikullin në këtë link: Dita Ndërkombëtare e Varfërisë: RMV-ja ka shumë punë në këtë drejtim, kritika edhe nga Komisioni Evropian (Infografik) – PORTALB)  ku u theksua se 1.3 miliardë njjerëz në botë jetojnë në varfëri, si dhe u shpërndanë të dhënat edhe për shtetin tonë të cilat duhen marrë në konsideratë shumë seriozisht, si nga organet shtetërore, ashtu edhe nga vet qytetarët.

Në kohën e sotme, është vërtet shqetësues fakti që gati një e pesta e popullatës në botë jeton në varfëri. Në këtë kohë të mundësive të mëdha dhe të prodhimit serik, është vërtet i papranueshëm dështimi për të bërë një shpërndarje më të mirë të resurseve që do të rezultonte me një barazi më efektive sociale në botë. Është vërtet për të ardhur keq që një pjesë e botës jeton në situatë të tillë ku ka luksin për të shpërdorur resurset dhe për të mos u mërzitur fare për ushqimin dhe veshmbathjen që përfundon në hedhurina, derisa pjesa tjetër e botës përballet me probleme ekzistenciale. Bota në përgjithësi dhe çdo shtet në veçanti duhet të bëjë më shumë për të siguruar një shpërndarje më të barabartë të resurseve themelore për jetesë. Bota nuk vuan nga mungesa e resurseve sa që vuan nga moskoordinimi dhe shpërndarja e padrejtë e atyre resurseve.

Është mirë që diskursi për rrezikun nga varfëria të jetë më gjithpërfshirës. Në njërën anë e kemi atë numër të lartpërmendur të popullatës që përballet me varfëri të thellë dhe me luftë për të ekzistuar. Por në anën tjetër e kemi edhe një pjesë tjetër të konsiderueshme të popullatës e cila duket e pasur por në fakt nuk është e tillë. Kjo gjendje duhet poashtu të na shqetësojë kur flasim në këtë temë. Kapitalizmi i zhvilluar në esencën e tij e ka konsumin. Që të rritet një ekonomi, popullata duhet të konsumojë sa më shumë dhe sa më shpesh produkte të ndryshme, për shumicën e të cilave as që ka nevojë esenciale. Në kapitalizëm ka edhe një rregull shumë të qartë që thotë se të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur ndërsa të varfërit bëhen gjithnjë e më të varfër. Kjo pjesërisht është edhe për shkak të asaj që të varfërit shpesh dëshirojnë të duken të pasur, edhe kur nuk janë të tillë.

Të varfër nuk janë vetëm ata që nuk arrijnë ti përballojnë nevojat e mbijetesës. Të varfër janë edhe ata të cilët edhe pse kanë punë me të ardhura stabile, nuk arrijnë të kursejnë asgjë nga të ardhurat e tyre e as të krijojnë pasuri që do të zgjasë dhe do të rritet brenda kohës. Ka njerëz që kanë të ardhura maramendase e mgjithatë, janë të varfër. Për mendimin tim, varfëria në shtetet tona dhe në botë është shumë më e madhe se ai indeks që tregohet nga raportet relevante. Çështja me pasurinë është shumë më serioze se kaq, dhe varfëria akute është e realitet jo vetëm në shtete të botës së tretë, por është po aq prezente edhe në shtete të zhvilluara kapitaliste ku konsumatorizmi është pjesë e pandashme e përditshmërisë.

Në shoqëri ekstremisht konsumatoriste si ajo në SHBA, mund të mendojmë se varfëria nuk ekziston, por ajo në fakt është shumë prezente. Ka studime që tregojnë të dhëna maramendase që thonë se mbi 50% e popullatës nuk kursejnë asgjë nga paga e tyre, ndërsa mesatarisht çdo qytetar i shtetit është në borxhe kredish në lartësi prej mijëra dollarësh të harxhuara për gjëra joesenciale. Për shumë qytetarë të SHBA, por edhe të shteteve tjera të zhvilluara, një defekt në shtëpi, ose një vizitë e paplanifikuar deri te dentisti do ta prishte balansin e të ardhurave dhe obligimeve finansiare për familjen për atë muaj. Flasim për vende të pasura me standard të lartë jetese, me paga të mira dhe stabile. Ky realitet aq i pasigurt bën që një familje që në shikim të parë duket se është stabile në aspekt finansiar, me shtëpi të madhe dhe me dollape të mbushura me tesha, me firogrifer plot ushqime dhe me fëmijë nëpër shkolla të mira, me pushime të parapaguara dhe me aktivitete të ndryshme sportive, mund të ndodhë që brenda muajit të shëndrohet në rast social po qe se të dy prindët papritur e humbin vendin e punës. Brenda një muaji arrin pagesa e faturave për mirëmbajte për shtëpitë e mëdha dhe të shtrenjta, pagesa e kësteve të kredisë për shtëpinë, automobilin, pushimin, dhe prandaj, në rast të humbjes së vendit të punës dhe pa asnjë qindarkë të kursyer për ditë si këto, familje të cilat deri në atë moment kanë jetuar jetë të etabluar, mund të rrokullisen në probeme eksistenciale te të cilat hyhet shumë shpejt por dilet me shumë vështirësi.

Varfëria nuk është karakteristike vetëm për shoqëritë që përballen me probleme eksistenicale, megjithëse aty është gjithmonë më e dukshme. Varfëria është shumë prezente por e padukshme në shikim të parë në shoqëri konsumatore të cilat nuk njohin kufi për nevojat e veta imagjinare dhe në të cilat mesazhet e vazhdueshme për të blerë më shumë çdo ditë janë aq ngulmuese, sa që njerëzit detyrohet të skllavërojnë gjatë gjithë jetës së tyre për ta mbajtur stilin e jetës që ka për qëllim të duket i pasur, megjithëse nuk është.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button