Papunësia, problemi kryesor i të rinjve në RMV, alarmon edhe Komisioni Evropian (Infografik)
Papunësia e të rinjve mbetet problem për të cilin Maqedonia e Veriut duhet të punojë shumë në këtë drejtim. Kjo është konstatuar në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Të rinjtë dhe përmbushja e nevojave të tyre mbetet sfidë e cila duhet adresuar dhe zgjidhur. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim. Portalb.mk më poshtë ju sjell një pasqyrë të asaj se çfarë thotë ky raport për sa u përket të rinjve.
Theks i veçantë ky raport i kushton papunësisë së të rinjve, ku thuhet se ajo mbetet e lartë në 30.9%, mirëpo theksohet se ajo është në rënie të vazhdueshme, por që ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.
Papunësia e të rinjve sipas raportit ka rënë ndjeshëm që nga hyrja në fuqi e skemës qeveritare të Garancisë për Rininë në 2018.
“Shkalla e papunësisë së të rinjve në vitin 2021 u ul në 34.6 %. Kjo është kryesisht për shkak të krizës Covid-19. Masa kryesore për trajtimin e papunësisë së të rinjve vazhdon të jetë Skema e Garancisë për të Rinjtë. Në vitin 2021, më shumë se 19 000 të rinj morën pjesë në program, me 41 % që gjetën me sukses mundësi punësimi ose trajnimi. Në Garancinë për Rininë janë përfshirë 969 romë, nga të cilët 148 janë punësuar në periudhën 4 mujore”, thekson raporti.
Ndërkaq në vizualizimin më poshtë mund të shihet se si përqindja e papunësisë te të rinjtë ka lëvizur ndër vite.
Sipas raportit, Qeveria miratoi plan veprimi për 2021-2022.Ndërsa thekson se Kapaciteti i Agjencisë së Shërbimit të Punësimit duhet të forcohet.
Zbatimi i skemës së Garancisë për Rininë ka vijuar me sukses në të gjithë vendin. Ndërsa sa u përket romëve aty u përfshinë 979 të rinj romë. Kur jemi te romët, raporti thekson se vajzat rome mbeten veçanërisht të cenueshme, shpesh për shkak të papunësisë.
Për shkak se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, në vitin e ardhshëm, vendi duhet veçanërisht të vazhdojë të zbatojë masat e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë, duke përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët.
“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar sfidat strukturore, si mungesa e burimeve nga institucionet shtetërore që merren me të drejtat e fëmijëve, mungesa e dokumenteve strategjike për të drejtat e fëmijëve dhe funksionimi i organit ligjor përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Konsultimet me të rinjtë në politikë-bërje duhet të përmirësohen. Ekziston nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve për të kuptuar dhe adresuar më mirë sfidat me të cilat përballen grupe të ndryshme fëmijësh, si fëmijët me aftësi të kufizuara apo fëmijët nga komuniteti rom”, thekson raporti.
Përpos kritikave, raporti theksoi edhe përparimet që janë bërë. Aty thuhet se, Kuvendi miratoi me mbështetje ndërpartiake organizimin e ri të grupeve parlamentare ndërpartiake për të rinjtë.
“Takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më 23 qershor 2022 ripohoi perspektivën e BE-së të partnerëve në rajon dhe dha shtysë për të intensifikuar agjendën e bashkëpunimit dhe integrimit. Fokusi i veçantë u vendos edhe në përfshirjen e të rinjve në ekonomi”, vë në pah raporti.
Raporti thekson gjithashtu grupet e punës të cilat u formuan midis qeverive të RMV-së dhe Bullgarisë, ku më pas u nënshkruan disa dokumente të bashkëpunimit, duke përfshirë rininë dhe sportin.
Vendi vazhdon të marrë pjesë aktive në programin Erasmus+ dhe në Korpusin Evropian të Solidaritetit.
“Sipas thirrjes së vitit 2021, gjithsej 118 projekteve u janë dhënë grante, duke përfshirë 22 projekte në sektorin e Rinisë. Parashikohet që në 22 projektet të dhuruara për Rininë, 615 pjesëmarrës të rinj, nga të cilët 77 më pak mundësi pjesëmarrjeje do të përfshihen në to”, thuhet në raport.
Në fushën e zhvillimit të politikave rinore, raporti thotë se Agjencia për Rini dhe Sport mban një regjistër të organizatave rinore në të cilin janë regjistruar 80 organizata që nga hyrja në fuqi e kësaj mase.
“Agjencia ka miratuar një Rregullore për standardizimin e Qendrave Rinore në një proces transparent dhe janë krijuar disa qendra në vend. Përveç kësaj, agjencia mbështeti hapjen e katër qendrave rinore që ofrojnë asistencë teknike dhe pajisje”, nënvizon raporti.
Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Nga ana tjetër, me 18 tetor në Bruksel vijoi procesi i skriningut, ku në fokus ishin Kapitujt 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitulli 19, “Punësimi dhe politika sociale” ku theks të veçantë ju kushtohet të rinjve.
Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, sa u përket politikave rinore, theksoi se autoritetet vazhdojnë të krijojnë qendra rinore në çdo komunë për të mbështetur të rinjtë, se është miratuar Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore, ndërsa njoftoi edhe se është duke u përgatitur Strategjia e re për rininë 2023-2027.
“Për sa i përket programeve të BE-së në këtë fushë, Maqedonia e Veriut është pjesëmarrëse shumë e suksesshme. I kemi nënshkruar dhe kemi filluar zbatimin e marrëveshjeve për pjesëmarrje në Erasmus + dhe Korpusin evropian të solidaritetit, për ciklin e ri financiar. Programi Erasmus+ menaxhohet me një shkallë të konsiderueshme angazhimi dhe kapacitet absorbues. Në kuadër të viteve 2014-2020 janë dhënë 4199 grante, ku janë përfshirë mbi 32 mijë pjesëmarrës dhe janë paguar 37 milionë euro”, tha Mariçiq.
Nga ana tjetër, me 17 tetor në Maqedoninë e Veriut filloi debati publik për përpilimin e Strategjisë Nacionale për Rini për periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2027, aktivitetet që organizohen nën ombrellën e Agjencisë për Rini dhe Sport.
Në këtë Strategji planifikohet futja e principeve themelore dhe fushave përmes së cilave planifikohet realizimi i të drejtave, nevojave dhe interesave të të rinjve deri në vitin 2027. Agjencia për Rini dhe Sport do të kujdesët për përpilimin e kësaj Strategjie.
Partnerë të Agjencisë në përpilimin e Strategjisë janë edhe UNDP, OSBE, UNFPA. Në hartimin e saj marrin pjesë edhe organizata rinore nga vendi si dhe të rinj.
Aktivitetet do të realizohen në forma të ndryshme në periudhën prej muajit tetor deri në dhjetor të këtij viti, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga organizatorët.
- LEXO: RMV-ja duhet t’i intensifikojë aktivitetet në drejtim të digjitalizimit, vlerësoi Komisioni Evropian
- LEXO: Komisioni Evropian me një sërë kritikash për Maqedoninë e Veriut në fushën e barazisë gjinore
- LEXO: Komisioni Evropian konstatoi “kërcënimet në rritje nga dezinformatat” në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: BE-ja me kritika të njëjta si vjet: Të përshpejtohet ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D dhe reformat në hekurudha
- LEXO: Raporti i KE-së për RMV-në: Lëvdata për sanksionet ndaj Rusisë, por duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit